Roskoveci – qyteti “stacion”

Dita

Ashtu modest dhe pa shumë pretendime, Roskoveci hyn te qytetet e vegjël të Shqipërisë, pse të mos themi, nga ata kuriozët dhe simpatikët. Njëlloj, si shumica e tyre, edhe ai e mbart histori dhe vlera të patjetërsueshme, të cilat na vijnë deri më sot qysh nga antikiteti i hershëm. I banuar herët si një nga stacionet kryesore të rrugës Egnatia, në Roskovec janë kryqëzuar gjatë të gjitha kohërave rrugët e komunikimit, qytetërimet, zhvillimet kulturore dhe bashkëjetesa midis komuniteteve. Pikërisht në këtë hapësirë gjenden shumë nga vlerat natyrore, materiale dhe shpirtërore të kulturës shqiptare. Gjetjet arkeologjike, ngjarjet historike, folklori dhe monumentet, konfirmojnë traditën e vjetër dhe të re të këtij qyteti, që bashkë me prapatokën e tij kanë se ç’të dëshmojnë.
I ndodhur në të dy anët e rrugës Berat-Fier ose anasjelltas, si dhe një herë lokalitet, një herë komunë, pastaj rreth e më pas qytet, Roskoveci mbeti Roskovec, autentik, origjinal në kulturën dhe etnosin e tij. Krenar për një të kaluar, që ndonjë herë përdoret edhe për ironi dhe në një kuptim pezhorativ të dyshimtë, “Pazari i Roskovecit” ishte një kulturë e kohës si në aspektin tregtar ashtu edhe në atë informativ për lajmet javore ndërkrahinore. Për ata që ia dinin vlerën, jo më kot ishte bërë “mollë sherri” midis dy qarqeve apo prefekturave, të Fierit dhe Beratit. Ndërkohë sot ai përbën një tjetër realitet dhe si dikur është kthyer në një stacion pushimi për këdo që udhëton përgjatë tij, qoftë udhëtar vendas apo turist i huaj.
*
Roskoveci në hartën e re administrative përbën njërën nga 61 bashkitë e Republikës së Shqipërisë dhe shtrihet në Rajonin Perëndimor të vendit, në jug të rrjedhës së mesme të lumit Seman. Territori i tij ndodhet përgjatë fushës së Myzeqesë së Vogël dhe Mallakastrës së Poshtëme. Bashkia e Roskovecit kufizohet në veri dhe perëndim me Bashkinë Lushnjë, në jug me Bashkinë Mallakastër, në lindje me Bashkinë Ura Vajgurore, ndërsa në perëndim me bashkitë e Fierit dhe Patosit. Territori i Roskovecit ka një reliev kryesisht fushoro-kodrinor, ku në veri dhe në perëndim shtrihet fusha e Roskovecit, si pjesë e Myzeqesë së Vogël, kurse pjesa jugore e tij zihet nga zona kodrinore e Mallakastrës. E formuar nga depozitimet e Semanit rreth 1.5 milion vjet më parë, fusha e Roskovecit, nuk është krejt e rrafshët. Ajo vjen duke u ulur nga jugu drejt veriut ku takohet me shtratin e këtij lumi. Ndërsa zona kodrinore që përbëhet kryesish nga flishi dhe gëlqerorët e neogjenit, karakterizohet nga një sistem vargjesh kodrinore me lartësi 100-300 m, të cilët ulen gradualisht deri sa zhduken përgjatë fushës. Hidrografia e përbëhet nga lumi Seman, disa përrenj që zbresin drejt tij, këneta e zezë e Strumit dhe liqeni artificial i Kurjanit. Klima e Roskovecit është tipike mesdhetare, me verë të ngrohtë dhe të thatë dhe dimër të butë dhe të lagësht. Temperatura mesatare vjetore është 15 gradë C, ku muaji më i ftohtë, janari karakterizohet nga një mesatare prej 7 gradë C, ndërsa muaji më i ngrohtë, korriku, “shënon” një mesatare prej 23-24 gradë C. Reshjet bien në formë shiu, kryesisht gjatë gjysmës së ftohtë të vitit dhe sasia mesatare e tyre arrin deri në 1000 mm. Rrezatimi diellor llogaritet në rreth 2000 orë me diell në vit, të cilat krijojnë kushtet e zhvillimit të një vegjetacioni të pasur.
*
Gjurmët më të vjetra të jetës janë gjetur gjatë punimeve të ndryshme bujqësore. Të tilla janë shenjat e një ujësjellësi, fakt që tregon për një vendbanim antik. Po kështu në hapësirën e Roskovecit kanë dalë rrënoja të vendbanimeve rurale si në Marinëz, Suk, Strum, Luar dhe Ngjeqar.
Vëzhgimet e para arkeologjike janë bërë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore kur arkeologu Kamilo Prashnikër e “shkeli” me këmbë të gjithë gjatësinë e degës jugore të rrugës antike Egnatia. Në shënimet e tij të cilat i gjejmë në librin “Myzeqeja dhe Mallakastra”, të botuar në Vjenë në vitin 1920, ai përcaktoi në terren edhe itinerarin përgjatë së cilit kalonte kjo rrugë.
