Rreziku i vërtetë i Brexit

redaktor

Më në fund, beteja është pranuar. David Cameron ka bërë thirrje për referendum mbi anëtarësimin e Britanisë në Bashkimin Europian më 23 qershor, duke premtuar një fushatë të fuqishme për qëndrim në bllok. Ajo që filloi si një manovër për të mbajtur së bashku partinë e tij të përçarë konservatore, po kthehet në një garë alarmuese deri në pikën e fundit, shkruan The Economist. Tregjet parashikojnë se britanikët priret të favorizojnë largimin; disa sondazhe sugjerojnë se votuesit janë ndarë në mënyrë të barabartë; disa ministra të kabinetit po bëjnë fushatë për Brexit.

Ekziston një shans real që në një periudhë prej katër muajsh Britania mund të hidhet jashtë brigjeve të Europës.

Ky do të ishte një lajm i rëndë – dhe jo vetëm për Britaninë. Vota për largim do ta dëmtonte ekonominë, sigurisht që në afat të shkurtër dhe edhe ndoshta në një periudhë afatgjatë. (Teksa tregjet financiare kanë perceptuar perspektivën, paundi këtë javë ka rënë në nivelin më të ulët kundrejt dollarit që nga viti 2009).

Kjo do të rrezikonte sigurinë e Britanisë, ndërsa kërcënimet nga terroristët dhe fuqitë e huaja janë më të ashpra se kurrë. Dhe larg pretendimit për të rifituar sovranitetin, britanikët do të refuzonin objektivin, duke hequr dorë nga anëtarësimi i një klubi të fuqishëm veprimet e të cilit ata mund t’i ndikojnë më mirë nga brenda se sa jashtë tij. Ata që gjenden jashtë Britanisë që mendojnë për këtë akt të propozuar vetëlëndimi duhet gjithashtu të shqetësohen për veten.

Brexit do t’i jepte një goditje të rëndë Europës, një kontinent që tashmë gjendet me shpatulla pas muri. Ajo do të shkëpusë ekonominë e pestë më të madhe në botë nga tregu i saj më i madh, dhe shpenzuesin e pestë më të madh në mbrojtje nga aleatët e saj. Më e varfër, më pak e sigurt dhe e përçarë, BE-ja e re do të jetë më e dobët; Perëndimi, varur nga forcat balancuese të Amerikës dhe të Europës, do të ligështohet gjithashtu.

 

Ëndrrat bëhen realitet

Brexiters (personat që favorizojnë largimin e Britanisë nga BE-ja) janë të mendimit se Britania po “tërhiqet” nga Europa: e lirë, ajo mund të rritet si një ekonomi e hapur që vazhdon të tregtojë me BE-në dhe të gjithë botën. Kjo është e mundur në teori, por, praktikisht do të ndodhte ndryshe. Minimalisht, BE-ja do të lejonte qasje të plotë në tregun e saj, vetëm në këmbim të respektimit të rregullave që euroskeptikët janë të etur t’i kundërshtojnë.

Nëse Norvegjia dhe Zvicra (marrëveshjet e të cilëve me BE-në i adhurojnë shumë brexiter) do të shërbenin si udhëzues, bashkimi do të kërkonte edhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe një pagesë të madhe për buxhetin e tij përpara se të lejonte qasje të lirë në treg.

Më keq akoma, BE-ja do të kishte një nxitje të fortë për të imponuar një zgjidhje të ashpër për të dekurajuar vendet e tjera të largohen. Pretendimi i kampit Brexit se Europa ka nevojë për Britaninë më shumë se e anasjella nuk është realiste: BE-ja siguron pothuajse gjysmën e eksporteve të Britanisë, ndërsa Britania merr më pak se 10% të BE-së; dhe deficiti tregtar britanik është më së shumti me gjermanët dhe spanjollët, jo me 25 vendet e tjera që do të duhet të bien dakord për një marrëveshje të re të tregtisë. Për disa euroskeptikë, këto vështirësi do të ishin të vlefshme në qoftë se do të pretendonin të “rifitonin sovranitetin e plotë” nga Europa, burokratët dhe gjyqtarët e së cilës ndërhyjnë në çdo gjë, që nga shpërblimet e bankierëve e deri tek afatet e kohës së punës. Megjithatë, fitimi do të ishte pjesërisht iluzion. Në një botë të globalizuar, pushteti domosdoshmërisht që grumbullohet dhe tregtohet:

Britania heq dorë nga sovraniteti në këmbim të avantazhit nëpërmjet anëtarësimeve të saj në NATO, FMN dhe institucione të tjera të panumërta të tjera të ndarjes së pushtetit dhe vendosjes së sundimit. Nënshkrimi i traktateve të tregtisë, energjisë bërthamore apo mjedisit përfshin nënshtrimin ndaj rregullave të përcaktuara së bashku me të huajt, në këmbim të përfitimeve më të mëdha.

