Sa të interesuar kanë qenë serbët për të ditur për fqinjët e tyre jugorë? Kur nis historia e marrdhënieve mes tyre? Çfarë u kanë mësuar serbët fëmijëve të tyre nëpër shkolla rreth shqiptarëve? Si janë trajtuar në epoka të ndryshme episodet më të rëndësishme historike të përplasjeve mes dy etnive dhe si janë vlerësuar pikat më të errëta të tyre. A ka diçka për të riparuar në këtë drejtim dhe kush duhet ta kryejë atë?
(Pjesa 2)
(Vijon nga numri i së dielës së shkuar)
Në pjesën e parë të kësaj trajtese që u bazua në gjetjet kryesore të studimit të historianit bashkëkohor serb, Dr. Zoran Janjetoviç, botuar më shumë se 10 vjet më parë në faqet e revistës së specializuar franceze “Balcanologie” ( shih: FROM FOE TO FRIEND AND BACK / ALBANIANS IN SERBIAN HISTORY TEXTBOOKS, 1918-2000; Vol. VI, n° 1-2 | décembre 2002, p. 245-260 ) – u fol gjerësisht në mënyrë kritike mbi trajtimin dhe vendin që zinin shqiptarët në tekstet serbe të historisë të shekullit 20-të, duke ia nisur nga periudhat e hershme dhe pikëtakimet e para të historisë mes tyre. Në pjesën e dytë të trajtesës në fjalë, vijohet me periudha historike si: kryengritjet antiturke të popullit serb në fundshekullin 19-të, shpërnguljet apo spastrimet etnike (me kahje antishqiptare e antimuslimane), luftërat ballkanike që shënojnë një etapë të re në konfliktet serbo-shqiptare, përfshirë këtu masakrat dhe pushtimin e pajustifikueshëm (sipas vetë autorit) serb të Shqipërisë Veriore, rolin dhe trajtimin e figurës së Esat Pashës, e duke vijuar me pozicionin e shqiptarëve gjatë Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (dhe më pas Jugosllavisë së parë e të dytë). Njëra ndër periudhat më të nxehta në trajtesën e studiuesit serb, Janjetoviç, sigurisht se është pozita e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku ai me guxim, përveç se e thotë hapur se shumica e shqiptarëve në Kosovë e ish-Jugosllavi bashkëpunuan me “okupatorin” italian e gjerman, kërkon të hetojë më thellë e të gjejë rrënjët e këtij bashkëpunimi, duke akuzuar politikën shtetërore të regjimeve të shkuara në Serbi (e ish-Jugosllavi) se kishin fshehur të vërtetën, ose kishin artikuluar të vërteta gjysmake (siç ishte rasti i Millosheviçit), duke manipuluar breza të tërë të rinjsh serbë, ndërsa i flisnin për shqiptarë “të egër” e “kriminelë”, “të këqinj” apo edhe duke i diferencuar në periudha të caktuara e trajtuar sipas metrit të tyre, si ”shqiptarë të mirë”. Në studim megjithatë nuk përmendet thuajse fare bashkëpunimi i çetnikëve serbë (dhe po ashtu operacionet ndëshkimore e masakrat që këta të fundit kryenin mbi shqiptarët) gjithashtu me të njejtin “pushtues”, me të cilin bashkpëunonin – sipas tij – shumica e shqiptarëve. Sidoqoftë, parë nga perspektiva e sotme, pa dashur të japim vlerësime subjektive, thirrja e historianit serb në fund të studimit, mbetet akoma aktuale dhe ndoshta ajo vlen paradoksalisht për të dyja shtetet, porse trajtimit të kësaj problematike, i duhet rezervuar në rastin më të parë, një vend e hapësirë e veçantë në një të ardhme të afërt. Më poshtë gjetjet kryesore të pjesës së dytë (dhe të fundit) të studimit dhe konkluzionet përfundimtare, në të cilat theksohet edhe thirrja për qeverinë postmillosheviçiane, të supozuar të re dhe me mendësi sigurisht demokratike (serbe), për të rishikuar me urgjencë tekstet shkollore të historisë kombëtare e vlerësimin si duhet të fqinjit jugor.