Duke u bazuar tek një nga guidat e udhëtimit, “Itinerari Hierosomilitan”, Prashnikeri pasi krahasoi distancat në milje me ato në terren doli në përfundimin se në antikitet Roskoveci ishte një nga stacionet e kësaj rruge dhe mbante emrin Stefana. “Te hani i Roskovecit arrijmë sipas numrit të miljeve në stacionin Stefania (mutatio Stephanaphana) shkruan Prashniker (Camillo Prachniker, Muzakia und Malakastra, Alfred Holder, Vien 1920, f. 99). Ndërkohë që historia hesht për këtë vendbanim për të ardhur në vitin 1431, kur në defterin osman, Roskoveci, përmendet si truall i braktisur nga banorët. Por shumë shpejt ai do të rimëkëmbet dhe rëndësia e tij do të rritet pas vitit 1683, kur qendra e sanxhakut të Vlorës do të zhvendoset në Berat. Kështu Roskoveci do të shndërrohet përsëri në një stacion të rrugor që lidhte këto dy qendra të rëndësishme të këtij sanxhaku. Përfshirja e tij në këtë itinerari të ri e shndërroi atë edhe në një treg të rëndësishëm rajonal, i cili do të njihej në të gjithë vendin si “Pazari i Roskovecit”.
*
Rosat RoskovecKushtet e favorshme klimaterike, relievi i alternuar fushoro-kodrinor dhe burimet ujore, konsiderohen të përshtatshme për prodhimin bujqësor. Ato e rendisin Roskovecin si një ndër zonat më të rëndësishme bujqësore të vendit. Këtu kultivohen rreth 70 lloje bimësh si drithërat, bimët industriale, perimet, ulliri, agrumet, vreshtaria dhe dru-frutorët. Blegtoria dallohet për gjedhët, dhentë, derrat dhe shpendët. Qysh herët janë mbarështuar edhe buajt, të cilët përdoreshin si kafshë pune dhe për prodhim blegtoral. Sot Roskoveci ka jo vetëm fondin e nevojshëm të tokës bujqësore, me sistem bonifikimi model, por dhe me një popullatë aktive me përvojë në fushën prodhimit bujqësor, ku merreshin rendimentet më të larta. Në prodhimin blegtoral ishte shkollë përvoje për rritjen e derrit, ku mbarështohej shkencërisht specia “derri i Roskovecit”, studim i cili njihet edhe në Amerikë sipas studimit të Prof. Ilo Fotos. Po kështu me traditë të veçantë në prodhimin dhe përpunimin e duhanit, ndaj një varietet duhani i njohur në Europë ka emrin “Roskoveci”. Kurse zona e Kurjanit ishte shkollë e përvojës për rritjen dhe kultivimin e lulediellit. Tradita vijon edhe për ullirin e vreshtat që zënë sipërfaqe të konsiderueshme në zonën kodrinore të krahinës. Por faktori më i rëndësishëm që garanton zhvillim të qendrueshëm ekonomik të krahinës është pasuria nëntokësore, siç është nafta që shfrytëzohet në fushat e Marinëzës, Belinës dhe Jagodinës. Qyteti dhe Popullsia. Roskoveci përbën sot një nga bashkitë kryesore të Qarkut të Fierit. Ai funksion me një status të tillë që nga viti 1992. Kryetari i parë i bashkisë ishte Rrapi Kuqo, për t’u pasuar nga Petrit Çepele, Lindita Çobo, Ylli Kola, Gëzim Caushi dhe Majlinda Bufi. Ndërkohë që me hartën e re të reformës administrative-territoriale, Bashkia e Roskovecit rifitoi territoret e saj duke përfshirë edhe fshatrat e ish-komunave Suk, Kuman e Kurjan. Aktualisht në këtë territor përfshihen 14 fshatra, me një popullsi prej rreth 32 163 banorë, sipas regjistrit të Gjendjes Civile. Qendra e Bashkisë është në Roskovec dhe ka në përbërje edhe 3 Njësi Administrative; Kuman, Kurjan dhe Strum. Qyteti shtrihet në të dy anët e një aksi gjatësor që njëkohësisht është edhe arteria kryesore që e lidh atë me Beratin, Fierin dhe pjesët e tjera të vendit. Pikërisht këtu ndodhen ndërtesa e bashkisë, e ndërtuar në stilin neoklasik, pallati i kulturës, gjimnazi “Adem Vrapi”, fusha e sportit, tregu, agjencitë e transportit, etj. Në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 kryetare e Bashkisë Roskovec është zgjedhur zj. Majlinda Bufi. Me iniciativën e saj u ngrit një komision i simboleve, i cili duke u konsultuar me të gjithë aktorët vendorë, i propozoi Këshillit Bashkiak, që data e 24 korrikut, të jetë Dita e Festës së bashkisë.

