Skënderbeu e nisi me fitore kampionatin, duke mposhtur një rival të drejpërdrejtë si Kukësi.
Kampionët e Shqipërisë edhe pse kanë qenë të impenjuar maksimalisht në Kupat e Europës, treguan se titulli kampion mbetet prioritet për ta.
Presidenti Ardian Takaj, në një prononcim të gjatë për gazetarin Dritan Shakohoxha, theksoi se ecuria e Skënderbeut në Champions ia ka rritur prestigjin futbollit shqiptar.
“Ka qenë një verë shumë e lodhshme për ne, por e sukseshshme. Paraqitjet e Skënderbeut në Champions kanë rritur jo vetëm prestigjin e skuadrës por edhe të gjithë futbollit shqiptar.
Futbollistët tanë kanë pushuar vetëm 10 ditë dhe në njëfarë mënyrë ka qenë si një kampionat i pandërprerë për ne.”
Numri një i klubit korcar zbulon se ka një strategji të qartë për të ardhmen, duke marrë shembull skuadra të tilla si Dinamo e Zagrebit, që cdo vit arrin të arkëtojë shumë të majme nga shitja e futbollistëve cilësorë.
“Ne po ndërtojmë një strategji të re. Përvec ndërtimit të një akademie që do të prodhojë lojtarë të rinj po formojmë edhe Skënderbeun B. Duhet të marrim shembull klube si Dinamo e Zagrebit që përfiton nga shitja e futbollistëve cilësore.
Vlera e disa futbollistëve të Skënderbeut shkon nga 700 mijë deri 1 milionë euro. Jemi nië bisedime me klube europiane por nuk mund të flas me emra konkretë. Deri në janar nuk iken asnjë lojtar sepse na duhen për Europa Leaguen.”
Duke iu kthyer shortit të fazës së grupeve të Europa League, Takaj tha ky kompeticion do të jetë vitrinë për talentet e Skënderbeut.
“Nëse na ka mbetur ndonjë peng, ëshët fakti që nuk na ra në grup një emër i madh, që do të na vlente për prestigj. Në Europa League do t’u jepet me shumë hapësira futbollistëve të rinj që kërkojnë të spikatin në futbollin europian.”
Përsa i përket të ardhmes së Salihit, Takaj u shpreh se i përket vetë shkodranit të vendosë nëse do të rikthehet te Skendërbeu.
“Unë do të bëjë gjithcka për ta mbajtur Salihin, por për të ardhmen ai vendos vetë. Dua ta falenderoj për kontributin e madh që dha te Skenderbeu dhe shpresoj të rikthehet tek ne.”
Në fund një batutë e Takajt për garën për titull dhe kolgeun e tij Safet Gjici.
“Vendi i dytë në kampionat do të jetë për Gjicin, sepse ai ka treguar se di t’i mbajë pas rivalët e tjerë.”