* * *
Një trajtesë e ngjashme mund të gjendet në tekstet shkollore, kur bëhet fjalë për mbulimin që ata u bëjnë luftërave anti-turke të viteve 1876-1878, të cilat gjithashtu kanë pasur pjesë të tyre edhe migrimet në një shkallë të konsiderueshme. Popullsia myslimane (shumica e tyre shqiptarë) u desh të largoheshin, apo të zhvendoseshin me dhunë nga territoret ku kishin shkelur ushtritë serbe e malazeze. Sidoqoftë, megjithëse këto luftëra janë përmendur rregullisht në të gjitha tekstet shkollore që merren me atë periudhë, absolutisht, në asnjërën prej tyre, nuk përmendet përzënia me dhunë e shqiptarëve.
Rasti është i ngjashëm me atë të Kryengritjes së Parë serbe, ku vetëm zhvendosjet e popullsisë së vitit 1878, patën pasoja shumë më të më mëdha: shqiptarët e inatosur u vendosën në Kosovë, duke terrorizuar serbët lokalë e yshtur ata të merrnin arratinë e të luftonin për të çliruar Serbinë, duke rritur kësisoj edhe më shumë disballancën etnike. Pa njohur këto fakte, studentët nuk mund të kuptojnë dot marrëdhëniet e këqija që ekzistojnë edhe sot mes dy popujve. Në këtë mënyrë, studentët serbë janë indoktrinuar, duke besuar se populli i tyre gjithmonë, jo vetëm se ka luftuar për çështjen e drejtë, porse gjithmonë, ka përdorur edhe mjetet e drejta për t’ia arritur këtij qëllimi.
Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë
Kontakti tjetër më i afërt mes serbëve dhe shqiptarëve ndodhi gjatë kohës së Luftës së Parë Ballkanike që i dha fund sundimit disashekullor otoman në Europën Juglindore. Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria mundën turqit, ndërsa shqiptarët, duke marrë minimumin e asaj çka mundën të përfitonin nga situata, shpallën pavarësinë e tyre. Për shkak të rëndësisë së madhe të kësaj ngjarje, dhe qëkurse Serbia ishte tashmë njëra ndër fuqitë fituese, lufta gjithmonë ka pasur një vend të rëndësishëm në tekstet serbe të historisë. Pushtimi serb i Shqipërisë së Veriut gjithashtu është përmendur gjithmonë, megjithëse jo nën këtë emër. Librat e historisë serbe mbi periudhën e luftës, ose nuk e shpjegojnë fare qëllimin e këtij aksioni, ose e justifikojnë atë me arsye ekonomike e strategjike, të cilat i çuan politikanët serbë ta ndërmarrin atë, në radhë të parë. Ata kurrë nuk e shtrojnë si pyetje faktin se Serbia nuk kishte asnjë arsye etnike, madje as historike për të pushtuar ato territore.
Tekstet shkollore të periudhës së socializmit, flasin rreth pushtimit, duke e dënuar pushtimin si një përqasje imperialiste të borgjezisë serbe që donte të kishte në dorën e vet territore shqiptare. Lideri socialdemokrat i serbëve të kohës, Dimitrije Tucoviç, i cili i bëri oponencë këtij pushtimi, paraqitet si një shembull se si socialdemokratët (të cilët janë parë gjithnjë si paraardhës të komunistëve) kishin pikëpamje korrekte rreth trajtimit të çështjeve të nacionaliteteve etnike, që, sigurisht, u ndoqën nga komunistët që më vonë erdhën në pushtet.
Ka dhe një aspekt të errët të Luftës së Parë Ballkanike që nuk është përmendur kurrë në tekstet shkollore të Serbisë. Ai i krimeve të luftës, të kryera nga serbët ndaj shqiptarëve. Atrocitetet fillimisht u zbatuan nga malazezët, por shumë shpejt trupat serbe iu bashkuan atyre. Megjithëse numri i viktimave nuk njihet me saktësi as sot e kësaj dite, fakti se masakrat ndodhën, është i padiskutueshëm. Sidoqoftë, në mënyrë që të mos cënonin imazhin heroik të ushtarit serb, krimet dhe masakrat e kryera prej tyre, nuk janë përmendur kurrë në librat serbë të historisë. Akoma dhe sot, është e ndershme të theksohet se deri në kohën e Millosheviçit, në tekstet serbe të Paraluftës, apo atë kohës së socializimit, krimet e shqiptarëve të kryera ndaj serbëve të Kosovës në dekadat para Luftës së Parë Ballkanike, megjithëse të mirëdokumentuara, nuk janë përmendur kurrë. Regjimi komunist bënte kujdes që të mos shpërthente dhuna etnike, pavarësisht se cilët do të ishin ata që do ta vinin atë në lëvizje.