Drejtim i ri, profil i ri…

majlindaNën drejtimin dhe vizionin e kryetares së Bashkisë të Roskovecit, Majlinda Bufi, Roskoveci po përpiqet të krijojë profilin e tij bashkëkohor në raport me sivëllezërit e tij fqinj të Beratit dhe Fierit. “Sot ai që vjen në Roskovec do ta ndjejë veten si në shtëpinë e tij, thotë zonja Majlinda. Si një dhuratë e begatisë së natyrës, ne po përpiqemi që krahas këtyre vlerave ta shndërrojmë atë edhe në një destinacion modest turistik. Projektet tona në infrastrukturë po na krijojnë mundësinë që monumentet tona të kulturës t’i bëjmë të vizitueshme jo vetëm për turizmin transit, por edhe atë të qëndrueshëm. Tradita, mikpritja, gatimet, prodhimet bio janë disa nga resurset që do ta shndërrojnë shumë shpejt qytetin në një stacion të përhershëm ashtu siç ka qenë dikur një nga stacionet e rrugës Egnatia. Këtë po e realizojmë të gjithë së bashku, si pushteti vendor, biznesi dhe qytetarët, obligimi kryesor i të cilëve është që ta bëjmë Roskovecin shtëpinë e të gjithë qytetarëve”.

