Shkencëtarët globalë kanë kritikuar planet e qeverisë së Britanisë për të hequr thuajse të gjitha masat anti-Covid, duke e quajtur një vendim jo etik dhe të rrezikshëm për gjithë planetin.
Gjatë një samiti virtual të së premtes, shkencëtarët kryesorë dhe këshilltarët qeveritarë nga e gjithë bota paralajmëruan se Britania po shkon drejt katastrofës duke hequr kufizimet nga dita e hënë.

Janë më shumë se një 1200 shkencëtarë të cilët kanë publikuar një letër në revistën mjekësore Lancet ku thonë se planet e Boris Johnson janë të rrezikshme dhe të parakohshme.
Boris Johnson ka thënë se masat do të hiqen nga e hëna dhe se ky do të jetë një vendim i pakthyeshëm, ndërsa vetë është futur në izolim ‘i detyruar’ sipas ligjit pasi ministri i Shëndetësisë rezltoi i infektuar me Covid.
Ai justifikohet me faktin se masat duhen hequr tani pasi në vjeshtë pritet të ketë infektime natyrale edhe me hapjen e shkollave.
Christina Pagel, drejtoresha e Njësisë së Kërkimeve Operative Klinike të UCL të Londrës, paralajmëroi se ka potencial që një variant i ri i Covid të shfaqet këtë verë.
“Çdo mutacion që mund të infektojë më shumë njerëzit e vaksinuar ka një avantazh të madh në përzgjedhje dhe mund të përhapet. Dhe për shkak të pozicionit tonë si një qendër globale udhëtimesh, çdo variant që bëhet dominues në Britani ka të ngjarë të përhapet në pjesën tjetër të botës ne e pamë atë me variantin alfa, dhe unë jam plotësisht e sigurt që kemi kontribuar në rritjen e varianteve Delta në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Politika e Britanisë nuk ndikon vetëm tek ne, por i prek të gjithë pra- të gjithë kanë një interes në atë që bëjmë ne”.
Ndërsa epidemiologu klinik Deepti Gurdasani, postoi një status në Twitter ku shkruante: “Bota po shikon krizën aktuale të shmangshme të shpaloset në Britani”.
e.r/dita