Gjithsesi, autorët e erës së Millosheviçit (të cilët e provuan zellin e besnikërinë e tyre edhe gjatë regjimit komunist!) nuk bënin më kujdes tashmë kur shpatës duhet ti thoshin “shpatë”, pavarësisht se kjo ndodhi vetëm në rastin e shqiptarëve. Qasja e tyre ishte akoma marksiste në fillimet e veta, ndërsa përpiqeshin të bënin dallim mes shqiptarëve “të mirë” dhe atyre “të këqinj”, në bazë të origjinës së tyre klasore. Pak më vonë, kur marrëdhëniet me shqiptarët etnikë u bënë plotësisht të ndera, autorët e teksteve serbe të historisë e hoqën fare edhe mantelin e finesës në trajtesat e tyre, duke i dënuar shqiptarët si një trupë e vetme, pa dallim.
Serbët, Esat Pasha dhe shqiptarët
Konflikti tjetër i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, ndodhi vetëm pak vite më vonë, në dimrin e 1915-1916, kur ushtria serbe dhe një numër i madh civilësh, po tërhiqeshin nëpër malet me borë të Shqipërisë veriore, përballë fuqisë së trupave austro-hungareze, që ishin në aleancë me ato gjermane e bullgare. Rrugës, ata sulmoheshin në mënyrë okazionale nga malësorët shqiptarë që ishin kundërshtarë të benjaminit serb, Esat Pashë Toptani. Ata shfaqeshin në disa, por kurrsesi në të gjitha tekstet shkollore të periudhës së luftës, si “shqiptarët e egër”. Fakti se shumë tekste shkollore të asaj periudhe, nuk e përmendin episodin në fjalë, dëshmon për parëndësinë relative të tij. Ndërhyrja e mëparshme ushtarake serbe në favor të Esat Pashës, sikurse dhe ndihma e këtij njeriu dhënë për serbët gjatë tërheqjes së tyre në vitet 1915-1916, nuk është përmendur kurrë në tekstet serbe të historisë, duke i penguar kësisoj studentët për të mësuar me vërtetësi kompleksitetin e situatës në fjalë.
Këto rrethana u tejkaluan edhe nga autorët e librave të kohës së Millosheviçit. Shqiptarët luajnë sërish një rol në këtë episod, megjithëse ata nuk janë më “të egër”. Tashmë ata përshkruhen në mënyrë korrekte si “oponentë” të Esat Pashës, i cili vazhdimisht përshkruhet si “aleat i serbëve”. Fatkeqësisht, hapësira e shkurtër me të cilën trajtohet ky episod, nuk jep mjaft informacion për të parandaluar animozitetin kundër shqiptarëve në përgjithësi.
Shqiptarët etnikë në Jugosllavinë e Parë
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, u krijua Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (në vitin 1929 ky formacion shtetëror u riformatua nën emrin Jugosllavi). E përcaktonte veten si një shtet-komb të ngritur mbi modelin kushtetues europiano-perëndimor, por në praktikë ishte po aq multinacional, sa ç’ishte edhe Monarkia e rrëzuar habsburgase, të cilën ajo pasoi. Minoritetet kombëtare përbënin rreth 12% të popullsisë së përgjithshme dhe shqiptarët ishin mes atyre me numrin më të madh. Megjithë këtë fakt, tekstet shkollore serbe të periudhës së Luftës e injoronin si rregull ekzistencën e vërtetë të minoriteteve etnike.
