“Rozafa” e politikës dhe një kushtetutë

redaktor

Nga Dhimitër Gegprifti

 

Legjenda për kalanë e Rozafës është aktuale sot në politikën shqiptare, por me disa ndryshime, të cilat shoqëria shqiptare i përjeton, por nuk i eliminon.

Muret e kalasë ndërtoheshin ditën dhe prisheshin natën e përsëri fillohej nga e para. Por që të qëndronin muret duhej një sakrificë sublime dhe ashtu ndodhi.

Në ndryshim nga kjo legjendë, politikanët shqiptarë më shumë mundohen të prishin dhe vazhdojnë të prishin në këtë Shqipëri dhe në këtë shoqëri, në shifra marramendëse në fushën e ekonomisë, të politikës e të moralit, për pasojë në të gjithë jetën e këtij populli.

Këtu prishet ditën dhe natën. Atë, që bën njërë palë, kur është në pushtet, e prish pala tjetër, kur vjen në pushtet.

I pari i këtij sindromi është udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha, i cili në të gjitha takimet në Shqipëri dhe ditët e fundit në Lushnje ka deklaruar se shumë ligje e vendime të kësaj qeverie do të shfuqizohen. Të njëjtën gjë premtuan dhe bënë zotërinjtë Nano, Berisha e Rama në mandatet e tyre. Ky realitet është shumë evident, por sindromi i tij aktual shfaqet e rishfaqet në forma e përmasa të çuditshme edhe nga individë partiakë, të veshur me kostumin e deputetit, që kanë ose jo edhe funksione në grupe parlamentare. LSI deputetin Spahiu e vlerëson si qëndrim individual dhe do të shikojë dhe qëndrimin e tij në grupin parlamentar.

Po deklarat e herëpashershme të zotit Vasili? Po në Partinë Socialiste? Ka kohë që me veprimet dhe qëndrimet e tij, deklaratat zoti Pandeli Majko po na befason! Duket sikur ai ka marrë rolin e negociatorit midis pozitës dhe opozitës. Janë individuale apo të konsultuara me strukturat? Duket se po, pasi nuk kemi ndonjë reagim të strukturave.

 

Sa herë që palët politike nuk gjejnë hapësira për të realizuar qëllimet e tyre politike apo individuale i “lëshohen” Kushtetutës, si tani, sa janë gati të hartojnë një kushtetutë të re. Nuk numërohen rastet e ndërhyrjes në të nga të dyja forcat politike PS dhe PD! Shtrojmë pyetjen: Si do të ketë stabilitet politik, ekonomik, social ky vend dhe ky popull, kur Ligji Themeltar nuk ka stabilitet? Ai është në mëshirën e politikës, e ndryshon si të dojë, kur të dojë, me kë të dojë, brenda një ore, disa orësh…

Ne e quajmë jo rastësi, por domosdosmëri imperative, që vërtet duhet të miratohet në popull që Kushtetuta apo dhe të tjera Ligje e Vendime të kenë afate maksimale të ndërhyrjes në to, ashtu si mendohet për plane urbanistike për 30 apo 50 vjet.

Reforma në Drejtësi u nis me forcë, besim e mbështetje të madhe nga të gjithë: kombëtarë e ndërkombëtarë, por tani është në udhëkryq!

Aktualisht sot kjo reformë ka nxjerrë dy çështje të tjera emergjente: Referendum popullor për reformën, por dhe Zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet kjo reformë. Palët kanë  qëndrime e vizione të ndryshme:

Opozita kërkon largimin e kësaj qeverie, krijimin e një qeverie teknike, zgjedhje të parakohshme dhe pastaj reforma në drejtësi. Shumica është e mendimit se referendumi për reformën dhe zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen njëherësh, me të cilën nuk është dakord opozita. Siç duket: njëra hapur dhe tjetra e nënkuptuar besojnë ose dëshirojnë që kjo reformë do të mbetet për mandatin tjetër. Të dy palët mendojnë se do të fitojnë në këto zgjedhje, por nuk thonë se me cilin draft do të kalohet në referendum, a ka një model që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen njëherësh, kur kanë qëllime diametralisht të kundërta?

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *