Viti që lamë pas dhe pesë muajt e parë të këtij viti janë pasqyrë e një vargu falimentimesh në ekonominë shqiptare,
sidomos mes bizneseve të vogla. Falimentimet e biznesit të vogël nuk lënë bujë e zhurmë, por kur janë masive, rrezikojnë shëndetin e gjithë ekonomisë. Shifra e një falimentim biznesi çdo një orë duket se është shumë pranë së vërtetës. Bizneset, sidomos ato familjare po shkojne fatalisht drejt rrënimit, si pasojë e taksës së sheshtë, gjobave arbitrare fiskale,
rënies së fuqisë blerëse dhe varfërisë. Këto kanë bërë që të shtohen listat e borxheve dhe borxhlinjve në dyqanet
ushqimore dhe të shërbimeve të tjera parësore për popullatën. Edhe biznesi i konsoliduar është shumë i pakënaqur me punën e qeverisë. Dhomat e Tregtisë, ato amerikane, gjermane dhe angleze si dhe Konfindustria, kohët e fundit kanë adresuar akuza serioze për korrupsion ndaj administratës tatimore dhe doganore. Theksojnë problemin akut të
mosrimbursimit në kohë të Taksës mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-së). Për këtë çështje u detyrua të shkonte tek
ministri Bode përfaqësuesi i ambasadës amerikane. Shumë biznese edhe të mëdha sot rrezikojnë seriozisht falimentimin, nëse qeveria nuk paguan borxhet ndaj tyre. Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë se Tiranës, janë rreth 660 kompani që ofrojnë shërbime publike të cilat kanë mbetur peng të moslikujdimit të detyrimeve nga shteti. Deri tani, faturat e papaguara, që qeveria ju ka sipërmarresve private për punët publike të kryera përfaqësojnë një borxh mbi 200 milionë euro. Shoqatat e biznesit po bëjnë apele të thekshme për ndërhyrje të shpejtë, pasi sipas tyre, kjo situatë po e fut biznesin në kolaps. Praktikisht, edhe sipërmarrja e madhe ka hyrë në një qerthull pa krye. Lobistë të saj i kanë bërë shpesh thirrje qeverisë që të miratojë dhe zbatojë me procedurë të përshpejtuar akte ligjore për kompensimin ose pezullimin e afateve të pagesave për detyrimet tatimore si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe Tatim -Fitimi, në favor të të gjitha kompanive private, kur shuma e detyrimit që sistemi i buxhetit të shtetit i ka këtyre kompanive, është më e madhe se shuma e detyrimeve tatimore që kompanitë kanë për të shlyer. Por qeveria ka bërë shurdh-memecin. Në gjendje drejt dëshpërimit janë edhe bizneset e sektorit dikur më shpresëplotë të ekporteve shqiptare, prodhimeve fason. Bizneset që punojnë me mall të porositur kanë përsëritur këto ditë deklaratat se ato rrezikojnë të falimentojnë plotësisht për shkak të krizës ekonomike, e cila në këtë sektor, sipas tyre, është shumë e rëndë. Përfaqësues të këtyre bizneseve kane kërkuar nga qeveria shqiptare të ndërhyjë shumë shpejt, në mënyrë që këto biznese shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare të mbijetojnë. Ata kërkuan lehtësimin e barrës fiskale, duke i çliruar ata nga pagat referencë që përdor qeveria për të mbledhur tatimi-fitimin dhe kontributin e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, kërkuan që qeveria të shtyjë për një afat deri në gjashtë muaj pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore për punonjësit e rinj, si edhe të ndihmojë në masa të tjera, të cilat do të mund të ulin kostot. Por qeveria nuk lëkundet nga niveli i tashëm i pagave referencë, edhe pse kërdia e falimentimeve po i afrohet sektorit. Në prodhimet fason prania e krizës është aq e dukshme, sa shitjet kanë rënë ashpërsisht me rreth 50% dhe kontratat e reja të nënshkruara për këtë vit me blerësit në tregun e huaj janë dukshëm më të ulëta sesa gjatë vitit 2012. Konkurrenca në këtë treg është e madhe, ndërkohë që biznesi shqiptar është duke patur probleme shumë më të mëdha pas futjes së pagave referencë. Kjo ka bërë që në vende të ndryshme të rajonit të zhvillohen biznese të tilla, të cilat fitojnë gjithnjë e më shumë treg. Prodhimet kineze gjithashtu janë një tjetër konkurrencë e ashpër. Prodhuesit me fason janë ndër zërat më të rëndësishëm të ekonomisë, me rreth 56% të totalit të eksporteve të vendit. Ata kanë të punësuar më shumë se 65 mijë punonjës, kryesisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër etj. Nëse falimentojnë edhe ata, ekonomisë do t’i mungojë një nga shtyllat ku ajo mbahet aktualisht.
1 Comment
kete artikull vendoseni perballe ridvan dhendrit qe t’ja u komentoje qytetarve te kolonjes dhe korces