Shumë e habitshme është të konstatohet se minoritetet etnike nuk u morën fort në konsideratë as në kohën e Jugosllavisë titiste përsa i përket librave të historisë. Ata përmenden në to vetëm në mënyrë sporadike dhe okazionale në kontekstin e “çështjeve nacionale të pazgjidhura” në Jugosllavinë e viteve 1918-1941. Minoritetet nacionale përshkruheshin në këto të fundit si të shtypura, sikurse të gjitha popullsitë e tjera joserbe. Arsye historike dhe të tjera për represionin, në to nuk u paraqitën kurrë. Shqiptarët etnikë janë përmendur me emër në to, vetëm në një rast. Pavarësisht se pozita e tyre ishte mjaft e vështirë, autori i tekstit në fjalë, një marksist orthodoks, e ekzagjeron disi në përshkrimin që i bën kësaj problematike, në mënyrë që ta kanalizojë debatin në pikën se sa i egër kishte qenë regjimi i vjetër borgjez, kur shkruan se: “Politika e mbajtjes nën terror, dhe madje edhe e eliminimit fizik, aplikohej kundër shqiptarëve”. Të tilla cilësime ishin në akordancë të plotë me politikën e atëhershme të dhënies së shqiptarëve të së njejtave të drejta që gëzonin edhe serbët, ose (nëpërmjet diskriminimit pozitiv) edhe më shumë madje, që të vinin në dukje në mënyrë eksplicite se sa ishin neglizhuar ato në të shkuarën.
Bashkëpunimi i shqiptarëve me okupatorin
Fatkeqësisht, dhe për shkak të një pozite mjaft të vështirë të shqiptarëve etnikë në Jugosllavinë e Para dhe gjatë Luftës së Dytë, bëri që ata t’i bashkoheshin okupatorit gjerman dhe italian, kur vendi u sulmua nga fuqitë e Aksit dhe satelitët e tyre në prill 1941. Shqiptarët etnikë, përveç një përjashtimi të vogël, jo vetëm që dolën në krah të armikut, por i mbetën atij luajal deri në fundin e Luftës së Dytë. Duke parë mbrapa, ishte shumë e vështirë për regjimin komunist për të gjetur një hile e shitur për pozitive në sy të publikut, diçka që kishte qenë negative, në tekstet shkollore të cilat mësonin historinë në përputhje të plotë me ligjet dhe kanunet e luftës së klasave dhe ato të “Bashkim-Vëllazërimit”. Si do të dilej nga ky qerthull?
Dy ishin zgjidhjet e problemit që u gjendën. Në variantin e parë, numri i shqiptarëve etnikë që bashkëpunuan me pushtuesin u minimizua fort, në mënyrë që të krijohej përshtypja se ata që kishin bashkëpunuar, kishin qenë vetëm një eksepsion. Varianti tjetër ishte ky: për shkak të nivelit të tyre të ulët arsimor dhe kushteve shumë të vështira në të cilat ishte dashur të jetonin në ish-Jugosllavinë monarkike, minoritetet etnike, e në veçanti këtu, masat e atij shqiptar, kishin mundur të binin lehtësisht pre e propagandës së armikut. Të gjitha tekstet shkollore nga periudha e socializmit përmendnin pjesëmarrjen e minoriteteve etnike në lëvizjen partizane. Ndonjëherë, kjo përmendet vetëm shkurtimisht, në mënyrë që të ilustrohet se sa e gjerë kishte qenë mbështetja për politikat nacionale që ndiqnin komunistët, të cilët çuan në bashkimin e popullit në luftë e krijimin e lëvizjes.
Një tekst që daton në vitet 1960, vlerëson se kishin qenë rreth 11.000 partizanë në Kosovë nga fundi i 1944-ës, duke theksuar se rreth 4.000 prej tyre kishin qenë shqiptarë etnikë. Nëse bën një krahasim të këtij numri me numrin total të shqiptarëve etnikë në atë kohë në Jugosllavi, që kapnin shifrën e 500.000 vetëve, del mëse e qartë se shqiptarët që kishin marrë pjesë vullnetarisht në lëvizjen partizane, ishin veçse një eksepsion. Sidoqoftë, për shkak se studentët nuk u pajisën kurrë me numrin e shqiptarëve etnikë që në atë kohë jetonin në Jugosllavi, dhe as me faktin se ata përbënin 2/3 e popullsisë së Kosovës, ata ishin disi të molepsur nga numrat e paraqitur. Tekstet e librave të kohës së Millosheviçit, e ngrenë më forcë lart faktin se thelbi dhe ajka e shqiptarëve etnikë, bashkëpunuan me gjermanët dhe italianët, por arsyet për një “tradhëti të lartë” të tillë, kaq massive, nuk shpjegohen.
