Çështja e strehimit të romëve të dëbuar nga banesat e tyre ende nuk ka gjetur zgjidhje. Ndërsa familjet rome, mes të cilëve fëmijë dhe të moshuar, vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin para Bashkisë së Tiranës, Ndërmarrja e Gjelbërimit ka hapur ujin për të ujitur barin pikërisht ku po qëndrojnë ata, një mënyrë kjo për t’i larguar që aty.
Ndërkohë, situata është ndjekur edhe nga përfaqësues të Federatës Shqiptare të Romëve dhe aktivistë të organizatës suedeze Civil Rights Defenders. Vasilika Laçi, drejtore programit të Civil Rights Defenders thotë se gjatë tre- katër orëve të pasdites, kur në vendngjarje nuk kishte asnjë aktivist të shoqërisë civile, policia i ka fyer romët dhe me metoda të ndryshme presioni ka dashur t’i largojë që atje.
Sot pritet që Avokati i Popullit të mbledhë një tryezë pune me përfaqësues të të gjitha institucioneve dhe ndërkombëtarë, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për familjet rome, të cilat që prej të shtunës qëndrojnë në qiell të hapur.