Punonjësit e Policisë së Shtetit, Policisë së Burgjeve, Shërbimit Informativ të Shtetit kanë detyrimin e mbajtjes së armës së tyre individuale gjatë orëve të shërbimit. Ata kanë të drejtë ta mbajnë armën e tyre individuale jashtë orëve të shërbimit për ta përdorur atë në rast se është e nevojshme në kuadrin e kryerjes së detyrës së tyre. Në të gjitha rastet, personat që mbajnë armë, kanë detyrimin ta ruajnë atë dhe të kujdesen për mirëmbajtjen e duhur të armës individuale.
DITA mëson se punonjësit e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike dhe subjektet e tjera juridike/fizike, që pajisen me armë zjarri sipas ligjit, e mbajnë armën e zjarrit vetëm gjatë kohës së punës/shërbimit.
Arma e brezit (pistoleta) mbahet në këllëf të mbyllur që të mos dalë prej tij në mënyrë të pavullnetshme, në siguresë, pa fishekë në folenë e fishekut. Punonjësi i policisë, që kryen funksionin e kontrolluesit, nuk duhet të ndërhyjë kurrë ndaj personit duke pasur armën në duar. Arma e zjarrit nuk përdoret për të frikësuar personat ndaj të cilëve ndërhyhet apo për të ndaluar automjetet.
Në rregulloren e re është përcaktuar që të ruhet e fshehtë plagosja e punonjësit të policisë nga mediat deri sa të lajmërohet familja.
“Nëse përdoruesi i armës së zjarrit është plagosur gjatë incidentit, eprori merr masat e mëposhtme: Urdhëron një punonjës tjetër ta shoqërojë dhe të qëndrojë me personin e plagosur në spital. Kujdeset për njoftimin e familjes së personit të plagosur, si dhe merr masa për shoqërimin e tyre për në spital apo ndonjë vend tjetër ku duhet të jenë sa më parë që të jetë e mundur. Merr masa që të mos bëhet i njohur për median apo për persona të paautorizuar emri i personit të plagosur para se të njoftohet familja e tij”, thuhet në rregulloren e re të përdorimit të armëve.
Nëse përdoruesi i armës se zjarrit nuk është plagosur, atëherë do të merren masa për largimin e tij nga vendi i ngjarjes, i shoqëruar me një punonjës policie si dhe do të merren të gjitha masat e domosdoshme për trajtimin e gjendjes traumatike të përdoruesit të armës së zjarrit pas përdorimit të saj.
