Currilat dhe Kodër Vila janë zona që bie ose nuk bie shi, vazhdojnë të rrëshqasin. Të dielën edhe pse nuk pati shi, dherat vijuan rrëshqitjet e të martën e shiut, një situatë e tillë vijoi. Një gjë e tillë ka krijuar panik tek vetë qytetarët, por edhe tek të ardhurit, që fundjavën që kaloi e braktisën zonën.
Megjithëse kanë vite që kambanat bien, duket se askush nuk ka veshë për të dëgjuar dhe situata vijon në përkeqësim. Bëhet fjalë për mijëra m3 dhera që kanë rrëshqitur dhe fatin e dhjetëra banesave në majë të kodrës, si dhe lokaleve në bregdet.
Çdo vit bilancet tregojnë se janë braktisur shumë banesa dhe të tjerat janë mbuluar nga balta që rrëshqet tatëpjetë kodrës së masakruar. Dherat tashmë bien mbi dherat e vjetra, pasi askush nuk interesohet për t’i hequr. Veç ndonjë banor i rrallë merr lopatën, por pa shpresë. Të gjitha palët presin se çfarë do të ndodhë me kalimin e ditëve duke vënë pikëpyetjen e madhe nëse mund të jetohet më në këtë zonë, apo jo.
Një banor i zonës thotë se të gjithë i ka zënë frika. Jo vetëm pronarët e lokaleve dhe kryefamiljarët e shtëpive, por edhe pushuesit. Fundjava e kaluar pati shumë pak vizitorë dhe për të vetmen arsye që ka të bëjë me panikun e përhapur nga pasiguria e kodrës, e cila edhe në ditën e fundit të javës, megjithëse nuk kishte shi, dhe njerëzit madje u lanë në det, thuajse u braktis. Kjo, për shkak të pasigurisë dhe frikës së rrëshqitjeve të befasishme që mund të zbresin nga shpatet e kodrës në çdo moment…
Dje
Dhjetëra m3 dhera argjiloze rrëshqitën të martën. Masivet e dheut të rëna përgjatë rrugës që të çon drejt Currilave shkaktuan mjaft probleme për banorët e zonës. Tre banesa, por edhe biznese të ndryshme rrezikojnë seriozisht të mbulohen nga masivi i dheut që shkëputet nga kodra çdo ditë. Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, tha se kërkonte ndërhyrjen e bashkisë, si dhe të institucioneve përkatëse. Dherat ndërkohë bllokuan aksin që lidh shëtitoren “Taulantja” me zonën e Currilave, duke u bërë i pakalueshëm për automjetet.
Dhe pse sipërfaqja e kodrës nga e cila rrëshqasin masive të shumta dherat sa vjen e zgjerohet, Alizoti sqaron se nuk do të ndërhyhet në këtë aks deri në përmirësimin e kushteve atmosferike, pasi tendenca për të rrëshqitur është e pranishme. Gjatë 15 viteve të fundit, kodra ka humbur më shumë se 80 përqind të kurorës së gjelbërt të saj, pasi pylli i pishave është prerë për t’i hapur rrugë ndërtimeve shumëkatëshe. Policia pyjore ka gjobitur rreth 17 banesa për prerje dhe shkatërrim pemësh. Por gjëma s’ka ndalur. Si të mos mjaftonte kjo, faqja jugore ka humbur shumë terren me shkëputjet e qindra m3 dhe e baltë. Ndonëse situata është mjaft e vështirë, asnjë nga institucionet vendore dhe qendrore nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim konkret, pasi sistemimi i këtij problemi, sipas tyre, kërkon projekte të detajuara dhe investime të mëdha.
Situata
Në sipërfaqen e kodrës bregdetare të Currilave duken tashmë vende-vende me gropa të mëdha të krijuara si pasojë e shkëputjeve të dherave.Terreni në këtë pjesë të kodrës është i thyer dhe thuajse bie pingul mbi det. Edhe ato pak pemë të mbjella e të kultivuara me pisha e shkurre janë marrë me vete dhe janë shembur në rrugë duke e lënë lakuriq të gjithë faqen. Disa shtëpi në majë të kodrës janë në zgrip të humnerës duke rrezikuar në mënyrën më serioze dhe më të frikshme jetën e qytetarëve që banojnë në to.
Por jo më pak të kanosur janë bizneset poshtë faqes së kodrës. Me të kaluar universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe deri tek kthesa në fund të kodrës për në Currila, balta, rrënjët, pemët dhe dherat kanë pushtet të plotë. Rruga është me dy korsi, por që nga java e kaluar njëra prej tyre është zhdukur fare.
Korsia nga Brryli për në Currila është e gjithë e mbushur me pirgje të panumërta balte e inerte duke detyruar automjetet dhe qytetarët të qarkullojnë vetëm në njërin sens. Edhe muret mbrojtëse, kabllot e energjisë elektrike, ato të ujësjellësit dhe telefonit kanë përfunduar copa-copa të shpërndara gjithandej duke bërë të mundur vetëm krijimin e imazhit se më parë ato kanë qenë në vendin e tyre.
Që nga koha e ndërtimit të lokaleve buzë detit në gjatësinë e rrugës nga Brryli për në Currila, asnjëherë ato nuk kanë pasur më pak vizitorë sesa këtë fundjavë.
Ekspertët: Rrëshqitja e tokës po kërcënon dhe rrugët nacionale
Reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë ngritur edhe një herë në vëmendje problematikën e rrëshqitjes masive të dherave. Ekspertët e fushës u kërkojnë strukturave përgjegjëse shtetërore që të marrin masa të menjëhershme e të ndërhyjnë në infrastrukturë për të parandaluar rrëshqitjet masive të dherave të cilat tashmë po kërcënojnë shtëpitë e banimit në shumë zona, si dhe rrugët nacionale.
Specialisti Vangjo Kovaçi vë në dukje se edhe mungesa e investimeve për ngritjen e pritave dhe forcimin e argjinaturave ka bërë që rrëshqitjet e tokës rreth shtretërve të lumenjve dhe ato pranë vijës bregdetare të rriten ndjeshëm.
Krahas prerjes së paligjshme të pyjeve, braktisjes dhe lënies së tokës pa punuar, faktori kryesor i erozionit të thellë të tokës janë edhe reshjet e shumta të shiut që kanë rënë gjatë javëve të fundit. Sipas tij, shifrat e erozionit në vendin tonë variojnë nga disa dhjetar tonë, deri në mbi 100 tonë për hektarë.
“Shkarjet dhe shembjet e tokave janë një erozion ekstrem, që jo vetëm humbet, tjetërson e shkatërron tokën, por dëmton dhe objektet social-ekonomike, dëmton infrastrukturën dhe gjithçka mbi të cilën është ndërtuar. Duke u mënjanuar punimi i tokave të pjerrëta, ku automatikisht erozioni sipërfaqësor është i minimizuar, atëherë shkaktohet erozion i thelluar, në forma rrënjësh të cilat në shifër totale janë më të larta se erozioni sipërfaqësor. Ne sot vuajmë nga kjo formë erozioni ”, deklaron Kovaçi. P. Kola