Rrezikoni nga yndyrat e larta në gjak, ja ç’duhet të bëni

Pranvera Kola

Niveli i lartë i yndyrave në gjak është përgjegjësi kryesor në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare dhe shumë sëmundjeve të tjera kronike, të cilat nëse nuk marrin në kohë ndihmën e duhur mjekësore, mbartin pasoja të rënda për shëndetin. Abuzimi me regjimin ushqimor, të pasur me nivel të lartë yndyrash shtazore, mungesa e aktivitetit fizik, konsumi i duhanit dhe alkoolit në sasi të mëdha, bëjnë që kolesteroli (yndyrat) të jetë në shifra të larta, duke e vënë organizmin përballë problemeve të shumta shëndetësore. Sëmundja që njihet ndryshe edhe si “hiperkolesterolemia”, gjatë viteve të fundit po shfaqet në masë edhe tek fëmijët dhe moshat më të reja, duke thyer kështu mitet se nga niveli i lartë i yndyrave vuajnë vetëm të rriturit, kryesisht të moshuarit. Shkak për rritjen e yndyrave në gjak mund të bëhen edhe sëmundje të caktuara.

Edhe pse në vetvete nuk paraqet shenja klinike të dukshme, rekomandohet ndjekja e kontrolleve periodike për matjen e nivelit të yndyrave në gjak. Sa i përket terapisë medikamentoze (ku përfshihet grupi i statinave), ajo bëhet vetëm më këshillimin e mjekut. Sot rekomandohet me forcë ndryshimi i stilit të jetesës, ku përfshihet ndërprerja e duhanit dhe alkoolit, rritja e aktivitetit fizik dhe mbajtja e një peshe të shëndetshme.

Në dietat e shëndetshme përfshihet kufizimi i yndyrave shtazore, i sheqernave, brumërave dhe sidomos ushqimet e shpejta (fast-food). Duhen përdorur sa më shumë perime dhe fruta të freskëta. Gjithashtu këshillohet kufizimi i mishrave të kuq dhe përdorimi i gjerë i peshkut dhe pulës. E rëndësishme është edhe shpërndarja e ushqimit në disa vakte për t’i dhënë mundësi organizmit të punojë vazhdimisht dhe pa u sforcuar. Aktiviteti fizik mbetet më i rëndësishmi në rritjen e metabolizmit dhe djegien e kalorive.

 

Disa këshilla që nuk duhen neglizhuar për një stil të shëndetshëm jetese  

  • Mbani një peshë të shëndetshme, vetëm duke vepruar në këtë mënyrë ju do të ulni presionin e lartë të gjakut, si dhe raportit të yndyrave.
  • Kryeni aktivitet fizik rreth 150 minuta në javë, të shpërndarë në ditët e javës. Në mënyrë që stërvitja të jetë e vlefshme, ju duhet të ndiheni më të ngrohtë, me frymëmarrje më të shpeshtë, dhe zemra duhet t’ju rrahë më fort se normalisht.
  • Ushqehuni me sa më shumë fruta dhe zarzavate çdo ditë, konsumojini ato më mirë të gjalla ose lehtësisht të pjekura sesa të ziera, për të marrë maksimumin e lëndëve ushqyese, shmangni ushqimet e skuqura.
  • Përdorni sa më pak kripë në ushqimet tuaja mos harroni sasinë e madhe të kripës që ndodhet në ushqimet e përpunuara, bukë dhe drithëra, prandaj lexoni gjithmonë etiketat.
  • Përdorni sa më pak yndyrë dhe sheqer, kontrolloni gjithmonë etiketën dhe jini veçanërisht të kujdesshëm ndaj yndyrave të hidrogjenizuara dhe sheqernave “të fshehura”, si: saharoza, dekstroza, fruktoza dhe glukoza.
  • Mos pini duhan, ai bllokon arteriet më shpejt, dhe shkakton shumë probleme të tjera shëndetësore.
  • Reduktoni sasinë e kafeinës që konsumoni, mbani mend, kafeina gjendet në pijet e gazuara, si dhe në kafe dhe çaj.
  • Mos pini shumë alkool, respektoni rekomandimet e konsumit ditor të alkoolit.
  • Shtoni sa më shumë panxhar dhe lëng panxhari në dietën tuaj, ata janë veçanërisht të dobishëm për uljen e presionit të gjakut.
  • Përpiquni të rehatoheni nga stresi, pasi ky i fundit kontribuon në shfaqjen e shumë sëmundjeve.

 

p.k/dita

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *