Udhëton drejt Gjirokastrës. Pasi lë majtas “Urën e Leklit”, sytë të shkojnë më tej, në horizont, majë një kodre si me “hundë prej balte të kuqe”: aty shtrihet fshati Hundëkuq, sot me rreth 30 shtëpi. Fshat i rrethuar me një mozaik ngjyrash: në pranverë gjelbëron bari i njomë, lulet vjollcë manushaqe, trëndelina e faqes së Golikut, lulekuqet e lofatës, të bardhat lule të kumbullës, luleverdhat e thanës, manxurana në dritaret e shtëpisë. Dhe kryesorja, Hundëkuqi me banorë të dashur, fisnikë, të zgjuar, me duar punëtori, me shpirt bujari, me zemër patrioti, që i kanë dhënë Atdheut 4 Dëshmorë, 13 partizanë, në rrugën luftarake të të cilëve ecin breza të rinj, vazhdues të denjë të paraardhësve të tyre. Një nga këta filizë është edhe Doktori i shkencave, Fane Kozma Tarifa, i cili kohët e fundit ka botuar librin”Mozaikë nga lashtësia”.
Një libër dinjitoz. I çmuar. I pasur. Me përvojë. Me ide të ngjeshura. Me bosht qendror njohjen dhe trashëgiminë brez pas brezi të thesarit të kulturës popullore. Brezat janë vazhdim i njëri-tjetrit, zëvendësojnë sho-shoqin. Me kryefjalë Nderim të parëve tanë! Janë ata, pa jemi ne. Libër ku shtjellohen rrënjë të fiseve të fshatit, kultura, tradita e zakone të kohës. Ku vizatohen portrete njerëzish, ku gdhenden karaktere e tipa të tyre.
Sa fillon të shfletosh faqe të këtij libri, të del përpara një pyetje e thjeshtë, e natyrshme: cilido e ka vështirë të gjejë rrënjët e fisit të vet, jo më të një fshati të tërë, si është e mundur të arrihet kjo, që një njeri i vetëm të hartojë një libër duke treguar rrënjët e fiseve të mbarë fshatit?
Po, është e mundur! Përgjigjen na e jep jo me fraza intelektualiste, por me vepra konkrete autori i këtij libri, biri i Hundëkuqit, Fane Tarifa. Lexuesi e sheh këtë realitet fletë pas flete, fis pas fisi e familje për familje, me trung dhe degë të blerta. Vetë përmbajtja e shkrimeve të lira, gërshetuar e thurur edhe me vargje poetike flet qartë për atë veprimtari të dendur mendore disavjeçare, për një punë të palodhur gjurmuese, kërkuese, hulumtuese, studiuese, këmbëngulëse, duke gërmuar e gjetur nga autori jo vetëm rrënjët e fisit të vet, por rrënjët e 12 fiseve që kanë populluar vendlindjen e tij, Hundëkuqin.
Ky libër i ri, që sapo ka parë dritën e botimit, po shkon si një “mysafir” i ri në bibliotekat familjare të Hundëkuqit dhe më gjerë. Erdhi menjëherë nga Tepelena në Tiranë gjithë gëzim hundkuqoti dhe aktivisti shoqëror Qëndro Ciko. Ai e kishte lexuar këtë libër dhe bëri një kërkesë modeste: të shkruhet për rëndësinë dhe bukurinë e këtij libri, se “është një botim interesant, i cili i mëson njerëzit si të gjejnë rrënjët e fisit të tyre. Dhe e shkruan një hundkuqot, pedagog, me motër e kunat partizanë, me nip Dëshmor i Atdheut”. Si ky lexues entuziast, ngazëllohen edhe bashkëfshatarët e tjerë të Hundëkuqit. Ata shohin aty prejardhjen e tyre, paraardhësit e fiseve në breza, mësojnë nëse janë vendës apo të ardhur në Hundëkuq, njohin jetën materiale e shpirtërore të kohës që kanë rrojtur në fshat e deri etimologjinë e emrave e të mbiemrave të tyre, të familjeve e të fiseve ku bëjnë pjesë.
Dihet që brezat e rinj arrijnë të njohin të shumtën, deri tre- katër breza, bashkëkohës. Janë fëmijët dhe nipa e mbesa deri tek gjyshi dhe gjyshja. Më pak njihen stërnipa e stërmbesa deri tek stërgjyshët. Po më tej, në brezat e mëparshëm? Kjo është një vështirësi e përgjithshme, objektive, që nuk varet nga dëshira dhe vullneti i brezave të rinj, prandaj ndodhin edhe dukuri negative, që nga breza të rinj, kushërinjtë s’njohin njëri tjetrin. Është kjo arsyeja që kërkohet të veprojë me ndërgjegje, me bindje dhe aktivisht faktori subjektiv, i cili përbëhet nga të dy palët: nga brezi i vjetër dhe brezi i ri, për të treguar e mësuar me gojë e sidomos me gjuhën e shkruar faqe nga historiku i fisit, i familjes, siç e shohim qartë në librin për të cilin bëjmë fjalë. Pa histori, njeriu është anonim.