Pazari Roskovecit, etno-kulturë specifike shqiptare

70532549Këtu tregtoheshin mallra të karakterit bujqësor, artizanal dhe industrial. Në këtë treg vinin tregtarë dhe blerës jo vetëm nga rajoni përreth, por edhe nga gjithë vendi. Një e veçantë e “Pazarit të Roskovecit” ishte se aty gjeje edhe prodhime prej ari, argjendi dhe gurësh të çmuar si dhe ushtronin aktivitetin e tyre edhe tregtarë dhe grosistë nga më të njohurit e kohës. Krahina e Roskovecit është inkuadruar si njësi më vete me reformën administrative të vitit 1923. Ajo emërtohej “Komuna “Tregu i Frasherit” dhe ishte në përbërje të Rrethit Qendër të Qarkut Berat. Popullsia e kësaj krahine ishte 9413 banorë dhe përfshinte 32 fshatra. Ndërsa në vitin 1928 popullsia përbëhej nga 7632 banorë dhe përmblidhte 25 fshatra si: Arapaj, Cukalat, Çiflik- Strum, Çomlekaj, Donofrosa, Drenovica, Ngjeqari, Hallambrezi, Jagodina, Kumani, Kumaraka, Kurjani, Luari, Marinza, Matka, Pobrati, Rërëza, Roskoveci, Sllanica, Stamatica, Strumi, Suku, Velmishi, Vidhishta dhe Ngraçie. E njohur historikisht “Krahina e Roskovecit” kjo zonë është dalluar për natalitetin (lindshmërinë) më të lartë në vend, jo vetëm kaq, por kjo lindshmëri ka qenë në rritje progresive lineare për periudha relativisht të gjata. Në ndarjen administrative të vitit 1953, krahina e Roskovecit, fitoi statusin e rrethit me emërtimin “Rrethi i Roskovecit” Në vitin 1956 ky status degradoi dhe Roskovecit iu dha statusi i lokalitetit në përbërje të rrethit të Fierit. Ky shndërrim dhe kalimi nga rrethi i Beratit në atë të Fierit veç të tjerash u bë për të shkatërruar edhe atë që ishte epiqendra e jetës ekonomike të krahinës, “Pazarit të Madh të Roskovecit”. Në vitin 1958 Roskoveci artikulohet si qytet, status që nuk solli asgjë pozitive për gjithë fshatrat e Krahinës së Roskovecit. Ato mbetën të shpërndara në 7 ish-komuna, në një qytet, në tre rrethe dhe dy qarqe.

Krenaria artistike e Roskovecit

liqeniRoskovecarët janë njerëz të ngrohtë, të sinqertë dhe mikpritës. Natyra i ka bërë njerëz bujarë dhe të dhënë pas punës, familjes dhe vlerave. Këto janë disa nga cilësitë e këtij komuniteti që përpiqet dhe punon çdo ditë për të arritur gjithçka në sajë të punës, normave dhe vlerave shoqërore. Jo pak e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Roskovecit është ajo pjesë e madhe intelektualësh, gjithnjë në rritje, me djem dhe vajza që mbarojnë studimet e larta, madje shumica me grada dhe tituj shkencorë, emra të njohur në diplomaci, ekonomi, në fushën e artit e kulturës, të letërsisë e gazetarisë, botues e mbi të gjitha një armatë e madhe arsimtarësh. Të tillë mund të përmendim emra të njohur si Mystehak Xhemali, Agron Goga, Tonin Kola, Nuri Plaku, Harilla Goga, Ramadan Çepele, Arqile Apostoli, Mimoza Nushi, Mimoza Kadiasi, Iriselda Prifti, piktorë të njohur si Llambi Blido, Barjam Mato, etj.
Një ambasador i kulturës ka qenë edhe kompozitori i ndjerë Vakthi Sheme, i cili u shfaq në muzikën shqiptare në fillim të viteve 70-të dhe zuri një vend të nderuar midis talenteve të brezit të tij. Bashkëkohës me Hajg Zaharian, Francesk Radin, Aleksandër Peçin, etj. Vakthi Sheme ishte vetëm 22 vjeç, kur rrëmbeu në Festivalin e 10-të, të këngës në RTSH, çmimin e dytë me këngën “Bardhësi”. Që nga fillimi viteve 70-të ajo u bë “hit” i muzikës shqiptare.
Roskoveci krenohet edhe një ekip shahu që kanë arritur të jetë fitues të kupës së Shqipërisë dhe ka konkurruar me dinjitet në kompeticionet ndërkombëtare.

