Romela, pa ar në Lojëra

anazapta

Romela Begaj ka fituar dy medalje në Lojërat Mesdhetare Mersin 2013, në peshën 63 kg, duke e çuar në gjashtë numrin e medaljeve të Shqipërisë. Peshëngritësja i është bashkuar Daniel Godellit, i cili fitoi dy të arta të shtunën, duke vendosur njëkohësisht edhe një rekord të Lojërave të Mesdheut. Romela mori pjesë në garën deri në peshën 63 kg, ku garuan gjashtë pjesëmarrëse. Në stilin e shkëputjes, Begaj ngriti 99 kg në provën e dytë, një më pak se fituesja e medaljes së artë, turkja Sibel Simsek. Begaj dështoi në provën e parë, me 99 kg, dhe në të tretën, kur tentoi të ngrinte 104 kg. Në vend të tretë u rendit egjiptiania Sara Ahmed, me shtatë kilogramë më pak se Romela. Midis këtyre të triave ishte edhe rivaliteti në stilin e shtytjes, të fituar nga egjiptiania Ahmed me 124 kg. Në vend të dytë doli turkja Simsek me 121 kg, ndërsa Begaj u rendit e treta me 117 kg, të ngritur vetëm në provën e parë, pasi dështoi në dy të tjerat kur tentoi 121 kg. Në dygarësh, Begaj ngriti 216 kg, po aq sa Ahmed. Simsek ngriti 221 kg.

Në mundje, Meraldo Ndoka humbi në konkurrimin në peshën 74 kg për stilin klasik kundër egjiptianit Tarek Mohamed për ta mbyllur përfaqësimin po në vend të pestë në Lojërat Mesdhetare si Ergys Mirukaj një ditë më parë në peshën 84 kg. Pa histori u mbyll edhe garimi në disiplinën e taekwondo të sportistit Xhersi Kurti. Në konkurrimin e peshës për 1/8, shqiptari u mposht nga egjiptiani Gofran Ahmed 19-2 me pikë. Në qitje, në disiplinën 10 metër pistoletë ajër, Shqipëria garoi me Arben Kuçanën dhe Arben Cerinën të cilët nuk mund të kualifikoheshin në tetëshen finaliste. Mes 21 garuesve nga Mesdheu, Kuçana u rendit i 13-ti me 563 pikë të marra kurse Cerina zuri vendin e 17-të me 556 pikë. Në konkurrimin e femrave po në disiplinën 10 metër pistoletë ajër Aida Mustafaj zuri vendin e 17-të, e fundit, me 349 pikë të grumbulluara.

 

 

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *