Rreth 25 për qind e fëmijëve rom të përjashtuar nga bankat e shkollës

anazapta

Pavarësisht përpjekjeve të bëra shkollimi i fëmijëve rom mbetet ende në nivele të ulëta. Shumë prej tyre qëndrojnë larg bankave të shkollave, duke u bërë pjesë e forcave të punës. Në një raport të bërë publik nga UNICEF rezulton se mbi 25 për qind e fëmijëve të komunitetit rom nuk e ndjekin shkollën. Në realitet kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë. Por, problemi i mosfrekuentimit të arsimit parashkollor e atij bazë është një problem jo vetëm i komunitetit rom. Mosfrekuentimi i arsimit parashkollor shihet në mjaft qytete, por më problemeatike situata shfaqet në Berat, ku 47.000 fëmijë mbeten jashtë sistemit, në Kuçovë 10.000 fëmijë, ndërsa në Sarandë 13.000. Për këtë arsye Ministria e Arsimit, UNICEF dhe ministritë e linjës thanë se do të ketë një program konkret për të përfshirë në sistem fëmijët romë, si dhe ata që nuk i përkasin këtij komuniteti por braktisin arsimin. Në takimin e zhvilluar dje ndërmjet zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesve të UNICEF, zëvendësministra Nora Malaj ka deklaruar se po hartohet një program konkret për rikthimin e këtyre fëmijëve në bankat e shkollës nëpërmjet përgatitjes së teksteve të veçanta, kualifikimit të mësuesve, si dhe mbështetjes së familjeve të tyre. Nisma, të cilat sipas drejtuesve të UNICEF-it janë të nevojshme që të ndërmerren duke filluar që nga edukimi i fëmijëve në çerdhe dhe kopshte e më pas në klasat e arsimit 9 vjeçar. Zëvendësministrja
Malaj rikujtoi faktin se problematika e fëmijëve rom dhe egjiptianë ka marrë mjaftueshëm kohë ndër
vite duke u diskutuar, ndërkohë që ka ardhur momenti që idetë dhe nismat të hidhen në veprim për të krijuar dhe mbështetur një të ardhme për këtë shtresë të shoqërisë shqiptare. “Ky projekt, ose ky
plan veprimi do të realizohet në partneritet me UNICEF-in, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,
Pushtetin lokal, ku secili nga aktorët do të bëhet pjesë e integruar e zhvillimit të tij. Ne kemi kapacitete
institucionale, kemi kapacitete të shoqërisë civile, kemi rrjetin e akademikëve, por do të kemi edhe libra konkretë që do të mbështesin këtë nismë kaq të domosdoshme për brezat e rinj. Arsimi është publik,
është i të gjithëve, është mision kombëtar dhe në këtë mision duhet të bëhemi të gjithë pjesë, në mënyrë që shoqërisë t’i ofrojmë shërbimin më të mirë të mundshëm”, u shpreh Malaj.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *