Në qershor të vitit të kaluar, një çift bashkëshortësh kanë kallëzuar njëri-tjetrin për dhunë fizike. Në fund të historisë rezultoi se të dy kanë dhunuar njëri-tjetrin e për pasojë të dy janë dënuar.
Fillimisht ka qenë burri ai që ka telefonuar në numrin 129. Ai ka njoftuar sallën operative se bashkëshortja e tij e kishte rrahur dhe hedhur nga shkallët.
Kallëzimi i tij ka marrë kundërpërgjigje nga bashkëshortja, e cila po ashtu ka pretenduar në Komisariatin nr.3 në Tiranë se ishte rrahur nga i shoqi.
Sipas saj, ai e kishte qëlluar me grusht në fytyrë. Protagonistët e ngjarjes G.K. dhe E.K., aktualisht të divorcuar, janë dërguar si të pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “dhunës në familje”.
Në një përfundim të gjykimit që u mbyll pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, ata u shpallën të dy fajtorë dhe u dënuan me nga 2 muaj heqje lirie.
Ata nuk do të qëndrojnë në qeli, për shkak se gjykata vendosi pezullimin e dënimit të tyre me burg. Referuar vendimit të shpallur nga gjyqtari Arben Micko, i pandehuri G.K. do të qëndrojë në liri me kusht për një periudhë 18-mujore. Gjatë kësaj kohe, ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Ndërsa e pandehura E.K. duhet të kryejë 60 orë pune të papaguara për interes publik.
Konflikti me dhunë të ndërsjellë mes dy bashkëshortëve ndodhi pranë banesës së prindërve të gruas pasditen e 4 qershorit 2015, kohë gjatë së cilës çifti ishte në proces divorci.
Referuar vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit është siguruar nga gazeta, i pandehuri G.K. është goditur nga e shoqja e tij dhe më pas ka rënë nëpër shkallë.
Po ashtu, edhe vetë ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes duke e qëlluar në fytyrë. Bazuar në akt-ekspertimet e kryera një javë pas ngjarjes, tek e kallëzuesja E.K. nuk janë vënë re dëmtime të jashtme trupore.
Në të njëjtën ditë ekspertimi mjekoligjor i kryer ndaj kallëzuesit G.K. ka rezultuar se në anën e djathtë të qafës ai ka pasur disa gërvishtje. Sipas ekspertimit, dëmtimet ishin shkaktuar nga një mjeti i fortë mbrertës dhe hynte në kategorinë e dëmtimeve që shkaktojnë humbje aftësie të përkohshme për punë deri në nëntë ditë.
Gjykata ka administruar si provë edhe dëshminë e babait të shtetases E.K., si dhe të një fqinje të tij në pallat. Dëshmitari A.Ç. kishte pohuar se ishte kërcënuar dhe ofenduar nga dhëndri i tij, që i kishte thënë “jeni të çmendur”. Largimi i të pandehurit nga pallati duke bërtitur dhe ofenduar fqinjët e saj është konfirmuar edhe nga dëshmitarja Z.X. fqinje e familjes. /Panorama/
