“Romeo e Zhuljeta” nga Uilliam Shekspir vjen në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë si një shfaqje e përbashkët serbo-shqiptare. Në regji të Predrag Miki Manojlloviq, prodhuar nga Radionica Integracija (Beograd) dhe Qendra Multimedia (Prishtinë) shfaqet në Tiranë në mbrëmjet e datës 7 dhe 8 qershor për publikun. Kjo shfaqje teatrore sipas producentit Jeton Neziraj e pati premierën në Beograd, u shfaq në skenën e Prishtinës dhe vjen për publikun në Tiranë. Në vepër luajnë aktorët e mirënjohur si Uliks Fehmiu, i cili për herë të parë interpreton në një shfaqje teatrore në gjuhën shqipe, për të vijuar dhe me aktorë të tjerë Anita Manciq, Mensur Safçiu, Tristan Halilaj, Milica Janevski, Jovana Gavriloviq, Edona Reshitaj, Nikola Rakoceviq, Arta Selimi Nebojsa Glogovac, Faris Berisha, Goran Jevtiq, Armend Baloku, etj.
Si bashkëproducent në këtë projekt, Jeton Neziraj thekson faktin se është një nga projektet më të rëndësishme në rajon, ku para disa viteve realizimi i tij shihej një ëndërr. “Është padyshim një prej projekteve më të rëndësishme teatrore në regjion. Puna ka nisur që para gati tri vitesh, kur për herë të parë vura kontaktet me regjisorin dhe aktorin Manojlloviq. Atëherë, gjithçka dukej si një ëndërr, zor e realizueshme, megjithatë, realiteti shpesh di të na befasojë edhe për të mirë. Dhe kështu, mbas një pune e angazhimi të madh, ne vjet ia dolëm ta vëmë në skenë shfaqjen, e cila, fillimisht pati premierën në Beograd, në Teatrin Kombëtar atje në Prill, e pastaj në Prishtinë në maj në Teatrin Kombëtar. Është projekti i parë që financohet, ndër të tjera, edhe nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Serbisë, kështu që në atë drejtim vërtetë mund të quhet “projekt historik”. Vëmendja për shfaqjen ka qenë tejet e madhe edhe ndërkombëtarisht”, tregon Neziraj mbi këtë projekt. Pjesëmarrës në shfaqje, aktori Uliks Fehmiu, i biri i aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu, interpreton rolin e Lorencos. “Është hera e parë që Uliksi luan në një skenë teatri në Shqipëri, ashtu siç është shfaqja e parë ku Uliksi luan shqip. Në të vërtetë, ai në shfaqje flet të dy gjuhët. Ngjitja e tij në skenë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka qenë shumë emocionuese. Besoj do të jetë emocionuese edhe për publikun në Tiranë”, shton më tej producenti Jeton Neziraj. Një projekt, i cili ka bërë bashkë artistët shqiptarë dhe serbë, dhe sipas producentit Neziraj, tregon se artistët kanë përkushtim për të projektuar një të ardhme më optimiste se sa realiteti. “Vështirë se mund të gjendet ndonjë kontekst tjetër social e politik, ku drama “Romeo e Zhuljeta” do të mund të funksiononte kaq mirë. Marrëdhëniet serbo-shqiptare në të kaluarën kanë njohur edhe “ditë të mira”, megjithatë, ato shpesh kanë qenë të mbushura me urrejtje, paragjykime e konflikte. Fakti që artistë serbë dhe shqiptarë kanë punuar së bashku në këtë shfaqje, në të vërtetë tregon përkushtimin tonë, si artistë dhe si njerëz, për të projektuar një të ardhme më optimiste nga ajo që ka projektuar realiteti ynë, ky i tanishmi dhe ai i kaluari”, shprehet Neziraj.
Jo refleks i mendimit politik
Më herët edhe regjisori i veprës ka pohuar se është gjë e madhe që rreth këtij projekti janë mbledhur artistë nga Beogradi dhe Prishtina, duke pohuar se nuk është refleks i mendimit politik. “Kjo shfaqje nuk është refleks i mendimit politik, por vepër e njerëzve që kanë talent, mend dhe guxim. Secili nga pjesëmarrësit e do kombin e vet dhe nuk e urren të huajin. Është gjë e madhe që rreth këtij projekti janë mbledhur artistët nga Beogradi dhe Prishtina, duke bashkëpunuar me zemër dhe fuqi të plotë. Ngjarja e shfaqjes zhvillohet në kohën e sotme, në Veronë, pra nuk i pasqyron ngjyrimet tona lokale. Fjalët kyçe të saj janë urrejtja, dashuria dhe gjuha si urë dhe murrë. Mes popullit serb dhe atij shqiptar edhe më tej ka mosdurime, konflikte, mosmarrëveshje dhe grindje. Përvojat e raporteve post-konfliktuale mes ish-republikave jugosllave tregon se kultura ka qenë ndër fushat e para ku është arritur që të kapërcehen barrierat, si ato territoriale ashtu edhe të raporteve ndërnjerëzore. Shfaqja shpejt dhe pa dhimbje ua hapi rrugën tolerancës dhe dialogut mes kulturave”, shprehet regjisori Predrag Miki Manojlloviq. “Romeo e Zhuljeta” ka pasur premierën në prill 2015, në Teatrin Kombëtar në Beograd, për t’u pasuar pastaj me premierën kosovare, në maj 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shfaqje të tjera janë dhënë edhe në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd.