Guidë
Çfarë gjen në Roskovec!?…

Për t’u vizituar nuk duhet anashkaluar Strumi, si një nga vendbanimet e shumta rurale të Bashkisë së Roskovecit. I vendosur në lindje të këtij qyteti, përgjatë rrugës automobilistike që e lidh atë me Beratin, ai bart në vetvete dëshmi të shumta të kulturës sonë materiale. Të tilla janë një sërë dëshmish, monumente natyrore dhe objekte kulturore. E tillë është edhe legjenda e famshme popullore e “Bukuroshes së Strumit” dhe kënga e saj popullore. Kurse “Këneta e Zezë” është një tjetër monument natyror e cila përpara bonifikimit krijonte një basen të madh ujor, që vijonte me kënetën e Roskovecit, për të vijuar më pas me ato të Marinzës, Sheqishtes dhe në fund atë të Sheqit. Pikërisht në këtë vend, ngjitur me “Kënetën e Zezë” ndodhet kisha e Shën Gjergjit, e cila përbën një nga monumentet e kulturës që ndodhen në këtë hapësirë. E ngritur mbi një bregore të butë dhe të veshur me gjelbërim, “Shën Gjergji”, ndodhet një kilometër në veri të Strumit të sotëm, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike që lidh këtë vendbanim me fshatin Suk. Kisha ka një gjatësi prej 10 m dhe një lartësi prej 3.5 m. Nga pikpamja arkitektonike ajo është një ndërtesë në formë drejtkëndëshi, e vendosur në drejtimin lindje-perëndim dhe mbulohet nga një çati me tavan të rrafshët. Kisha e Shën Gjergjit përbëhet nga naosi njënefësh dhe absida, muret e të cilave janë dekoruar me afreske, të cilat sot ndodhen në një gjendje jot ë mirë. Kisha është pikturuar dikur nga piktorët e familjes ikonografe të Çetirëve të Grabovës. Ikonostasi dhe objektet e tjera mungojnë, ndërsa në dyshemenë e pashtruar të faltores, pikërisht pranë absidës shihen dy pjesë kolonash antike me kanelyra dhe një pjesë mermeri e një kapiteli dorik, të marra nga ndërtimet antike, ndoshta edhe nga qyteti i Dimali që ndodhet aty pranë. Me një lartësi prej shtatë metrash, kambanorja e ndërtuar në vitin 1782, është pjesa më e ruajtur e këtij objekti. Nën të ndodhet edhe një portë me qemer, e ndërtuar me gur të bardhë të skalitur, ku janë imituar kolonat antike, mbi të cilat është vendosur një hark i zbukuruar me dy rozeta. E lartë 1.8 m, ajo ka lartësinë e një njeriu të zakonshëm. Kurjani është një tjetër vendbanim rural pjesë e bashkisë së Roskovecit. I përmendur për kultivimin e ullinjve dhe vreshtarinë, ai është i njohur edhe për liqenin artificial të ndërtuar rreth 50 vjet me parë. Pikërisht në Kurjan në kodrën më të lartë të tij, aty ku syri të kap gjithë rrafshinën e Myzeqesë, Shpiragun dhe kodrat e Mallakastrës, ndodhet një nga kishat bizantine më të vjetra në Shqipëri, Shën Nikolla. Në vitin 1956 një ekspeditë studimore e Universitetit të Tiranës dhe Institutit të Historisë bëri një nga zbulimet më interesante dhe më të rëndësishme në brendinë e saj. Të tilla ishin afresket e pikturuara nga Nikolla, biri i Onufrit, të cilat së bashku me vlerat e spikatura arkitektonike të këtij objekti, bënë që në vitin 1963, kisha e Shën Nikollës të shpallej monument kulture. Liqeni i Kurjanit është sot një nga rezervuarët më të mëdhenj dhe produktiv që i jep jetë Myzeqesë, pa të cilin nuk do të quhej “hambari i Shqipërisë”. I ndërtuar në një vend të studiuar, ky rezervuar filloi të vihet në punë në vitin 1960 dhe kishte rreth 33 milion metër kub ujë. “Bukuroshja e Strumit” nuk do të jetë më vetëm një nga legjendat më të bukura të kësaj treve. Së shpejti pritet që ajo të përfaqësohet me një shtatore elegante dhe mbresëlënëse në një vend të preferuar të qytetit. Dhe vargjet e këngës së famshme të saj si: “Më shkove tek burimi/ U hodhe në vah/ Fol moj bukuroshe e Strumit/ Me shtëmba në krah”, duket se çdokush që do të vizitojë qytetin, nuk do largohet pa folur me monumentin e saj.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *