Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti dje në një takim shefin e prezencës së OSBE-së, në Shqipëri, Florian Rouning. Bashkëbiseduesit vunë theksin tek bashkëpunimi i mëtejshëm dhe tek mbështetja që OSBE-ja i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Ministrja Gjosha, nënvizoi se qeveria shqiptare është maksimalisht e angazhuar në përmbushjen e reformave që kanë nisur. Ministrja u shpreh se Shqipëria është optimiste në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian. Shefi i prezencës së OSBE-së, Florian Rouning, theksoi se 10- vjeçari i fundit për Shqipërinë ka qenë një periudhë konsolidimi në të gjitha aspektet. “Ne jemi partnerë të sinqertë të Shqipërisë, për një sërë masash mjaft inkurajuese të ndërmarra nga maxhoranca që po qeveris vendin. Mbështesim Shqipërinë në këtë rrugë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nuk do të thotë se në këtë vend gjërat nuk po shkojnë mirë, por keni nevojë për shenja më të forta të besimit të ndërsjelltë opozitë-maxhorancë”, tha Rouning.