Cristiano Ronaldo u shfaq në versionin e tij më të mirë në fitoren 5-1 të Realit ndaj Elches, duke shënuar 4 gola ndaj modestëve të Primera Division.
Por luzitani kërkon t’i ndajë meritat me shokët e skuadrës. “Ishte një ndeshje shumë e mirë, e nisëm pak keq, por reaguam shumë mirë me dy gola të shpejtë.
Të shënosh katër gola në një ndeshje është pak e vështirë, por për këtë duhet të falënderoj shokët e skuadrës që më dhanë mundësinë për të shënuar. Penalltia? Më duhet ta pranoj, ishte penallti. Gjithsesi ishte një vendim i drejtë i gjyqtarit”.
29-vjeçari mori në shtëpi topin e ndeshjes, që do t’ia dhurojë djalit. “Kam shënuar katër gola edhe dy apo tri herë të tjera. Forma ime është në rritje falë edhe ndihmës që po më jep ekipi. Topi i ndeshjes është dhuratë për tim bir”.
Casillas apo Navas? Debati mbi titullarin e portës, sipas yllit luzitan, po bëhet i lodhshëm. “Nuk duhet të flasim gjithë kohën për një cështje. Iker dhe Keylor janë portierët më të mirë të La Ligas.
E rëndësishme është të ruajmë vazhdimësinë dhe të përmirësohemi. Tifozët do ta kuptojnë që Iker është një lojtar shumë i rëndësishëm për këtë klub”.
Dhe në fund një koment mbi fjalët e Mourinhos dhe zërat për një rikthim të mundshëm në Premier League: “Kjo tema nuk është e rëndësishme, më shumë rëndësi ka Reali.
Në nivelin personal gjithcka po shkon ok, dëshiroj të jap gjithçka për këtë fanellë. Manchester United? Te flasësh për të ardhmen time është spekulim, sepse e ardhmja ime është në Madrid”.
