Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dënimin me 150 vite burgim të 7 anëtarëve të grupit të dyshuar për rrëmbimin dhe torturimin e 4 personave në Lazarat, pasi i akuzonin se u kishin vjedhur hashashin në tokat e tyre. Të akuzuar janë Kasëm Buzheri, 31 vjeç, në arrati, Bledar Muho, 32 vjeç, në arrati, Alfons Buzheri, 26 vjeç, në arrati, Aleksandër Kalemi, 22 vjeç, Arbër Meçi, 28 vjeç,
Bako Buzheri, 27 vjeç, Vullnet Buci, të gjithë në arrati dhe me masë sigurie “arrest në burg” për rrëmbim dhe torturim personi. Prokuroria kishte nisur hetimet në datën 6 mars 2012 për ngjarjen dhe kërkoi arrestimin e të dyshuarve nga Gjirokastra dhe dorëzoi dosjen për gjykim në mungesë ndaj tyre. Denoncuesit Ergest Shele, Velo Shele, alias Kosta Agora, dhe Ergys Goxhaj, me cilësinë e të dëmtuarve, dëshmuan se më 4 mars 2012 janë rrëmbyer dhe keqtrajtuar fizikisht nga të pandehurit, pasi ata dyshonin se të dëmtuarit kishin vjedhur lëndën narkotike të llojit hashash që kishin në pronësi, të pandehurit. Vëllezërit Shele jetojnë në Përmet, por Kalemi i ka thirrur në Gjirokastër për takim. Janë takuar në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, ku të tre janë takuar me Aleksandër Kalemin, i cili ishte me një makinë tip “Ford” me xhama të zinj. Më tej kanë shkuar në lokal “Fantazia”, te Qafa e Pazarit’ në Gjirokastër, ku kanë qëndruar rreth 15 minuta dhe me makinën e të pandehurit Aleksandër Kalemi kanë shkuar në drejtim të shkollës “Naim Frashëri”. Kur po zbriznin janë ndaluar nga një furgon me ngjyrë të bardhë me targa amerikane, që drejtohej nga i pandehuri Arbër Meçi. Në këtë kohë nga furgoni kanë dalë të pandehurit Bledar Muho dhe Kasëm Buzheri, të cilët janë drejtuar vëllezërve Ergest dhe Kosta me fjalët: “Mos lëvizni!”. Kasëm Buzheri e ka goditur me pistoletë në kokë të dëmtuarin Ergest Shele duke i thënë: “Më njeh mua…ju që donit të më vidhnit mallin mua”. Më tej i kanë rrahur dhe dërguar në fshatin Lazarat, në një shtëpi të braktisur, duke i torturuar për disa orë që të tregonin për drogën e vjedhur. Vëllezërit Shele janë lidhur me tela dhe goditur me radhë. Kanë mbajtur Ergest Shelen për ta detyruar që të pranonte se “mallin e kishte vjedhur bashkë me Resul Goxhaj dhe Alban Rustemin”. Për shkak të dhunës i dëmtuari ka pranuar autorësinë me Resul Goxhajn, që edhe ky është detyruar të pranojë për shkak të torturave. Pasi janë liruar, të dëmtuarit denoncuan rrëmbimin dhe keqtrajtimin, duke rrëfyer ngjarjen. Të dëmtuarit kanë rrëfyer se i torturuan edhe me rrymë elektrike, ndërsa iu bë presion për tërheqje denoncimi. Prokuroria kërkoi dënimet e Kasëm Buzherit me 22 vjet burg, Bledar Muhos, Alfons Buzherit, po me këtë masë, Aleksandër Kalemit, me 20 vjet burg, Arbër Meçit, me 22 vjet, Bako Buzheri dhe Vullnet Buci, me nga 21 vjet burgim.
Pretenca e Prokurorisë:
Kasëm Buzherit, 22 vjet burg
Bledar Muho, 22 vjet
Alfons Buzheri, 22 vjet
Aleksandër Kalemi, 20 vjet
Arbër Meçi, 22 vjet
Bako Buzheri, 21 vjet
Vullnet Buci, 21 vjet burgim
