Pranvera Kola – DITA
Mungesa e informimit dhe qasjes në përdorimin e metodave kontraceptive bën që rreziku për sëmundjet seksualisht të transmtueshme, si dhe shtatzanitë e padëshiruara të jete mjaft i lartë, jo vetëm tek të rinjtë, por edhe në moshat më të rritura.
Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit rezulton se në të gjithë botën çdo vit rreth 41 për qind e shtatzënive janë të padëshiruara dhe më shumë se gjysma e tyre përfundojnë në abort.
Këto shtatzani të padëshiruara ndodhin kryesisht tek femrat që nuk përdorin asnjë metodë kontraceptive, teksa mund të vijnë edhe nga përdorimi jokorrekt i tyre, shpesh për shkak të mungesës së njohurive mbi përdorimin e metodave kontraceptive.
Po ashtu mjaft problematike raportohet të jetë edhe përhapja e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, veçanërisht në moshat e reja. Përballë këtij rreziku, si dhe në kuadër edhe të “Ditës Botërore të Kontracepsionit”, edhe në vendin tonë strukturat e shëndetit publik kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi për përfitimet e planifikimit familjar dhe njohjen e metodave të kontracepsionit veçanërisht në radhët e të rinjve.
Ekspertja e shëndetit riprodhues në ISHP, Lumturi Mërkuri thekson se të rinjtë duhet që të inkurajohen më shumë në njohjen dhe përdorimin e kontracepsionin në planet e tyre për të ardhmen, për parandalimin e shtatzënive të paplanifikuara dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Sipas saj, disa metoda të planifikimit familjar, si për shembull kondomi, ndihmojnë në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.
“Planifikimi familjar i lejon njerëzit të arrijnë numrin e tyre të dëshiruar të fëmijëve, dhe të përcaktojnë ndarjen midis shtatzënive. Kjo arrihet përmes përdorimit të metodave kontraceptive (dhe trajtimit të infertilitetit). Duke parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, planifikimi familjar parandalon edhe vdekjen e nënave dhe fëmijëve. N
jë femër përpara se të fillojë përdorimin e një metode kontraceptive duhet konsultohet me personelin shëndetësor. Ai ndihmon në zgjedhjen e metodës që do të përdoret, si dhe do të japë informacion më të hollësishëm për metodën e zgjedhur”, vë në dukje mjekja Mërkuri, teksa shton se disa prej metodave të kontracepsionit ofrohen falas edhe në qendrat shëndetësore dhe strukturat spitalore.
Në Shqipëri, shërbimet e planifikimit familjar kanë filluar me liberalizimin e abortit në prill të vitit 1991 dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 226 27/05/1992, lejoi ofrimin e këtyre shërbimeve. Nga janari i 1996 kontraceptivët ofrohen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore publike, si të nivelit parësor, dytësor, dhe tretësor. Në vijim të shkrimit specialistja Mërkuri detajon përfitimet që sjell njohja dhe përdorimi i këtyre metodave kontraceptive, si dhe planifikimit familjar në tërësi.
- Parandalon ndërlikimet shëndetësore të lidhura me shtatzëninë te gratë
Aftësia e një gruaje për të zgjedhur nëse dhe kur duhet të jetë shtatzënë, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe mirëqenien e saj. Planifikimi familjar mundëson vonimin e shtatzënisë dhe pakëson rrezikun për probleme shëndetësore dhe vdekje prej shtatzënive në moshë të hershme. Ai parandalon shtatzënitë e padëshiruara, edhe te gratë në moshë të madhe që përballen me rreziqe të larta që lidhen me shtatzëninë. Planifikimi familjar u mundëson grave që dëshirojnë, të kufizojnë madhësinë e familjeve të tyre. Evidencat tregojnë se gratë që kanë më shumë se katër fëmijë janë në rrezik në rritje për vdekshmëri amtare. Duke reduktuar shkallën e shtatzënive të padëshiruara, planifikimi familjar gjithashtu redukton nevojën për abort të pasigurt, dhe rrjedhimisht redukton vdekjet prej këtyre aborteve.
- Redukton shtatzënitë tek adoleshentet
Shumë vajza adoleshente që mbeten shtatzënë duhet të lënë shkollën. Kjo ka implikime afatgjata për ato si individë, por edhe për familjet dhe komunitetet e tyre. Adoleshentet shtatzëna kanë më shumë gjasa të kenë lindje parakohe, apo fëmijë me peshë të ulët në lindje. Bebet e lindura nga adoleshentet kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore.
- Redukton vdekshmërinë foshnjore
Përdorimi i planifikimit familjar mund të parandalojë shtatzënitë dhe lindjet afër nga njëra-tjetra, duke kontribuar kështu në nivele më të ulëta të vdekshmërisë foshnjore në botë. Foshnjat e lindura nga një shtatzëni e padëshiruar, kanë norma të larta të vdekshmërisë foshnjore. Foshnjat e nënave që vdesin si pasojë e lindjes, kanë një rrezik më të madh për vdekje e shëndet jo të mirë.
- Ndihmon në parandalimin e HIV/AIDS
Tashmë është faktuar se planifikimi familjar nëpërmjet përdorimit të metodave kontraceptive, zvogëlon rrezikun e shtatzënive të padëshiruara te gratë që jetojnë me HIV, duke rezultuar në foshnje më pak të infektuara, si dhe në më pak jetimë (për shkak të vdekjes së nënave të tyre). Përveç kësaj, prezervativët (si një metodë e planifikimit familjar) sigurojnë mbrojtje të dyfishtë, si kundër shtatzënive të padëshiruara, ashtu dhe kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë këtu edhe HIV.
