Pasi kaloi vala fillestare e thashethemeve dhe konspiracionit lidhur me incidentin logjistik në intervistën ekskluzive të reperit të njohur demokrat Luli B, gazetari i ftofët dhe i paanshëm Çimka i Syut sqaron ekskluzivisht për Gojët e Liga gjithçka ndodhi, për të qetësuar fansat e lemerisur të kantautorit të njohur.
“Ishte një keqvendosje e lajmeve në raftin kryesor të studios sime televizive, ajo që shkaktoi rrëzimin,” tha Çimka. Sipas tij, raftet plot me lajme plumb të rënda, shumica e të cilave denoncime ekskluzive të qytetarit, policit, doganierit, infermierit, avokatit, gjykatësit digjital, nga nxitimi ishin vendosur shkel e shko.
“Stafi ynë është instruktuar që në mes të raftit të vihen lajmet më me peshë, për të shpërndarë ngarkesën. Këtu hyjnë edhe dosjet e prokurorisë që kolegu tjatër i paanshëm Basil Çomleku i shtie më dorë më shpejt se vetë prokurorët dhe pastaj shfaqen në mediat e huaja; anash nga e djathta është seksioni me lajmet e bukura, kryesisht rrëfimet ekskluzive të Arminduelës mbi punimet me grep dhe dantellat që i ka mësuar teto Lili. Nga e majta lajmet e shëmtuara, zjarret, dhunë në familje, aksidentet rrugore me përjashtim të përplasjeve me makinë të njerëve të shquar të medias etj,” detajoi Çimka ergonominë e rafteve.
“Është pak e shumë si renditja e produkteve në raftet e supermarketit. Është art me vete, nëse do që të shtosh klientelën,” tha gazetari i sprovuar i cili e ka nisur karrierën si kameraman dasmash part time dhe montator studiosh në Tv Tirana 3000, me emrin e artit Liberator Pufka.
Mirëpo, shtoi ai, “herë pas here punonjësve tanë të rinj ose u bie të fikët, ose harrojnë t’i shtrëngojnë deri në fund vidhat e objekteve të skenës. Kjo edhe nga emocionet, për shkak të njerëzve të shquar që kanë zënë rradhën për të hyrë në studion time”.
“Shkurt hesapi,” shtoi Çimka, “Sa më shumë vipa më vijnë në studio, aq më tepër aksidente të tilla ndodhin. Se stafit të shkretë i duket sikur u bie qielli mbi kokë, ngaqë nuk i besojnë syut. Kur të mos rrëzohet më asgjë, dijeni që emisioni im nuk i ka punët mirë”.
Dhe në fakt, kanë mbetur në fondin e artë të historisë mediatike shqiptare episodet kur në studion e Çimkës ra një etazher që plagosi tre të ftuar; ose kur një portmanto u rrëzua dhe i copëtoi gishtat e këmbës së djathtë politikanit të njohur demokrat Ubaldo de Umçis; apo kur një ekran ishte duke u plasur përtokë në mes të një interviste bombë me kryetarin e LSI-së, dhe vetë Çimka për të eklipsuar zhurmën e rënies, mori përsipër të bëjë një zhurmë akoma më të fortë personale duke u kollitur njëkohësisht nga lart dhe nga poshtë…
Gjithsesi, në ngjarjen e fundit që u transmetua edhe nga CNN në rubrikën “Vende dhe popuj”, u duk qartë sesi Çimka ruajti gjakftohtësinë si një komando i stërvitur në Donjetsk, duke e marrë menjëherë situatën në dorë.
“Okej, asgjë me rëndësi,” tha Çimka, duke e mbuluar me çarçaf që të mos dukej, operatorin e shtrirë që i kish rënë të fikët, “çfarë po thoje zoti Lul? Albumi juaj i fundit është bërë prej platini? Aaa, keni vënë tri dhëmballë prej platini… Ky po që do jetë një lajm i zhurmshëm”.
*****
SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike komplet pa shans, përballë gjenive të vërtetë të humorit si Çimka