Sa vlera të larta njerëzore kanë libra të tillë, që flasin për të kaluarën, pa të cilën s’ka të tashme e pa të tashme s’ka të ardhshme! “E sotmja është nxënësja e së djeshmes”. E kaluara nuk përçmohet, por respektohet. Dhe merret prej saj ç’është e mirë, ç’është racionale. Merret zjarri dhe jo hiri. “Përçmimi i së shkuarës ose është injorancë, ose është frikë”.
Duke kaluar nëpër vorbullat e kohës së shkuar, njeriu kalon si nëpër një shkollë formimi e kalitjeje, që të jetë në gjendje të përballojë sfidat e jetës me të cilat ndeshet. Nga kjo pikëpamje vlerat e këtij libri nuk janë vetëm njohëse, për të ditur thjesht se cilët janë brezat e fisit dhe si jetonin ata, nuk janë për të shuar kërshërinë, kuriozitetin, por janë vlera edukuese, historike, morale, estetike, patriotike. Njohja e së kaluarës i shërben synimeve fisnike dhe shpirtrave të mirësisë së brezave që zëvendësojnë njëri-tjetrin, sepse pasardhës i mirë është ai që ia kalon paraardhësit, djem e vajza, nipa e mbesa, stërnipa e stërmbesa të mirë janë ata, të cilët ua kalojnë prindërve , gjyshërve e gjysheve të tyre. Ndryshe nuk do të kishte progres familjar, fisnor e shoqëror.
Autori i këtij libri i ka hyrë punës në themel Ai nuk i ka gjetur rrënjët e fisit në sipërfaqe. Nuk ka shkruar “me një të rënë të lapsit”. Ka hyrë në thellësinë e shekujve, në diturinë e brezave, në filozofinë e popujve, të kohës e të hapësirës së jetuar prej tyre. Rrënjët historike të një fisi mund të gjenden me punë të zgjuar kërkimore, në burime të shkruara, në dokumente arkivore, në histori, në enciklopedi dhe deri në etimologji të emrave e të mbiemrave, në episode e gojëdhëna. Fillesat e fisit me të njëjtin mbiemër “Tarifa” autori i ka zbuluar që nga shekulli i XXII para Erës së Re, ndjek itinerarin e lëvizjes nga një vend në tjetrin, ku dhe si kanë jetuar dhe i jep kronologjikisht deri në ditët e sotme. Vetëm për këtë fis ai shkruan 45 faqe.
Familjet kanë historikun e tyre, ndoshta të pa shkruar, por ky historik nuk shkruhet vet, e hartojnë njerëzit dhe ia lënë për ta vazhduar brezit tjetër që rritet e vazhdon. Është si një stafetë që brezi i ri e merr nga brezi më i vjetër dhe e çon më tej, e pasuron me të rejat e kohës. E nga ky historik mësojnë pasardhësit nga paraardhësit. Të duket sikur brezat i flasin historikut të fisit dhe i thonë: “Hapi fletët, o historik/ Trego si jetonim ne/ Folu brezave që vijnë/ të ndërtojnë jetën e re”. Dhe kështu ecin përpara jeta materiale e shpirtërore, zhvillimi, përparimi dhe modernizimi i fisit me historik të shkruar. Është një kujtim i bukur që brezi më i vjetër i lë brezit më të ri! Kush gërmon dhe gjen të dhëna për historikun e familjes, meriton fjalët lavdëruese e përgëzuese, aq më tepër kur një autor nuk mjaftohet duke zbuluar rrënjët e fisit të tij, por ndihmon me ndërgjegje të gjejë edhe prejardhjen e fiseve të tjerë, siç ndodh me autorin Fane Tarifa.
Libri “Mozaik nga lashtësia” është një botim mësimdhënës. I këndshëm. Me brumë. Brendia e tij nuk është vetëm për fisin e autorit. Thelbësore është se ai ka bërë përpjekje të gërmojë e të gdhendë të dhëna për të gjitha fiset e fshatit të tij duke paraqitur materialet përkatëse, të cilat hedhin dritë mbi familje që përbëjnë fise të fshatit. Dhe për disa prej tyre bazohet në burime të sakta, për disa të tjera jep hipoteza apo gojëdhëna, të cilat orientojnë për punë kërkimore të mëtejshme. Për shembull, fisi “Llogo”, që vjen nga greqishtja “Fjalë”, me zanafillë në shekullin XII para Erës sonë, mbiemër që gjendet në Greqi. Libi, Turqi, Uzbekistan, Poloni, Belgjikë, në Amerikë e Jugut, Uruguaj e Kolumbi. Në vendin tonë gjendet në Përmet, Korçë, Mirditë dhe Dukagjin. Ose, fisi “Cinxo”, gjurmët e të ciit gjenden në Palestinë, Jeruzalem, Portugali, Belgjikë, Rumani e Gjermani. Në kuptimin etimologjik fjala “Cinxo” vjen nga ebraishtja dhe do të thotë “Dije”.
