Rrezikoni nga Astma, ja faktorët që e nxisin

Pranvera Kola

 

Astma është një nga sëmundjet kronike jo të transmetueshme të rrugëve të frymëmarrjes, gjatë të cilës ato pezmatohen dhe ngushtohen. Sëmundja karakterizohet nga kriza të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllima gjatë saj, të cilat ndryshojnë në ashpërsi dhe frekuencë nga personi në person.

Tek individët e prekur simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë, ose në javë, dhe për disa të tjerë, ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik, ose gjatë natës. Gjatë krizës së astmës, tubat bronkial enjten duke shkaktuar ngushtimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe zvogëlimin e lëvizjes së ajrit brenda apo jashtë mushkërive.

“Simptomat e përsëritura të astmës shpesh shkaktojnë pagjumësi, lodhje, reduktim të aktivitetit jetësor të individëve, sidomos në shkollë dhe në punë. Astma ka një shkallë relativisht të ulët të vdekshmërisë në krahasim me sëmundjet e tjera kronike. Megjithatë ajo mbetet një ndër sëmundjet më të nënvlerësuara në trajtim”, shkruan Dita.

Autoritetet e shëndetit publik bëjnë me dije se shkaqet kryesore të astmës nuk janë sqaruar ende plotësisht. Por ndër faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e astmës janë një kombinim i predispozicionit gjenetik me ekspozimin mjedisor ndaj substancave dhe grimcave që mund të thithen nëpërmjet ajrit, të cilat mund të provokojnë reaksione alergjike, ose mund të acarojnë rrugët e frymëmarrjes.

Në këtë grup përfshihen: “Alergjenet e brendshme, pluhurat në shtëpi, (në shtretër, qilima dhe mobiljet), apo parazitët e ndryshëm si furrtarja e zezë, alergjenet në natyrë (të tilla si poleni dhe myku), kafshët shtëpiake, tymi i duhanit, alergjenet kimike në vendin e punës, ndotja e ajrit, etj”.

Shkaktarë të tjerë që provokojnë krizat e astmës mund të jenë edhe ajri i ftohtë, ngacmimet ekstreme emocionale, si: zemërimi ose frika, si dhe aktiviteti fizik.

Po ashtu edhe medikamente të caktuara mund të shkaktojnë astmë, siç është aspirina dhe medikamente të tjera josteroide antiinflamatore dhe beta-bllokuese (të cilat përdoren për të trajtuar presionin e lartë të gjakut, zemrën dhe migrenën).

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *