“Vrasja e një njeriu është tragjedi. Shumë vrasje janë thjesht statistikë”. Shprehje shumë e njohur, por që mund të përshkruajë shumë mirë ditën e premte, 26 prill, në vendin tonë. Mëngjesi filloi hidhur me mediat që njoftuan vrasjen e një të riu vetëm 28 vjeç. Person i njohur nga policia. Më pas një kryefamiljar i vrarë në Lezhë e më tutje një 18-vjeçare e vrarë për çështje pronash nga i afërmi i vet. Aq më keq, ky i fundit, një punonjës i forcave të policisë. Që u vetëdorëzua pas vrasjes. Por sa vlerë ka? U vra një njeri. Për më tepër një femër. Dhe sigurisht që kanuni nuk ka lidhje në këtë mes (sepse kanuni s’e njeh vrasjen e femrës).
E megjithatë dita s’u mbyll me kaq. Vijoi me grabitjen e një kazinoje në Tiranë e më tej një rrëmbim i një vajze në Fier. E për të mos marrë fund të këqijat, një pengmarrje në Durrës. Një taksist që lidhet në apartamentin e vet, dhunohet dhe autori largohet me makinën e tij. Më e keqja? Autori i dyshuar ishte i sapodalë nga burgu dhe i dënuar më parë për grabitje me dhunë.
Por dita e djeshme pati dhe më shumë. E gjithsesi sa ia vlejnë të përmenden të gjitha ngjarjet me radhë? Mund të shënohet si një “e premte e zezë”. Por një e premte ku s’ishte as faj i natyrës dhe as i Zotit. Një e premte që tregoi se krimi tashmë nuk ka më frikë. Sa ia vlen t’ia përmendim vetes këtë gjë, ndërkohë që çdo ditë e më tepër dëgjojmë daljen jashtë kontrollit të krimit?
Nesër është e shtunë. Le të shpresojmë që kriminelët ta bëjnë pushim. Thjesht që një ditë veshët mos të na dëgjojnë gjëra të tmerrshme. Sepse kur krimi kthehet në përditshmëri, pastaj edhe ndjenjat njerëzore marrin fund. Apo ndoshta ky është qëllimi i këtij shteti? Ta kthejë krimin në një përditshmëri ku askujt nuk i bën më përshtypje se sa u vranë, sa u grabitën dhe që në fund të ditës t’i thonë njëri-tjetrit: “E çka të jashtëzakonshme këtu?”
Sepse tashmë krimi është thjesht statistikë. Tragjedi është vdekja e njeriut si i tillë.
Qëllohet për vdekje 28-vjeçari, dyshohet hakmarrja
Është qëlluar për vdekje ndërsa kthehej në shtëpi, ndërsa policia shoqëroi dy persona si të dyshuar për ngjarjen. 28-vjeçari Adrian Levanti u vra në zonën e Unazës së Re në Tiranë, ndërsa policia ka dyshime te forta se shkaku i ekzekutimit të tij është për hakmarrje.
Mësohet se viktima ishte personazh i njohur nga policia e kryeqytetit, ndërkohë që më parë është përplasur me to dhe ka qenë nën akuzë për kundërshtim të forcave të rendit. Levanti jetonte në katin e dytë të një pallati, por është qëlluar në katin e shtatë, gjë që ka çuar në dyshimet se autorët e kanë ndjekur me vrap.
Sipas ekspertëve, ai është qëlluar shtatë herë me pistoletë, ndërkohë që ka dyshime se vrasja e tij ka lidhje me një ngjarje të ngjashme disa javë më parë.
Mësohet se një muaj më parë vëllai i viktimës ka plagosur me thikë shtetasin Zef Gjini, ndërkohë që gjykata ka vendosur për të masën “detyrim paraqitjeje”. Si rrjedhojë, policia ka shoqëruar vëllanë e tij, Pjetër Gjini. Gjithsesi, sipas policisë, Levanti ka qenë i dënuar më parë me pesë muaj heqje lirie për goditje dhe kundërshtim të forcave të rendit, ndërkohë është akuzuar edhe për vjedhej të kryer në bashkëpunim.
