Ka fituar pothuajse gjithçka në sezonin e kaluar, kampionatin dhe Champions League me Real Madrid, por duket se nuk ka ndërmend të ndalet. Portugalia ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Konfederatave falë një fitoreje bindëse 4-0 të marrë kundër përfaqësueses modeste të Zelandës së Re.
Ka qenë Cristiano Ronaldo, sulmuesi i Real Madrid, ai që ka zhbllokuar ndeshjen me një penallti në minutën e 33-të. Ky ka qenë goli i 56-të i tij në 55 ndeshje të luajtura nga fillimi i sezonit 2016/17.
Por ka qenë edhe goli numër 75 me kombëtaren, duke kapur vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë europianë në ndeshjet e luajtura me përfaqësueset. Legjenda e futbollit hungarez, Ferenc Puskas, mban vendin e parë me 84 gola të realizuar në karrierën e tij. Me ritmet që po ecën, na falni, po vrapon ylli portugez ka shumë mundësi që ta parakalojë hungarezin, i cili është gjithashtu një nga legjendat e historisë së Real Madrid.
