Autori i golit në humbjen 2-1 ndaj Luksemburgut, Odise Roshi, ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp ditën e sotme duke deklaruar që një fitore ndaj Izraelit do t’i shumëzonte me zero të gjitha humbjet e fundit.
Mesfushori beson se Shqipëria ka skuadër më të mirë se Izraeli, edhe pse nuk ka ngurruar ta vlerësoj maksimalisht kundërshtarin. Fieraku e pranon që lojtarët kanë rënë cilësisht kohët e fundit.
Pozicioni i preferuar
“Luaj pothuajse në çdo pozicion, mesfushor i djathtë, i majtë, në sulm. Besoj se pozicioni im i preferuar është mesfushor i djathtë. Gjithmonë kur kam qenë i vogël kam luajtur sulmues, por kur u bëra futbollist profesionist, luajta mesfushor i djathtë. Kur je sulmues është më mirë dhe ke më shumë shanse për të shënuar.”
Humbja ndaj Luksemburgut
“Edhe ekipe me të mëdha kanë humbur me Luksemburgun. P,avarësisht kësaj loja ishte në avantazh për ne, kishim tre katër shanse për ta mbyllur ndeshjen. Kur kaluam në avantazh sikur u liruam pak, më pas pësuam dy gola.”
Skema e suksesshme
“Ne kemi pasur ecuri më të mirë kur kemi luajtur me një sulmues, por ka raste kur duhet të luash edhe me 2, ajo është skemë e trajnerit. Kjo është në varësi të kundërshtarit. Ka shumë skema që kemi aplikuar në stërvitje, pak e vështirë sepse Izraeli ka ekip të mirë, por besoj se e kemi ekipin më të mirë se Izraeli.”
Vlerësimi për kundërshtarin
“E kam ndjekur Izraelin në ndeshjet me Maqedoninë dhe Italinë. Luajnë mirë në të dyja ndeshjet. Ne duhet të japim maksimumin dhe nëse marrim fitoren, shumë humbje që kemi bërë shumëzohen me zero.”
Gjwja e veçantë e kërkuar nga trajneri për sfidën ndaj Izraelit
“Përqendrimi është më i rëndësishëm në futboll, ndan suksesin me humbjen. Shqipëria arriti në një nivel ku nuk kishte qenë kurrë. Të gjithë çunat e kanë ndoshta mendimin që kemi rënë cilësisht por duhet të jemi më të përqendruar ndaj Izraelit.”
Atmosfera në skuadër
“Harmoni duhet të ketë gjithmonë në skuadër, edhe nëse humbim duhet të jemi më të qeshur për t’u kthyer te fitorja. Nuk kemi probleme, vetëm se kemi rënë pak në mendim. Skuadra duhet të rinovohet vit pas viti sepse do të vijnë elementë nga Shpresat. Koha ikën, talentet e rinj vijnë.”
Paraqitjet me klubin në kampionatin rus
“Tereku ka bërë një vit shumë të mirë, objektivi ynë ishte Europa, një pikë na ndau nga Europa, në fund hyri Krasnodari në vendin tonë. Vendi i 5-të ishte rekord. Këto ndeshjet e fundit kemi marrë rezultate shumë të mira. Kemi fituar kundër Rubinit dhe Zenitit.”
Mungesa e Bekim Balajt në grumbullim
“Normale që më mungon Balaj kam qëndruar gjithmonë me të. Shpresoj që Bekimi të rikthehet sa më shpejt. Komunikojmë herë pas here. I mungon grumbullimi me skuadrën.”