Fisi “Marku” zë fill nga shekulli II-para Erës sonë. Mbiemri është një hipotezë, sipas së cilës rrjedh nga arumunët, vllehët. Fisi “Ciko”, me fillesë në Peloponez e në Igumenicë. Në Shqipëri ndeshet në Korçë, Ersekë, Burrel, Mirditë, Shkodër e Krumë. Fisi “Jani” ose “Spiri” nuk është vetëm në Hundëkuq, me këto mbiemra. Fisi ka degëzime edhe në Portugali, Spanjë, Argjentinë, Rumani, Ukrainë. Në Shqipëri gjurmë të këtij fisi ndeshen në Korçë, Pogradec, një rast në Shkodër e Gjirokastër. Në Hundëkuq u vendosën me atributin e trimave të Çelo Picarit. Dy prej tyre janë nismëtarë të themelimit të fshatit Hundëkuq.
Natyrisht të dhënat që jepen në libër nuk janë absolute. Ato kanë karakter relativ, gjë që flet për evoluim, për gjurmim e pasurim të mëtejshëm të tyre. Shprehet realisht edhe vetë autori, i cili aty-këtu shënon përkatësisht hipotezën, supozimin, meditimin, gjë që lë shteg për gjurmime e gërmime nga vetë njerëz të fiseve, për të bërë përpjekje për të dhëna të reja. Me gjurmime e kërkime të mëtejshme mund të gjenden edhe fije që çojnë në lidhje të vjetra, ose në përkime që janë të rastit, fise fare pa lidhje origjine ose gjaku. Problemi mbetet i hapur për më tej në thellësi e në cilësi. Në fise të ndryshme ka e mund të dalin filiza të rinj, intelektualë të kohës, të cilët të vazhdojnë punë studimore për burime të reja, për të dhëna të tjera, për plotësime, korrigjime e saktësime të mëtejshme.
Duke lexuar këtë libër lexuesi me të drejtë mund të dojë të dijë çfarë e shtiu intelektualin Fane Tarifa, autorin e këtij libri, që i hyri një pune kaq të vështirë për të gjetur rrënjët e fiseve të një fshati. Si lexues dhe sa e njoh unë autorin, dy janë shtysat që e kanë nxitur atë për përgatitjen e këtij libri:
Shtysa e parë: dashuria për fshatlindjen. Pa këtë ndjenjë, që shënon fillimin e patriotizmit të njeriut, vështirë se arrihet të hartohet një libër si ky, ku të “këndojë” pena, të pasqyrohen rrënjët dhe jeta e fiseve të një fshati. S’ka si vendi ku ke lerë, çdo gjë borzilok me erë. Ndjenjën e dashurisë për vendlindjen të këtij autori nuk e shohim vetëm në përmbajtjen e këtij libri. Në radhë të parë në punën dhe figurën e tij. Edhe në libra të tjera, një nga të cilat është libri me poezi që titullohet “Malli për vendlindjen”, ku vetëm fshatlindjes së tij, Hundëkuqit i kushtohen 400 vargje poetike, të mirëfillta, me metrikë dhe metafora, të cilat përshkohen nga ide historike, sociologjike e letraro-artistike. Ndër të tjera: “Vjen tabori nga Janina/ pa shihni kush prin i pari/ kalëron si fitimtar/ kapedan Çelo Picari!/ Atje ku është bregu i Baxhos/ e pret me gaz Ali Pasha/ urime, o trimi Çelo/ dhe jetë të gjatë, vasha!/ I ndërtoi aty sarajet/ ky Çelo Picari ynë/ ngriti shtrunga dhe kasolle/ të mbarështonte bagëtinë/ Midis kodrash në form’kupe/ ja fshati i ri lulëzoi/ dymbëdhjetë trimat e tij/ të parët Çelua strehoi”.
Në fshatin e lindjes autori ka kaluar vitet e vegjëlisë e nuk është shkëputur as në vitet e bukura të rinisë. Edhe pse larguar shkollave e punëve të ndryshme, lidhjet me fshatin nuk i ka shkëputur. Me shkrime të lira e në vargje dashuria dhe emocionet e tij për bukuritë e vendlindjes e për banorët e saj. flakërojnë në zemrën e tij. Përmes fjalëve të përzemërta ai jep portrete njerëzish me virtytet e tyre në poezitë me tituj “Luftuan porsi luanë”, “Janë të gjallë në zemrat tona”, “Vezullimet e vendlindjes”, “Prelud për nënën”, :”Nderim për baballarët”, “Brezit tim” e të tjera.
