Jurgen Todenhöfer, gazetari i parë perëndimor që u lejua të hyjë në territorin e kontrolluar nga Shtetit Islamik në Siri tregon përvojën e tij prej 10 ditësh të kaluara me xhihadistët dhe shpjegon mjedisin që mbizotëron mes ekstremistëve ashtu si dhe metodat për të luftuar terrorizmin
Pas gjashtë muajve bisedash në Skype me lëvizjen xhihadiste të Shtetit Islamik, gazetari gjerman, Jurgen Todenhöfer u lejua të jetojë 10 ditë me terroristët dhe vizitoi Rakan, kryeqytetin e vetë-shpallur të “kalifatit”, raporton gazetari në një intervistë me Russia Today. Pasi kaloi disa ditë me milicët e ISIS, ai pati biseda të gjata me ta dhe pasi vëzhgoi jetën e tyre të përditshme, gazetari gjerman pohon se “atyre nuk u intereson nëse i quan terroristë”. “Rrugët e Rakas janë të mbushur me njerëz makina dhe biznesi në funksion. Jeta duket si normale”, thotë Todenhofer dhe shton se duhet pasur parasysh se islamikët kanë vrarë dhe dëbuar të gjithë shiitët dhe kristianët, prandaj të vetmit persona që jetojnë aty janë sunitët.
“Nëse bën një gabim, mund të vritesh”, deklaron Todenhofer, duke kujtuar njerëzit që janë dënuar me burg për krime si për shembull një vizitë tek e fejuara, apo përdorimi i pilulave për të fjetur, të cilat janë të ndaluara. “Njerëzit e dinë çfarë është e rrezikshme”, shtoi ai. Nuk ka shumë femra në rrugët e Rakas, janë të pakta dhe janë të mbuluara tërësisht me vello. Vetëm femra në moshë të madhe nuk duhet të mbajnë vello, kujton gazetari gjerman, “sepse nëse nuk janë më të bukura, u lejohet të tregojnë fytyrën”, shpjegoi ai. Todenhofer tregon se në territorin e terroristëve, njohu njerëz nga Kaukazi (Rusi), Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Gjatë vizitës së tij, gazetari pati përshtypjen se të gjithë myslimanët që iu bashkuan ISIS nuk ishin të rëndësishëm në vendin e tyre, që nuk pranoheshin aty dhe se konsideroheshin si qytetarë të dorës së dytë.
“U thuhet se në Shtetin Islamik do të marrin pjesë në një luftë historike, një luftë finale mes të mirës dhe të keqes”, vijon ai. “Këta të rinj që nuk ishin të rëndësishëm në vendet e tyre do të jenë shumë të rëndësishëm këtu. Dhe për herë të parë në jetën e tyre, dikush u thotë se janë të rëndësishëm”, thekson gazetari.
Ekstremistët i sigurojnë të rinjtë se do të bëhen yje dhe heronj të vërtetë, që do të kenë një armë kallashnikov dhe do të luftojnë kundër amerikanëve.“U nënshtrohen një lavazhi truri, natyrisht. Është një kombinim shumë i suksesshëm i fanatizmit dhe të një stërvitjeje ushtarake shumë inteligjente që e marrin nga ish oficerët e Sadam Huseinit”, pohon Todenhofer dhe shton: “Ata mendojnë se luajnë një rol të rëndësishëm”. Për të rinjtë evropianë që i bashkohen Shtetit Islamik, rruga e kthimit është e mbyllur, pasi ata që duan të kthehen në shtëpitë e tyre konsiderohen si tradhtarë që duhen vrarë.
Për më tepër ata që besonin se do të luftonin kundër trupave amerikane dhe britanike kanë kuptuar se në të vërtetë po vrasin myslimanë të pafajshëm. Në të njëjtën kohë gazetari beson se terroristët i vrasin pengjet si gazetarët amerikanë të pafajshëm për të mbjellë frikë dhe për të provokuar që Uashingtoni të dërgojë trupa këmbësore në fushën e betejës në Siri, sepse duan të luftojnë kundër amerikanëve. “Mendoj se tani do t’u pëlqente të luftonin edhe kundër trupave këmbësore ruse, duke qenë se duan të luftojnë kundër njerëzve të pushtetshëm”, shpreh ai. Natyrisht milicët nuk i kanë thënë gjithçka gazetarit, por Todenhofer pati përshtypjen se Shtetit Islamik vazhdon të marrë para dhe armë nga monarkitë e gjirit si Arabia Saudite.
Armët blihen në tregun e zi, aty ku armët e fabrikuara në Europë janë të diponueshme për të furnizuar luftëtarët kurdë Peshmerga, apo Ushtrisë së Lirë Siriane, thotë ai. Xhihadistët i thanë gazetarit se “edhe nëse nuk i gjejmë armët, mund t’i blejmë sepse gjithçka ka një çmim. Pjesën më e madhe e municioneve tona i marrim nga Ushtria e Lirë siriane”. Terroristët përdorin taktika lufte të guerrilasve, prandaj bombardimi i tyre është një detyrë e vështirë, duke qenë se përhapen kur rreziku afrohet, paralajmëron gazetari. “Unë nuk mund të gjykoj ushtrinë ruse, por mund të gjykoj ushtrinë perëndimore.
Marina amerikane dhe forcat speciale nuk kanë asnjë mundësi në luftën kundër guerrilasve sepse këta milicë janë të gatshëm të vdesin, ndërsa Marina e SHBA-së nuk do të vdesë”, thekson Todenhofer. Për t’i krijuar probleme reale Shtetit Islamik, Perëndimi duhet të bëjë disa gjëra: të ndalojë dorëzimin e armëve, municione dhe parave nga monarkitë e Gjirit dhe të mbyll kufirin turk të përdorur për transitin e milicëve të rinj të ISIS, zbulon Todenhofer, duke kujtuar se sa e lehtë ishte për të, që të kalonte kufirin siriano-turk. Faktori i tretë i rëndësishëm i theksuar nga gazetari është promovimi i pajtimit mes shiitëve dhe sunitëve në Irak, Siri dhe Turqi, duke qenë se terroristët gjejnë mbështetje mes të pakënaqurve me qeveritë. “Lufta kundër Shtetit Islamik ka nevojë për një strategji inteligjente”, e mbyll Todenhofer./DITA
