Në mbledhjen e fundit të qeverisë një ndër vendimet ishte dhënia e lejes së radhës për import plehrash, kësaj here destinacioni i plehrave plastike ishte një fabrikë në Kavajë. Deri këtu nuk ka ndonjë lajm të madh, pasi janë dhënë dhe mjaft leje të tjera, që kapin mijëra e mijëra ton plehra brenda 1 viti. Lajmi tjetër i fundit është se Ministria e Mjedisit do të bëjë takim me publikun 1 ditë pas festës së Krishtlindjeve në Sarandë, ku gjoja publiku do të dëgjojë se sa të mira janë plehrat që do vinë nga Greqia për në Sarandë, nëpërmjet pikës së doganës së Qafë Botës dhe të Kakavijës. Pra motorët e rrethimit të vendit me plehra janë ndezur. Një pikë tjetër që do sjellë mijëra ton plehra plastike nga Greqia, për të cilën leja është marrë disa javë më parë është pika doganore e Kapshticës. Këto i pret fabrika e ngritur në Devoll pranë kufirit (vini re: jo në Korçë). Kjo fabrikë tashmë ka filluar të bluajë plehrat e Greqisë. Jashtëqitjet e saj të gjitha derdhen e do derdhen për shumë vite në Devoll. Një tjetër fabrikë plastike që ndodhet në Shupenzë të Peshkopisë ka kapur plehrat e Maqedonisë dhe do i sjellë ato nga dogana e Bllatës. Qafë Thana gjithashtu nuk mbetet pa zhdoganuar plehra, madje me sasi shumë të mëdha, pasi është “specializuar” për skrap hekuri nga Serbia. Por kampionin e mban dogana e Bajzës, ku skrapi vjen me tren çdo javë. Leja për import skrapi është dhënë për 600.000 ton qysh në fund të vitit të kaluar.
Nëse pikat doganore tokësore janë më të specializuara për plehrat e vendeve fqinjë, Porti i Durrësit po mbledh plehra nga gjithë bota, të cilat për lehtësi infrastrukturore penetrojnë deri në Tiranë e deri edhe në Berat. Kushdo e kupton se fabrikat e plastikës nuk janë instaluar pranë doganave për të ricikluar plastikat e Shqipërisë, por qëllimisht për import plehrash gjoja për riciklim por në thelb për depozitim. Rrethimi i plehrave sapo ka filluar. Të gjithë e kuptojnë se sa më shumë afrohen zgjedhjet aq më shumë do rritet prurja e plehrave në Shqipëri. Plehrasjellësit duket nuk i tremben as referendumit të kërkuar ng Aleanca Kundër Importit të Plehrave për ndalimin e importit të plehrave, i cili po pret kohën 2 mujore (janar- shkurt) të shqyrtimit të kushtetueshmërisë së tij, e më pas shpalljen e datës së referendumit prej presidentit.
Shqiptarët e ndershëm duhet të bëjnë kujdes se rrethimi i plehrave nuk është rrethim që zmbrapset, ai është rrethim që vetëm ngushtohet e të merr frymën.