Ronaldo ose Ibrahimoviç, vetëm një shkon në Brazil

anazapta

Një midis Kristiano Ronaldos e Zlatan Ibrahimoviçit nuk do të jetë në skenën e madhe të yjeve vitin e ardhshëm, pasi shorti i hedhur dje nga UEFA i ka vënë përballë njëri-tjetrit në play-off. Dy nga futbollistët më të mirë të botës, së bashku me Frank Riberi të Bajernit, do të luajnë në play-off për të siguruar kualifikimin, pasi kombëtaret e tyre zunë vendin e dytë në grupet eliminatore. Çifti më i spikatur në ndeshjet e 15 dhe 19 nëntorit është ai i formuar nga Suedia dhe Portugalia. Kjo do të thotë se Ronaldo ose Ibra do ta shohin nga televizori botërorin. Të dy morën kartonë të verdhë (dyshohet të qëllimshëm) në ndeshjet e parafundit në grup, duke e konsumuar pezullimin me ndeshjen e fundit, për të mos rrezikuar në play-off, pasi ishte e qartë që do të luanin aty. Suedia doli pas Gjermanisë, ndërsa Portugalia mbeti pas Rusisë në grupin e saj. Takimi i parë do të luhet në Portugali më 15 nëntor dhe i dyti në Suedi, më 19 nëntor. Në shortin e hedhur dje, Portugalia (vendi i 14-të në renditjen e FIFA-s), Greqia (15), Kroacia (18) dhe Ukraina (20) ishin skuadrat e vazos së parë, duke lënë Francën në të dytën.

“Gjelat” patën fatin të shmangnin Portugalinë dhe Kroacinë, që i shihnin si kundërshtarët më të frikshëm, por megjithatë nuk do të kenë detyrë të lehtë, pasi do të përballen me Ukrainën. Të dyja u ndeshën në fazën e grupeve në Euro 2012, në takimin e fituar nga Franca, ndërkohë që ndeshja mbahet mend për shiun e shumtë që e shtyu gjatë ndeshjen. Frank Riberi, i cili pretendon “Topin e Artë”, e di mirë se eliminimi do të ishte një minus i madh për synimet që ka, pa llogaritur këtu mungesën në shfaqjen e më të mirë në Brazil, atje ku çdo futbollist dëshiron të jetë. Kroacia ka një detyrë më të lehtë në letër, pasi do të ndeshet me Islandën, skuadrën surprizë në play-off, e cila la pasur Slloveninë dhe Norvegjinë në grupin ku ishte edhe Shqipëria. Më i ekuilibruar është çifti midis Rumanisë dhe Greqisë. Rumunët u rritën në ndeshjet e fundit në grup, ndërkohë që grekët kanë pasur vështirësi të mëdha për gjetjen e golit, ndaj është një sfidë ku ndoshta do të ketë më pak gola se në të tjerat.

 

Ndeshjet, 15 e 19 nëntor

Portugali-Suedi

Ukrainë-Francë

Greqi-Rumani

Islandë-Kroaci

 

Trajnerët

 Paulo Bento, Portugali:

“Suedia është kundërshtar i vështirë, me një nga lojtarët më të mëdhenj në futbollin botëror, Zlatan Ibrahimoviç. Por ai nuk është arsyeja e vetme pse Suedia është kualifikuar në play-off. Është një skuadër shumë e fuqishme fizikisht dhe mjaft e fortë në ajër. Kjo nuk i ndryshon planet tona, duam të konkurrojmë, të luajmë futboll të bukur, të luftojmë për fitore dhe të sigurojmë një vend në Brazil. I dimë vështirësitë me të cilat do të përballemi, por kemi bindjen se do t’ia dalim të shkojmë në Brazil. Për ta realizuar do të na duhet të luajmë dy ndeshje të mëdha dhe të paraqitemi si një skuadër e madhe. Do të jetë thelbësore të marrim rezultat pozitiv në takimin e parë e pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë në të dytin. Objektivi dihet, tani duhet të gjejmë rrugët për ta arritur”.

