Ylli portugez i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, vlerësohet favorit për të fituar “Topin e artë” të FIFA-s (Ballon d’or) për vitin 2013, e cila zhvillohet sot në orën (18:30)
Ronaldo gjendet në listën e ngushtë së bashku me Lionel Messin e Barcelonës dhe Franck Riberyn e Bayern Muenchenit. Për Ronaldon është hera e gjashtë në shtatë vitet e fundit që gjendet në treshen finale.
“A e meritoj të fitoj? Ndoshta po, siç e meritoja edhe vitin e kaluar apo dy vite më parë. Mendoj se e meritoj të fitoj ‘Ballon d’Or’ çdo vit”, ka deklaruar Cristiano Ronaldo, përcjell faqja zyrtare e FIFA-s.
Ronaldo vitin e kaluar ishte më efikasi nga tre finalistët. Shënoi 69 gola në 59 ndeshje zyrtare. Mirëpo, ai nuk fitoi asnjë trofe, për dallim nga dy të tjerët. Franck Ribery me Bayern Muenchenin fitoi pesë trofetë e mëdhenj (Ligën e Kampionëve, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e klubeve), ndërsa Lionel Messi fitoi dy trofe (La Ligan dhe Superkupën e Spanjës).
Ronaldo më herët pati një mosmarrëveshje me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, pasi ky i fundit ishte tallur me portugezin gjatë një fjalimi që kishte mbajtur në Universitetin e Oxfordit. Madje portugezi kishte kërcënuar se nuk do të paraqitej fare në ceremoninë gala që mbahet në Zyrih. Mirëpo, në mediume është raportuar se portugezi ka ndryshuar mendje, dhe madje aludohet se ka bërë këtë, pasi mendon se e ka të sigurt fitoren.
1 Comment

Te fitosh Topin e Arte, pa fituar asnje trofe, eshte thjesht nje dhurate.
Eshte futbollist i shkelqyer, por Riberi vjen me shume trofe, ne kete kandidim, qe si duket eshte vendosur tja japin Ronaldos.
Ndoshta edhe Topi i Arte, po funksionon, se Eurovizioni.