Mashtronin njerëzit duke u premtuar shtëpi, prangosen
Kishin mashtruar njerëz të ndryshëm duke u marrë jo pak por një shumë prej 220 mijë eurosh dhe duke u premtuar shtëpi në Tiranë. Policia e Korçës, në kuadër të operacionit “Ndërtuesi” ka vënë në pranga mbrëmjen e së enjtes shtetasin Alti Uruçi, 31 vjeç, banor i Lushnjës. Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi Stefanaq Çuro, 41 vjeç, dhe po hetohet në gjendje të lirë babai i këtij të fundit, Fori Çuro, 80 vjeç, të dy banues në Zhepë të Përmetit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Korçës, pas një pune njëmujore me metoda speciale hetimi, rezultoi se këta shtetas prezantoheshin si ndërtues pallatesh dhe deri me datën 25 prill, kanë mashtruar duke u marrë shumën prej 220 000 eurosh shtetasve Jorgji Kristo Jorgji, 58 vjeç, banues në fshatin Gozhdorazhdë, Leskovik, si dhe shtetasit Sotiraq Llazo Vangjeli, 51 vjeç, banues në fshatin Zhepë, Përmet, duke u premtuar se do t’u jepnin shtëpi banimi dhe dyqane në Tiranë. Nga hetimet rezulton se shtetasi Altin Uruçi prezantohej me emra të ndryshëm të rremë, si: Rahman, Aldo, Viron dhe Andrea. Nga policia u bë sekuestrimi i mjetit “Opel Astra” me targa AA 999 GF, në pronësi të Altin Uruçit, si dhe 4 aparatë celularë. Akuza e ngritur ndaj të tre shtetasve është “Mashtrim” e kryer në bashkëpunim.
Polici vret të kushërirën 18-vjeçare, shkak pronësia
Është ekzekutuar me armë zjarri një vajzë 18-vjeçare në fshatin Lekbibaj të rrethit të Tropojës, ndërsa si autor dyshohet të jetë kushëriri i saj, punonjës i policisë. Burimet zyrtare të policisë së Kukësit bënë të ditur se Gjyste Paplekaj që u vra nga punonjësi i policisë, me armën e shërbimit, ka qenë kushërirë e tij dhe deri tani nuk ka asnjë motiv bindës për veprën që ka kryer 55-vjeçari Fran Paplekaj”.
Në një dalje për mediat, zëdhënësi i policisë bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së të resë, e cila është fare pranë me atë të autorit të krimit dhe se dyshohet që ngjarja ka ndodhur për motive pronësie.
Megjithatë, ndonëse është ngritur një grup i posaçëm hetimor, deri tani nuk është zbardhur asnjë detaj lidhur me skenën e vrasjes dhe nuk dihet nëse ka pasur ndonjë konflikt të çastit apo nëse ka pasur dëshmitarë për ngjarjen e ndodhur.
Ekzekutimi i së resë ndodhi të premten rreth orës 10:15, në fshatin Lekbibaj Tropojë, kur 55-vjeçari Fran Paplekaj vrau me armën e shërbimit 18-vjeçare, kushëri e tij. Paplekaj, punonjës patrulle policie në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në detyrë. Autori i ngarjes është vetëdorëzuar, ku në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e krimit.
Rrëmben adoleshenten, vihet në pranga i riu
Një 23-vjeçar ka përfunduar në pranga paraditen e së premtes në Fier, ndërsa akuzohet për heqje të paligjshme të lirisë dhe përndjekjes”. Burimet nga policia bëjnë të ditur se i arrestuari është shtetasi Elis Dine, i cili rezulton që të ketë rrëmbyer një vajzë 18-vjeçare.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit, kohë në të cilën vajza mësohet se ishte duke shkuar në shkollë. Nga të dhënat e para, rezulton se policia ka marrë informacion se një vajzë në një mjet, bërtiste duke kërkuar ndihmë. Shtetas të ndryshëm që kanë parë një gjë të tillë, kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit, pasi ka marrë koordinantat, ka shkuar në drejtim të Semanit dhe ka gjetur djalin dhe vajzën.
Mësohet se vajza ishte në vitin e tretë në një shkollë të mesme të Fierit. Të dy të rinjtë janë shoqëruar në komisariat, ku djali mësohet të ketë pretenduar se 18-vjeçarja ishte e dashura e tij dhe se ajo kishte hipur me dëshirë në makinë. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga adoleshentja e cila nuk ka pranuar të jetë e dashura e Dines.
Mbas disa orësh hetimesh dhe marrjesh në pyetje, policia ka arrestuar djalin 23-vjeçar në dhomat e paraburgimit të Fierit. Ndërkohë mësohet se i arrestuari nuk ka ushtruar dhunë mbi vajzën.
Vritet në oborrin e shtëpisë, mister shkaqet
Një shtetas humbi jetën mëngjesin e ditës së premte, ndërsa është qëlluar me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së vet, në fshatin Torovicë, pranë qytetit të Lezhës.
Policia e Shtetit bëri të ditur identitetin e viktimës, duke u shprehur se bëhej fjalë për 65-vjeçarin Marash Kolndreu. Mësohet se i ndjeri, pas plagëve të marra u shoqërua me urgjencë në spitalin rajonal, por nuk mundi të mbijetonte.