Në tekstet shkollore të historisë serbe, të kohës së Millosheviçit, minoritetet nacionale përmenden vetëm dy herë, por shqiptarët etnikë nuk përmenden fare. Në njërin prek këtyre teksteve, autorët, në mënyrë false theksojnë se të drejtat e minoriteteve kombëtare ishin garantuar nga ligji (gjë e cila nuk ishte e vërtetë), duke pretenduar me këtë se pozicioni i tyre ishte i kënaqshëm (që nuk ishte në fakt). Regjimi donte të besohej e njejta gjë mbi kushtet e minoriteteve etnike, dhe veçanërisht ato të shqiptarëve etnikë, përgjatë viteve ‘90.
Kokluzionet e studimit
Shqiptarët në tekstet shkollore të historisë serbe nuk kanë përbërë kurrë më shumë se sa një çështje të izoluar. Ashtu sikurse edhe minoritetet e tjera nacionale dhe fqinjët josllavë, ato kanë qenë neglizhuar diku më pak, e diku më shumë. Imazhi i tyre në tekstet shkollore varionte në kohë të ndryshme, gjithnjë brenda limiteve të korrektësisë politike që diktonte koha. Tekstet shkollore të botuara para Luftës së Dytë Botërore, e injoronin faktorin shqiptar në masën më të madhe. Ato të cilat i përkasin periudhës së ish-Jugosllavisë Socialiste, gjithashtu i përmendin ata vetëm në mënyrë sipërfaqësore; nga leksionet apo pjesë të shkëputura prej tyre kushtuar shqiptarëve, studentët nuk mund të përftonin dot njohuri as për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, e as për vetë historinë e Shqipërisë.
Kur shqiptarët shfaqen në faqet e teksteve të historisë, informacioni rreth tyre zakonisht është i mangët dhe skematik. Kur shkruhet për historinë e tyre në shekullin e 20-të, autorët e teksteve të librave shkollorë të kohës së socializimit, i shmangin arsyet dhe rrethanat e konfliktit të shqiptarëve me serbët, ose i minimizojnë ato në mënyrë që të mos cënojnë atmosferën e “Bashkim -Vëllazërimit” të predikuar nga regjimi komunist. Gjatë regjimit të Millosheviçit, shqiptarëve u jepet më shumë hapësirë në tekstet shkollore serbe, se sa më parë. Sidoqoftë, tashmë ata shfaqen thuajse ekskluzivisht “djemtë e këqinj” që persekutojnë serbët përgjatë gjithë 500 vjetëve të fundit, kjo në përputhje me kursin politik të ndjekur prej Millosheviçit kundrejt shqiptarëve.
Kështu që imazhi i shqiptarëve si armiq të përjetshëm të serbëve u transmetohej të gjitha gjeneratave pasuese serbe sa më shumë që mundej. Një mësim i tillë historie, i mpleksur me mjete të tjera të propagandës, rënies ekonomike, shtypjes politike dhe, së fundmi, por jo e fundit nga rëndësia, nacionalizmi i hasur edhe në një pjesë të vetë shqiptarëve, ushqen konfliktin e armatosur dhe mungesën e dëshirës për pajtim. Mes shumë detyrave madhore që i shtrohen për zgjidhje qeverisë së re demokratike serbe, detyra e revizionimit të kurrikulave dhe teksteve shkollore që do t’ua mundësonin studentëve mësimin e së vërtetës rreth kombit të tyre dhe atyre fqinje, dhe aplikimit të njohurive të tyre në mënyrë kritike, po kthehet në një imperativ. Kjo detyrë gjithashtu u del përpara edhe autorëve të teksteve të historisë, të cilët duhet të përpiqen të çbëjnë atë që bënë paraardhësit e tyre, që u shërbyen me zell të njejtë si komunistëve, ashtu dhe Millosheviçit. Ky process, ka nisur të vihet në zbatim me hapa të ngadaltë, vetëm vitin e fundit.
