Kolumbiani Hames Rodrigez, i transferuar me shumë bujë vjet nga Monako, më në fund ka bindur edhe skeptikët më të mëdhenj të tij. Edhe një herë tjetër ai ka dëshmuar se sa është i rëndësishëm për Real Madridin. Në sfidën e dytë në La Liga kundër Betisit ai ka shënuar dy gola të jashtëzakonshëm.
Me këto dy gola Hames arrin në kuotën e 19 golave me Realin në 48 paraqitje, statistikë kjo shumë e mirë kur dihet se është vetëm mesfushor. Për më shumë, Hames në këto 48 ndeshje ka dhuruar edhe 19 asistime për shokët e tij të skuadrës, duke e bërë atë një lojtar shumë të rëndësishëm për pjesën tjetër të skuadrës.
“Padyshim që goli me prekje të dyfishtë më bëri mirë dhe mendoj se është në tre golat më të bukur që kam shënuar ndonjëherë”, u shpreh mesfushori pas fitores me goleadë. “Ronaldo nuk shënoi? Ai e di se nuk bëhen dot golat në çdo ndeshje. Asgjë nuk ka ndodhur. Ai do të shënojë në ndeshjen e radhës. Benitez është bosi i skuadrës. Do më ketë gati sa herë të ketë nevojë për mua”, vijoi më tej kolumbiani.
