Rraklli: Ndaj Francës për të marrë më shumë eksperiencë

redaktor

Shqipëria e futbollit do të ulë siparin për vitin 2015 me një përballje ndaj Francës. Do të jetë skuadra e femrave e drejtuar nga Altin Rraklli që të premten e 27 nëntorit do të luajë sfidën e tretë eliminatore të EURO 2017 e vlefshme për Grupin 3. Përballë do të jetë skuadra e cila në Botërorin e këtij viti në Kanada u eliminua nga Gjermania, duke u klasifikuar në vendin e 5-të të këtij kompeticioni.

Trajneri Altin Rraklli i njeh vështirësitë e këtij dueli, duke evidentuar se për momentin objektivi është një tjetër. “Po përgatitemi për ndeshjen e vështirë me Francën, që është një kundërshtar i nivelit të lartë. Ne duhet të marrim sa më shumë eksperiencë në këto sfida dhe të përfaqësojmë denjësisht flamurin. Franca ka futbolliste të nivelit të lartë, por ne kemi objektiva të tjera. Si institucion, FSHF synon që të masimizojë futbollin e femrave. Do të hyjmë në lojë për të marrë më të mirën”, tha tekniku i Kombëtares së femrave.

Një nga lojtaret më me eksperiencë në Kombëtaren e femrave është kapitenia Aurora Seranaj. E transferuar në Itali tek Katania, 33-vjeçarja shpreson që skuadra të shijojë ndeshje të tilla, ku përballë është një skuadër e cila ka në gjirin e vetë futbolliste që kanë luajtur në finalet e Champions League për femra, me Lion apo PSG. Ajo thotë: “Në Shqipëri është thyer tabuja për futbollin e femrave. Ne kemi si objektiv të luajmë mirë dhe të përfitojmë nga skuadrat që kemi përballë. Është një privilegj të luajmë ndaj këtyre ekipeve që dikur i shihnim në ekran”.

Shqipëri – Francë do të luhet të premten e 27 nëntorit në orën 21:00 teksa kjo është sfida e tretë në këtë fushatë eliminatore të Grupit 3 për ekipin tonë përfaqësues të femrave. Në dy ndeshjet e para skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli ka regjistruar 2 humbje, në shtëpi ndaj Greqisë me rezultatin 1-4 dhe në transfertë ndaj Rumanisë 3-0.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *