Qeveria shqiptare reagoi me një “deklaratë” ndaj heqjes së përmendores në Preshevë, e cila u botua sot, ndër të tjera, edhe në Faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave online.
Ashtu siç ka dalë në ueb, deklarata përmban të paktën një gabim drejtshkrimor në tekst:
Një deklaratë qeveritare, që botohet me një gabim të tillë elementar më tregon, për fat të keq, se institucioni – Këshilli i Ministrave, në rastin konkret – nuk ka respekt për veten.
Dhe jo ngaqë teksti përmban një gabim; por ngaqë kushdo që e mirëmban atë faqe, nuk e konsideron të rëndësishme që deklaratat qeveritare të botohen pa gabime.
Vetë teksti i deklaratës është i drunjtë, si i hartuar në vitet 1980: regjimi (i Milosheviçit) është barbar, akti është i rëndë, shkelja bëhet haptas, qeveria mbështet plotësisht dhe pa asnjë lëkundje, etj. Emrat dhe foljet tingëllojnë aq të dobëta, sa të ndiejnë rëndom nevojë për një mbiemër ose ndajfolje patericë, që t’ua mbajë në këmbë kuptimin.
Nuk mungon një retorikë hartimesh e llojit “heronj… që ranë për t’u bërë të pavdekshëm”, “të ndalin stuhinë e albanofobisë…” etj. Vetë koncepti i albanofobisë, i mbjellë në diskursin politik rishtas nga kryeministri Berisha, nuk ka vend në një deklaratë të tillë, sepse ka më shumë konotacion se denotacion; ndërsa shprehja stuhi e albanofobisë është pa kuptim; dhe as në një hartim të keq nuk do të mirëpritej.
Më tërhoqi pastaj vëmendjen edhe ky paragraf:
Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë.
Meqë nuk arrita dot të gjej referenca për “Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës”, po lejohem të supozoj se kushedi e kanë fjalën për Konventën kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare (Framework Convention for the Protection of National Minorities); sikurse nuk gjeta dot referenca as për “Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës”, veç në mos e paçin pasur fjalën për Kartën europiane të vetë-qeverisjes lokale (European Charter of Local Self Government), e cila është adoptuar nga Kongresi i Këshillit të Europës (ose, i njohur edhe si Kongresi i autoriteteve rajonale dhe lokale të Këshillit të Europës).
Kolegët mund të më korrigjojnë, por kam frikë se deklarata i ka quajtur këto dokumente gabim; dhe një deklaratë zyrtare, që u referohet dokumenteve tjetër për tjetër, nuk mund të merret seriozisht.
Ka edhe më – dokumentet që citohen në deklaratë konsistojnë në nene dhe paragrafe të numëruara; kushdo që e ka hartuar deklaratën në fjalë, do të bënte mirë të citonte nenin dhe paragrafin që kanë shkelur autoritetet serbe, kur kanë hequr përmendoren në Preshevë. Ashtu do t’i tregonin Europës dhe mbarë botës se, të paktën, i kanë lexuar këto dokumente dhe dinë se për çfarë po flasin.