Më 9 Shkurt, dy vajza nigeriane u futën në një kamp ku qëndonin persona të shpërngulur, në verilindje të vendit. Pak minuta më vonë, ato aktivizuan xhaketat e tyre shpërthyese duke vrarë 58 persona. Një vajzë e tretë refuzoi të ishtë pjesë e misionit vetëvrasës për grupin islamik Boko Haram. Kjo është historia e saj, e përcjellë nga gazetarja Anne Soy, e BBC.
Hauwa, jo emri i vërtetë, nuk e di moshën e saj, por duket 17 ose 18 vjeç.
Ajo mbahej peng nga Boko Haram prej më shumë se një viti, derisa ata vendosën që e reja të ishte pjesë e misionit për të sulmuar kampin Dikwa.
Si shpërblim për misionin e tyre, vajzave u tha se do të shkonin në parajsë.
Por Hauwa e dinte se do t’i duhej t’i kundërshtonte terroristët.

“Thashë jo, fillimisht pasi nëna ime po qëndronte në kampin Dikwa. Nuk do të shkoj të vras njerëz atje. Do të zgjidhja të shkoja të qëndroja me familjen time, edhe nëse do të vdisja bashkë me ta”, rrëfen ajo për gazetaren e BBC.
Pridërit dhe motrat e saj, përveç njërit prej vëllezërve që u kap bashkë me të, po qëndronin në kampin Dikwa, në shtetin e Bornos, sëbashku me 50 mijë persona të tjerë që u detyruan të linin shtëpitë e tyre.
Hauwa shpjegon sesi u gënjye që t’i bashkohej grupit ekstremist.
“Kisha probleme shpirtërore dhe Boko Haram më thanë se mund të më ndihmonin”, deklaron ajo.
Nuk është qartë se nga çfarë problemesh vuante Hauwa, por të ashtuquajturit “shpirtrat e këqinj” e detyruan atë që t’i bashkohej këtij grupi.
Cilado të ishte arsyeja, ajo pa shpëtim tek Boko Haram, me shpresën se do t’i jepnin zgjidhje problemeve të saj dhe këta të fundit e pranuan në gjirin e tyre.
“Jetonim në shtëpi prej kashte. Kur im shoq ishte rreth e rrotull, gatuaja 3 herë në ditë. Burrat vidhnin mish dhe na e sillnin për ta gatuar ne”, rrëfen ajo.

Pak kohë më vonë, Hauwa u nda nga bashkëshorti dhe më pas u martua sërish.
Kur bashkëshorti i dytë u largua dhe e reja nuk pranoi të martohej për herë të tretë, grupi i sugjeroi planin e tij.
“Ata thanë se, duke qenë se pranova të rimartohem, duhet të marr bombën”, thotë Hauwa.
Kampi Dikwa, i ngritur për personat e shpërngulur nga banesat e tyre, ishte rreth 85 kilometra në verilindje të Maiduguri, kryeqendra e Bornos dhe vendlindja e Boko Haram.
Hauwa e njihte mirë si zonë dhe nuk ishte shumë larg nga vendi ku mbahej nga militantët, ndaj një natë përpara sulmit, ajo u largua fshehurazi në mëngjes herët.
Plani i saj ishte që të lajmëronte familjarët dhe të tjerët, që po qëndronin në Dikwa për sulmin.
Por ajo mbërriti shumë vonë.
Në kohën që ai ia doli të shkonte në kamp, dy vajzat kamikaze ishin vetëhedhur në erë.

Një dëshmitare në vendin e ngjarjes, Falmata Mohammed, për BBC kujton momentet pak përpara sulmin.
“Një ushtar po përpiqej të na vinte në rresht, kur vura re një grua me një shami të kuqe dhe flokë të gjatë”.
Falmata tregon se, sapo njerëzit kishin nisur të shpërndaheshin drejt rrugës, vajza nisi të bërtiste “Wayyo”, duke thënë se kishte dhimbje në stomak… Njerëzit vrapuan që ta ndihmonin dhe pikërisht në këtë moment, ajo shpërtheu bombën.
Vetë Hauwa nuk e pa sulmin, por asaj iu treguan video nga hetuesit.
“Nuk ishte një gjë e këndshme për t’u parë. Nuk do të kisha qenë e aftë të mbaja një bombë në trup dhe të shkoja të vrisja qënie njerëzore”, shprehet ajo, ndërsa shton se, nuk e di nëse vajzat e tjera e dinin që do të vdisnin kur pranuan misionin.

Sipas BBC, prindërit, në këtë pjesë të Nigerisë, janë tepër të frikësuar nga Boko Haram.
Grupi është i përgatitur jo vetëm që t’ia rrëmbejë fëmijët e tyre, por t’i dërgojë ata mbrapsht si vrasës, në të njëjtin vend ku u është ofruar strehim.
Ky është i njëjti shtet ku Boko Haram, grabiti më shumë se 200 nxënëse shkolle nga qyteti i Chibok, në Prill të 2014 – ës. Pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë të jenë të zhdukura.
Hauwa zgjodhi ta sfidojë grupin dhe të largohet, duke shpëtuar jetën e saj dhe shumë të tjerëve që do të kishin qenë viktimat e saj.

*Boko Haram u themelua në 2002 dhe fillimisht në fokus të grupit ishte kundërshtimi i stilit perëndimor të edukimit. Boko Haram do të thotë “Edukimi Perëndimor është i ndaluar”.
Në 2009, nisi operacionet ushtarake.
Mijëra persona të vrarë, kryesisht në verilindje të Nigerisë, qindra të marrë peng, përshirë 200 nxënëse.
Iu bashkua të ashtuquajturit Shteti Islamik, tashmë e quajnë veten IS (Provinca Veriore e Afrikës)
Grupi ka pushtuar një pjesë të madhë të verilindjes, ku kanë shpallur kalifatin. /tvklan
