Drejtori Marin Haxhimihali u shpreh se shkak për dëmtimin është riaktivizimi i një burimi nëntokësor, i cili s’është marrë parasysh nga ekspedita shqiptaro-gjermane
Rrëshqitjet masive të dheut kanë dëmtuar rëndë teatrin e Apollonisë, duke mbuluar një të tretën e tij me rreth 100 metra kub dhe. Mësohet se dherat kanë mbuluar pjesën lindore të teatrit antik të periudhës romake. Shkak për këtë duket se ka qenë riaktivizimi i një burimi nënujor. Drejtori i parkut arkeologjik Apollonia, Marin Haxhimihali, deklaroi se rrëshqitja ka ndodhur në zonën ku prej dy vitesh një ekspeditë shqiptaro-gjermane kishte punuar për ta kthyer teatrin në një vend të vizitueshëm.
“Ishte parashikuar që ky gërmim, kjo ekspeditë, ta kthente teatrin në një sektor të vizitueshëm, gjë që për fat të keq, pas këtyre reshjeve, nuk është më e mundur. Ka ndodhur një shkarje masive e dheut. Mendojmë se kemi të bëjmë me një burim nëntokësor ujërash, i cili nuk është marrë sa duhet parasysh dhe reshjet e 48 orëve të fundit kanë bërë të mundur që ky burim të riaktivizohet dhe të sjellë këtë anomali që shohim sot”, u shpreh për mediat Haxhimihali.
Sipas Haxhimihalit, nga ekspedita nuk është marrë parasysh studimi i Shërbimit Gjeologjik Shqipar për burimin nëntokësor, çka ka bërë që pas rrëshqitjes, teatri të bëhet i pavizitueshëm.
Por kjo nuk është hera e parë që teatri antik i Apollonisë dëmtohet. Edhe në shkurt të vitit 2010 ndodhi e njëjta situatë. Në atë kohë, Haxhimihali pati deklaruar se shkarjet e dheut po e dëmtonin çdo ditë e më shumë parkun, ndërsa nisi edhe lëvizja e objekteve brenda muzeut arkeologjik. Në atë kohë u deklarua s eishin gërmimet e bëra në pjesën e murit rrethues ato që e kishin dëmtuar seriozisht strukturën.