Ronaldinho do të kthehet të luajë në “Camp Nou” këtë verë me legjendat e Barcelona-s. Ikona braziliane do të jetë një nga protagonistët e ndeshjes së 30 qershorit kundër legjendave të Manchester United.
Kjo do të jetë hera e parë që Dinho do të luajë për Barcelona-n në stadiumin e famshëm që nga koha kur vendosi të largohej në 2008-ën. Barça ka konfirmuar se ai do të jetë i pranishëm ashtu si Edgar Davids dhe Simao. Lojtarë si Gaizka Mendieta dhe Giuly do të rreshtohen kundër Dëight Yorke, Dimitar Berbatov me shokë, në ndeshjen që do të luhet për bamirësi.
Ronaldinho ka luajtur me legjendat e Barcelona-s kundër atyre të Real Madrid në Liban, prillin e kaluar, duke dhënë 3 asiste në fitoren 3-2. Të gjitha të ardhurat e ndeshjes së 30 qershorit do t’i shkojnë Qendrës Pediatrike kundër Kancerit në Barcelonë.
Ky projekt synon të sigurojë trajtim për të gjithë fëmijët e prekur nga kanceri dhe të ardhurat që do të gjenerojë kjo ndeshje do të shfrytëzohen për të ndërtuar një qendër të re.