Nga të dhënat e para rezulton se janë ende të paqarta motivet që çuan në këtë vrasje. Mësohet vetëm se Kolndreut i ishte ngritur një pritë në dalje të shtëpisë dhe është qëlluar për vdekje nga një ose disa persona ende të paidentifikuar.
Policia ka nisur hetimet në vendngjarje, duke marrë nën shqyrtim së pari konfliktet që mund të ketë pasur Kolndreu me banorë të tjerë të Torovicës, gjithsesi deri në orët e vona të mbrëmjes, ende nuk bëhej e ditur për ndonjë konflikt të mëparshëm të viktimës.
Taksisti dhunohet, i pritet veshi dhe i grabitet makina
Një grabitje e dhunshme ndodhi dje në qytetin e Durrësit. Ngjarja e rëndë u regjistrua nga shërbimet e policisë rreth orës 15:30. Fqinjët e një shoferi që punonte taksist kanë konstatuar se ka ngjarë diçka e rëndë në një banesë dhe pasi kanë lajmëruar policinë e kanë marrë viktimen që ishte sulmuar dhe rrahur me mjete të forta dhe e kanë nisur drejt spitalit të Durrësit. Një mjet hekur i ka prerë veshin pasi ishte goditur barbarisht.
Viktima, sipas policisë, ishte taksisti 30-vjeçar Isa Xhumani, banues në lagjen nr.14 të Durrësit. Pas rrahjes atij i kanë marrë edhe makinën me të cilën shërbente si taksist. Burime nga policia bënë të ditur se shoferi është mbajtur peng rreth një orë, ndërsa është keqtrajtuar. Më pas i është mbyllur goja me ngjitës dhe është mbështjellë i gjithi me një qilim që të mos gjendej shpesh.
Zhurma që ka pasuar dramën e përgjakshme ka tërhequr vëmendjen e fqinjëve që kanë hapur portën e banesës dhe kanë gjetur viktimën në katin e dytë. Policia deklaroi se ka rezultuar që Xhumani i është prerë veshi, ndërkohë që kishte plagë të rënda në trup e gjymtyrë. Gjithashtu është konstatuar se autori i dyshuar, Sabri Veterniku, kishte precedentë të mëparshëm dhe kishte qenë i dënuar për vjedhje me dhunë.
Dyshohet se autori dhe viktima kishin qenë shokë dhe se dy ditë më parë Veterniku i ka kërkuar Xhumanit ta çonte diku, por duke dyshuar se mund të bëhej fjalë për kryerjen e ndonjë krimi, taksisti nuk ka pranuar. Si rrjedhojë, Veterniku i ka thënë ta priste në banesë pasi do të merrnin gjyshen e tij të sëmurë dhe ta çonin në spital. Por ndërsa e ka dhunuar barbarisht, Veterniku është larguar me makinën e 30-vjeçarit. Xhumani është gjetur disa orë më pas nga fqinjët që kanë njoftuar policinë.
Sipas bluve, Xhumani është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të qytetit për t’u mjekuar nga plagët e marra dhe tashmë ndodhet në reanimacion, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se mes dy shtetasve ka pasur edhe përplasje fizike. Policia e Durrësit po punon për prangosjen e Veternikut mbi të cilin rëndojnë disa akuza. Ndërkohë policia edhe për shkaqe hetimore nuk ka sqaruar nëse udhëtimi i refuzuar ka pasur lidhje me ndonjë aferë kriminale të grabitësit, por dyshimet ekzistojnë.
Ngushellime familjes se viktimes. Por kur ndodh vetem nje vrasje ne dite ne Shqiperine e qeverisur nga shpellaret,mund te thuhet qe paska qene dite e mire.
Shikojini ne fotografi sa te dhjamusur dhe me kostume te “lira” te blere te gabi, ecin te krekosur si gjela. Keta do bejne rend dhe do t’u japin dinjitet shqipetarve. Gel kokoshi i pare eshte Muli, qe po ti ndryshosh nje germe emerit, ashtu e ka bere Ministrine, nga pas rrine gjelat e fryre, ” kokevogli ” Poni, Ri- te-stani i Sales per te vjedhur vota sic beri ne KQZ, i kudo ndodhuri me zerin “bariton” serviresi i genjeshtrave Olli e keshtu me rradhe. Sali Ver Palla ka kohe dhe Zhozi e parlamenti te merren me veshin e diplomatit te kar i eres Ceka dhe nuk nuk ka dhe nuk gjen asnjehere kohe per tu marre me vrasjet dhe dhunimin e popullit te thjeshte e hallexhi. Ky ” shtet ” ka marre formen e nje sulltanati, me sulltan Djali i Sheqeres, Sali Ver Palla qe vetem hidherime i dha ketij populli.