 

Erik Hamren, Suedi:

“Kjo është një sfidë e vështirë, por e njëjta gjë do të ishte me çdo kundërshtar. Portugalia është pa diskutim një skuadër shumë e mirë, kjo u pa edhe në Euro 2012. Për pak sa nuk u kualifikuan në finale dhe u eliminuan vetëm me penallti nga Spanja. Kanë nivel shumë të lartë, por, siç e kemi parë edhe gjatë eliminatoreve, shpesh vuajnë përballë kundërshtarëve më të dobët. Sidoqoftë, janë skuadër e rangut të lartë po t’i marrim parasysh të gjitha. Plus, të shohësh Kristiano Ronaldon kundër Zlatanit? Ky është një bonus ekstra. Janë dy yje të mëdhenj dhe shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre. Do të jetë një sfidë brenda sfidës”.

 

Didier Deschamps, Francë:

“Do ta quajmë short shumë të mirë nëse kualifikohemi! Sigurisht, duke qenë në vazon e dytë ne rrezikonim të luanim me Portugalinë ose Kroacinë, dy skuadra me përvojë dhe histori, por as kundër Ukrainës nuk do të jetë e lehtë. Nuk është mundur prej shtatë ndeshjesh, nuk pëson shumë gola dhe udhëtimi do të jetë i gjatë për ne, megjithatë kemi avantazhin e ndeshjes së kthimit në shtëpinë tonë. Fakti që i mundëm në Euro 2012 nuk ka shumë rëndësi, çdo ndeshje luhet më vete. Atëherë ishte ndeshje grupi, tani është me eliminim. E gjithë e ardhmja jonë luhet në harkun e katër ditëve. Duhet të kemi besim, por edhe të respektojmë Ukrainën, e cila me siguri që do të japë 100 për qind”.

Fernando Santos, Greqi:

“Do të jetë gjithçka e hapur, të dyja skuadrat kanë të njëjtat ambicie dhe të njëjta kapacitete. Rumania është skuadër e fortë, e cila është rritur në vitet e fundit dhe më në fund ia ka arritur të shkojë në nivelin e lartë të dikurshëm. Mendoj se do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat, por besoj vërtet se mund t’ia dalim. Të dyja ndeshjet do të jenë të forta. Mendimi i parë pasi pashë emrin e Rumanisë ishte që duhet t’i studioj shumë mirë dhe të identifikoj forcën dhe dobësitë që kanë. Nuk mendoj se është ndonjë problem i madh që ndeshjen e parë luajmë brenda. Sikur të kisha mundësi të zgjidhja do ta luaja ndeshjen e dytë në shtëpi, por nuk ka shumë rëndësi. Mesazhi im për tifozët grekë: Besoni te kjo skuadër dhe na jepni të gjithë përkrahjen e mundshme në ndeshjen e parë, e cila mund të jetë përcaktuese. Duam që stadiumi të jetë plotë, për të shkuar së bashku në Brazil”.

 

Victor Piturca, Rumania 

“Greqia do të jetë shumë e vështirë. Nuk jemi favoritë, këtë e kam të qartë. Greqia është skuadër me shumë përvojë, me shumë fitore radhazi dhe ka humbur vetëm një herë në eliminatore. Mori 25 pikë dhe renditet e 15-ta në botë. Për mendimin tim, këto janë të dhëna të një skuadre të shkëlqyer”.

 

Lars Lagerback, Islandë

“Çdo kundërshtar do të ishte i vështirë për ne. Kroacia është skuadër shumë interesante. Në letër nuk jemi favoritë, por gjatë eliminatoreve kemi befasuar disa skuadra dhe sigurisht që shpresojmë ta bëjmë prapë. Në eliminim me dy ndeshje e ke gjithmonë një shans. Me aftësitë dhe karakterin e lojtarëve kam besim. Nëse nuk pësojmë gol në ndeshjen e parë do të jetë avantazh i madh për kthimin”.

 

Niko Kovaç, Kroaci:

“Jam i lumtur me shortin, por e dimë që do të jetë ndeshje e fortë, pasi Islanda zuri vendin e dytë në grupin e saj. Fatmirësisht e luajmë në Zagreb ndeshjen e kthimit. Sigurisht që do ta studiojmë kundërshtarin dhe stilin e lojës, me qëllim që skuadra të jetë gati”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *