Pranvera Kola- Dita
Bluzat e bardha vijojnë të refuzojnë sigurimin e krediteve. Pavarësisht ndëshkimeve që do të ndërmerren në fund të programit të ricertifikimit, raporti i vitit 2016 ka treguar se janë me dhjetëra mijëra mjekët, infermierët, stomatologët dhe farmacistët që figurojnë pa asnjë kredit të fituar nga ndjekja e programeve të edukimit në vazhdim.
Infermierët janë ata që kanë neglizhuar këtë proces. Sipas të dhënave të zbardhura nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, rezultojnë të jenë pa asnjë kredit në sistem e Edukimit në V, pasi më Numri më i lartë në të jenë pa kredite. Konkretisht nuk kanë siguruar asnjë kredit rreth 15853 specialistë të shëndetit, nga të cilët 1,548 janë mjekë, 757 stomatologë , 510 farmacistë dhe 13037 infermierë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të punësuar në sektorin publik.
Specialistët e kësaj qendre thonë se ky numër mund të mos pasqyrojë gjendjen reale sepse shumë profesionistë merren me procesin e regjistrimit të krediteve vetëm në momentin e rinovimit të lejes së ushtrimit të profesionit. “Numri i profesionistëve të regjistruar për vitin 2016 është rritur me 21,230 infermierë dhe mami, dhe 646 (mjekë, dentistë, farmacistë) duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 33,630 profesionistë të regjistruar, krahasuar me të dhënat e para dy viteve.
Gjithashtu edhe në këtë rast duhet theksuar që ky numër nuk përfaqëson numrin real të atyre profesionistëve që kanë detyrime, pasi nuk është e mundur të bëhet verifikimi individual për statusin e secilit person të regjistruar. Kjo pasi procesi i regjistrimit është kryer përmes regjistrave të ofruar nga Urdhrat e Profesionistëve, të cilët nuk kanë të dhëna të sakta.
Ndërsa Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka bërë verifikim vetëm në rastet kur regjistrimi është kryer përmes formularit të regjistrimit pranë këtij institucioni. Numri mesatar i krediteve për profesionist për vitin 2016 është 23 kredite për mjek, 12 kredite për stomatolog, dhe 12 farmaciste duke tejkaluar kështu numrin e krediteve minimale të detyrueshme të përcaktuara në vendimin përkatës të Qeverisë”, saktësohet në raportin e publikuar nga kjo qendër.
Sipas të dhënave të regjistrit të certifikimit 16 për qind e mjekëve të përgjithshëm që kanë kredite, nuk e kanë kryer detyrimin minimal prej 10 kreditesh në vit. Nga të dhënat e përpunuara sipas specialiteteve, profesionistët me specialitet onkolog e kanë kryer detyrimin në masën 100 për qind, ndërsa ata me specialitetet alergolog dhe reanimator zënë vendin e dytë më detyrim të kryer në masën 98 për qind, gjithnjë duke pasur në vëmendje ata profesionistë që janë marrë me edukim të vazhdueshëm pra që kanë kredite.
Specialiteti me përqindjen më të lartë të detyrimit minimal të pa kryer është mjek higjenist me 35 për qind të totalit të mjekëve me kredite. Mjekë me detyrim të pa kryer ka nga çdo specialitet. Ndërsa për kategorinë e infermierëve, vendimi i qeverisë nuk përcakton detyrim minimal vjetor dhe viti 2016 është viti i parë i ciklit të certifikimit të infermierëve dhe mamive.
Kjo gjë ka bërë që infermierët të mos paraqesin interes që në vitin e parë të ciklit. Një arsye tjetër që kjo kategori profesionistësh nuk e ka përmbushur numrin minimal të rekomanduar për vit mund të jetë dhe mungesa e aktiviteteve të organizuar enkas për infermierë.
Në objektivat e vendosura për t’u realizuar përgjatë këtij viti për edukimin në vazhdim do jetë rritja e kapaciteteve të ofruesve në drejtim të standardeve të aktiviteteve të edukimit në vazhdim çka përfaqëson gjithashtu një sfidë të rëndësishme.