Në këta sythe, në poezi të veçanta, skicohen tipare të figurave të spikatura hundkuqotas: “Gjithnjë ishte shumë i qeshur/ Koço Kromidha i riu/ s’bënte lojra dhe shakara/ i lehtë si fllad veriu”. Ose: “Nuk mbarohen historitë/ që aq bukur i tregonte/ kur dëgjoje Qëndro Miçin/ të dukej se kurrë s’mbaronte”. Ose “Ç’farë burrneshe Maro Cikja/ më kujton një Zanë kreshnike/ me të askujt nuk ia mbante/ dhe një burrë tutej prej frike”. Ose “E donte fshatin e tij/ ta bënte sa më të mirë/ Ta shihte të lulëzuar/ Sotiri kishte dëshirë”. E kështu me radhë.
Shtysa e dytë janë vullneti, pasioni, këmbëngulja, shpirti punëtor, mendimi i ndritur intelektual, sipas mësimit filozofik“ : “Ti do arrish. Por për të arritur duhet të nisesh. E për t’u nisur duhet guxim, veçanërisht kur nisej për një qëllim të lartë”. Këta tipare e çojnë secilin drejt obiektivit që i cakton vetes. Me virtyte të tilla nuk ka sukses që s’arrihet. Janë këto cilësi që e bëjnë autorin e librit të thithë nga thesari i madh i trashëgimisë popullore, të gjejë materiale burimore, të japë fytyrën e fiseve, të familjeve, me një masivitet të gjerë e individualitet të ndryshëm prej gati 300 bashkëfshatarësh, me 510 strofa poezi, me ilustrim mbi 70 fotografi.
***
Duke lexuar e rilexuar këtë libër, pata edhe unë kënaqësinë, përfytyrimet dhe emocionet e mia, për Hundëkuqin dhe banorët e saj, fshati që më ka tërhequr që në vitet e vegjëlisë. Shkoja atje sidomos në Tarifaj e në Miçaj, në njerëzit e nënës e të babait. Njihesha me gjithë fshatin dhe romantikën e tij. Loznim e gajaseshim me bashkëmoshatarët. Më vonë do të shkoja me punë shoqërore të rinisë e të partisë. Ndaj kam dhe emocionet e mia, se kujtoj njerëz të dashur ndarë nga jeta. Dhe tani shumë gjëra m’u kujtuan, m’u freskuan. Mbresat më erdhën deri në ditët e fundit të jetës së xha Kozmait, këtij burri të mençur, të zot, gazmor, optimist e deri tek përurimi i ujit të pijshëm që mori Hundëkuqi, shiritin e kuq të të cilit e preu Heroi i Popullit, i pavdekshmi Shefqet Peçi. Hundëkuqi është në sytë e mi.
Stambolli digjet e Sevua kreh leshte e Hundekuqit – pasi i mbylli me nder ne vitin 1990 punet e Marksizmit! Cfare paskan qene keta njerez qe hengren buken e popullit me te dyja duart, dhe pas 1990 i kthyen kurrizin. Qe nuk guxojne te shkruajne per te sotmen me qellim per te mbrojne interesat e shkelura – keqazi – te popullit. Qe do te thote se: nuk guxojne te kritikojne fytyren e eger te kapitalzimit shqiptar. E si mund te ndertohen vlerat demokratike pa bere debat publik per vlerat demokratike, per vlerat e politikaneve, per vlerat e intelektualeve ne demokracine shqiptare, sot? Ky eshte besoj misioni i larte i gazetes DITA, dhe qe ajo e permbush jo keq.
Shkruaj ndonjë gjë të mirë edhe ti për Hundëkuqin, e fshatin tënd, se nuk e di nga je dhe pastaj kritiko të tjerët. Xha Sevua në këtë drejtim meriton vetëm përgëzime se ka shkruar edhe herë të tjera jo vetëm për hundëkuqin por për gjithë Rrëzën. Pa përfitim, pa interes, pa detyrim. Veç fjalë zemrae!…
I dashur Sevo! Lexova me nje fryme shkrimin tuaj, ku keni vleresuar njerezit e thjeshte e te shquar te fshatit .Me dhate nje kenaqesi te madhe dhe njekohesisht tju them se e rruaj si kujtim te vyer emrin dhe firmen tuaj ne teseren e pranimit ne radhet e rinise.
Sevo Tarifa, nuk duhet te gjykohet per punen qe ka bere, se secili nga ne ka “kullotur” diku, por nga punet e mira qe ka bere per atdheun. Ai ka 116 libra te shkruara per luften, per punen, per kombin, per atdheun, per njereziot e mire…