Britania jashtë BE-së do të ishte në hije: teorikisht e pavarur nga ajo, por në fakt ende e kufizuar nga ajo. Ky do të ishte një lloj më i pastër, por më i pafuqishëm sovraniteti.

Një përjashtim është emigracioni, fusha për të cilën shumë euroskeptikë kërkojnë më shumë kontroll.

Gjysma e emigrantëve të Britanisë vijnë nga BE-ja, dhe qeveria ka fare pak fuqi që t’i ndalojë. Nëse Britania largohet nga bashkimi, atëherë do të mund të bënte diçka. Por, kjo do të kishte një kosto të dyfishtë. Fitimi i së drejtës për të ndaluar emigracionin nga BE-ja me siguri që nënkupton të humbasësh qasjen e plotë në tregun e vetëm.

Dhe reduktimi i numrit të emigrantëve do të dëmtonte bizneset e Britanisë dhe shërbimet publike, të cilët mbështeten në bankierët francezë, ndërtuesit bullgarë dhe mjekët italianë.

 

Një shqetësim global

Kostot më afatgjata do të shkonin përtej ekonomisë. Brexit mund të sillte edhe kolapsin e vetë Mbretërisë së Bashkuar. Skocia, më shumë eurofile se Anglia, është sërish e ekzaltuar për divorc; në qoftë se Britania vendos të largohet nga Europa, atëherë skocezët mund të kenë më në fund një arsye.

Brexit mund të trazonte në mënyrë të rrezikshme edhe Irlandën Veriore, ku procesi i paqes gjatë dy dekadave është varur në faktin se si Irlanda ashtu dhe Britania janë anëtarë të BE-së. Qeveria irlandeze është ndër mbështetësit më të zëshëm të huaj të fushatës për qëndrimin e Britanisë në bllok.

Irlanda nuk është i vetmi vend që do të vuante. Liderët europianë e dinë se Brexit do të dobësonte një klub tashmë në telashe të mëdha nga çështje të tilla si migrimi dhe kriza e euros. Dhe Europa do të ishte më e varfër pa zërin e Britanisë: më e dominuar nga Gjermania; dhe, me siguri, më pak liberale, më proteksioniste dhe më shumë introverte. Lidhjet e Europës me Amerikën do të dobësoheshin. Mbi të gjitha, humbja e fuqisë së saj më të madhe ushtarake dhe aktorit më të rëndësishëm të politikës së jashtme do të dobësonte seriozisht BE-në në botë.

BE-ja është bërë një pjesë gjithmonë e më e rëndësishme e politikës së jashtme dhe e sigurisë së Perëndimit, si në rast me marrëveshjen bërthamore me Iranin, kërcënimin e terrorizmit islamik apo vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Pa Britaninë, do të ishte më e vështirë që BE-ja të kishte të tillë peshë globale – një humbje e madhe për Perëndimin në një fqinjë të trazuar, nga Rusia përmes Sirisë deri në Afrikën e Veriut.

Nuk është çudi që Vladimir Putin i Rusisë favorizon Brexit – dhe Barack Obama i Amerikës jo. Euroskeptikët do të tregoheshin ditëshkurtër nëse janë indiferent ndaj kësaj. Një Europë më e dobësuar do të ishte padyshim diçka e keqe për Britaninë, gjeografia e së cilës, ndryshe nga politika e saj, është fikse.

Shumë varet nga gara e ngushtë në proces. Për ata që besojnë në tregtinë e lirë dhe lirinë e lëvizjes, përfitimet e Britanisë nga anëtarësimi i saj në BE nuk kanë qenë kurrë më të dyshimta. Gjithmonë e më shumë skeptikë duhet të kuptojnë se Brexit do e dobësonte Europën dhe Perëndimin. Rreziqet në “lojën e fatit” të zotit Cameron janë të larta; nëse dështon, humbjet do të ndihen pa masë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *