Rreziku nga hepatiti dhe HIV, arsyet pse është i domosdoshëm testimi i hershëm

Ornela

Mungesa e testimeve të hershme, ka bërë që të shtohet numri i personave që preken nga sëmundjet infektive, veçanërisht nga hepatitet dhe HIV. Autoritetet e shëndetit publik vënë në dukje se fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e pacientëve nuk e dinë që janë të prekur nga këto dy sëmundje, e për rrjedhojë arrijnë t’i zbulojnë në stade të vona, kohë në të cilën edhe trajtimet mund të mos jenë efikase për shëndetin.

Në kuadër të “Javës Evropiane të Testimit për Hepatit dhe HIV”, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për më shumë ndërgjegjësimin në kryerjen e testeve diagnostikuese të këtyre sëmundjeve sa më herët që të jetë e mundur. Sipas tyre, kjo javë ofron mundësi për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me përfitimet e testimit për HIV dhe hepatit, në mënyrë që sa më shumë njerëz të informohen për sjelljet që i vendosin ata në rrezik për t’u infektuar nga Hepatiti dhe HIV-i, dhe të kuptojnë se aktualisht ka trajtim efektiv në dispozicion.

“Në ditët e sotme, të paktën një në katër njerëz që jetojnë me HIV në Evropë nuk janë në dijeni se janë pozitiv. Gjysma e atyre që jetojnë me HIV janë diagnostikuar vonë, gjë që vonon qasjen në trajtim. Po ashtu, edhe hepatiti B dhe C janë mjaft të zakonshëm te njerëzit në rrezik për hepatit, apo ata që jetojnë me HIV. Meqë sëmundja është shpesh pa shenja dhe nuk trajtohet, ajo kalon në hepatit kronik që është shkaku kryesor i cirrozës dhe i kancerit të mëlçisë. Shumica e njerëzve me hepatit C mbeten të padiagnostikuar, dhe vetëm një pakicë e vogël marrin trajtim”, vënë në dukje ekspertët e ISHP-së.

Duke qenë se përparimet në trajtimin e HIV-it nënkuptojnë që njerëzit që jetojnë me këtë sëmundje mund të jetojnë të shëndetshëm për një kohë më të gjatë nëse ata diagnostikohen herët, ndërsa ata me hepatit C mund të shërohen, nuk duhet të neglizhohet kryerja e testimeve të hershme diagnostikuese. Kur njerëzit diagnostikohen me HIV, ose me hepatit me vonesë, ata kanë më pak gjasa të reagojnë mirë ndaj trajtimit, dhe kanë më shumë gjasa të kenë ndërlikime të rënda shëndetësore.

Përfitimet për trajtimin e HIV

Ata që diagnostikohen herët me HIV kanë më shumë gjasa të përgjigjen mirë ndaj trajtimit dhe të jetojnë më shëndetshëm dhe më gjatë.

Diagnoza dhe trajtimi i hershëm mund të zvogëlojë gjasat e transmetimit të mëtejshëm të sëmundjes tek të tjerët.

Ndërsa pacientët që diagnostikohen më vonë kanë më shumë gjasa të kenë ndërlikime shëndetësore dhe vdekje të parakohshme.

Përfitimet për trajtimin e hepatit

Pacientët që diagnostikohen më vonë kanë më shumë gjasa të vuajnë nga ndërlikime shëndetësore, të tilla si cirroza ose kanceri i mëlçisë. Diagnoza dhe trajtimi i hershëm mund të zvogëlojnë gjasat e transmetimit të mëtejshëm tek të tjerët.

“Java Evropiane e Testimit për Hepatit dhe HIV u organizua për herë të parë në vitin 2013, për të promovuar përfitimet e testimit dhe trajtimit të hershëm të HIV-it. Në vitin 2015 java e testimit u zgjerua duke përfshirë edhe Hepatitin, për shkak të bashkinfeksionit dhe faktit se rrugët e transmetimit të Hepatitit B dhe C janë pothuaj të njëjta me atë të HIV-it. Mesazhi i i këtij viti është: “Testohu, trajtohu, dhe parandalo!”./DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *