Shoqëritë e sigurimit mund të transferojnë disa funksione tek të tretët. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi një rregullore me të cilën lejohet delegimi i disa funksioneve të veprimtarisë së shoqërisë së sigurimit te një person juridik nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate.
Funksionet që mund të delegohen nga shoqëria e sigurimit tek një person tjetër konsistojnë në; trajtimin dhe vlerësimin i dëmeve; shërbimet aktuariale; shërbimet e promovimit dhe marketingut; shërbimet e IT-së; mbajtja e kontabilitetit; administrimi i aktiveve në mbulim të provigjoneve teknike dhe matematike.
Rregullorja thotë se, personi i deleguar, të cilit do t’i delegohen funksionet e shoqërisë së sigurimit, duhet të jetë i aftë dhe i përshtatshëm për të kryer këto funksione, njësoj sikur ato të kryheshin nga shoqëria e sigurimit.
Funksionet e deleguara duhet të ushtrohen në mënyrë të tillë që të mos rrezikohet aftësia, stabiliteti, vazhdimësia dhe cilësia e veprimtarisë së shoqërisë së sigurimit.
Shoqëria e sigurimit gjatë delegimit të një prej funksioneve të deleguara, garanton që përzgjedhja e personit të deleguar nuk cënon rezultatet financiare dhe stabilitetin e shoqërisë dhe vazhdimësinë e aktiviteteve të saj; nuk cënon cilësinë e administrimit dhe vendim marrjes së shoqërisë së sigurimit; nuk cënon aftësinë e shoqërisë për t’ju ofruar të siguruarve një shërbim të vazhdueshëm dhe nuk krijon një rritje të pajustifikuar të rreziqeve operacionale. /Dita/