- Ndihmon në fuqizimin e njerëzve dhe rritjen e arsimimit
Gjithashtu duhet të theksojmë se planifikimi familjar përfaqëson një mundësi për gratë që të ndjekin arsimimin shtesë dhe pjesëmarrjen në jetën publike, duke përfshirë punësimin. Përveç kësaj, familja më e vogël u lejon prindërve të investojnë më shumë në secilin fëmijë. Çiftet me më pak fëmijë janë më në gjendje t’u sigurojnë atyre ushqim, veshje, strehim e shkollim. Fëmijët me më pak vëllezër e motra janë më të prirur për të vazhduar më gjatë shkollimin.
-
Nga janari i 1996 kontraceptivët ofrohen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore publike, më konkretisht në 425 qendra shëndetësore qytet/fshat në tre nivelet e kujdesit shëndetësor, kujdesin parësor, qendrat shëndetësore dhe ambulanca në qytet dhe fshat, në kujdesin shëndetësor dytësor, qendrat e planifikimit familjar në maternitetet e rretheve, kujdesin shëndetësor tretësor që përfshijnë qendrat e gruas pranë Spitaleve Universitare Obstetrik-Gjinekologjik, Materniteti “Nëna Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni” në Tiranë.
-
Kontraceptivët qe ofrohen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore publike jane: pilula, prezervativi, injeksioni, DIU-ja dhe lidhja e tubave.
-
Lidhja e tubave, dhe vendosja e DIU-së në mitër realizohet vetëm në maternitete nga mjekë specialistë obstetër-gjinekolog.
Ja cilat janë disa nga metodat kryesore kontraceptive
Kontraceptivët oralë
Kontraceptiv oral (pilulat, tabletat) janë ndër metodat e kontracepsionit të përdorura më gjerësisht nga femrat, në të gjithë botën që nga viti 1960. Pilulat kontraceptive gjithashtu zvogëlojnë rrezikun për kancerin e mitrës dhe vezoreve. Ato pihen nga goja për aq kohë sa femra dëshiron të mos ngelet shtatzënë. Nëse femra dëshiron të ngelet shtatzënë, mjafton që të ndërpresë pirjen e tabletave, dhe aftësia për të mbetur shtatzënë rikthehet menjëherë. Nëse femra ka diarre, apo të vjella, tabletat nuk thithen plotësisht dhe efekti i tyre zvogëlohet. Në rastet kur harrohet të pihet një tabletë, efekti i tyre zvogëlohet dhe rritet mundësia për një shtatzëni. Kontraceptivët oralë janë dy llojesh: pilula e kombinuar orale që përmban dy hormone (estrogjen e progesteron), dhe pilula vetëm me progesteron. Kjo e fundit mund të përdoret dhe nga gratë që janë duke ushqyer fëmijën me gji, por është e rëndësishme që të merret në të njëjtën kohë çdo ditë.
Kontracepsioni injektabël
Kjo metodë ka të bëjë me injeksion në muskul dhe aplikohet nga personeli shëndetësor 1 herë në 2 apo 3 muaj, në varësi të llojit të kontraceptivit. Nëse shkohet për injeksionin pasardhës me 2 javë vonesë, kjo nuk ka siguri. Injeksioni është metodë e sigurt, e kthyeshme dhe afatgjatë, si dhe mund të përdoret nga femrat e çdo moshe dhe nuk kërkon përdorim ditor.
Kontracepsioni i urgjencës
Pilula e urgjencës është menduar për përdorim emergjent (prandaj quhet dhe kontracepsioni i urgjencës), në situata pas një marrëdhënie seksuale kur nuk janë përdorur kontraceptivët. Kontracepsioni i urgjencës mund të përdoret në një numër situatash, mbas një marrëdhënieje seksuale të pambrojtur që përfshijnë: “Kur nuk është përdorur asnjë kontraceptiv, në raste përdhunimi, apo seksi të detyruar pa përdorur një metodë kontraceptive, kur ka një dështim të përdorimit të metodës, ose përdorimi i pasaktë i saj (si çarje të prezervativit, shkarje, ose përdorimi i pasaktë i tij, harresa e pilulave, marrja me më shumë se 2 javë vonesë e injeksionit, tërheqje dështuar). Kontraceptivi i urgjencës duhet të merret brenda 5 ditëve pas një marrëdhënie të pambrojtur. Nëse një grua pa dashje merr pilula emergjente pasi është shtatzënë, pilula nuk dëmton nënën apo fetusin. Një femër mund të furnizohet paraprakisht me kontraceptiv emergjence që ajo t’i ketë në dispozicion kur është e nevojshme, dhe mund t’i marrë sa më shpejt që të jetë e mundur pas marrëdhënieve të pambrojtura.
Dispozitivi Intra Uterin-DIU
Dispozitivi Intra Uterin-DIU aparati, spiralja, tubi, sterileja, etj) është një tub i vogël fleksibël, i cili vendoset në mitër nëpërmjet vaginës nga një mjek i specializuar. DIU-ja të mbron nga një shtatzëni e padëshiruar për një kohë të gjatë, që në varësi të DIU-së shkon deri në 10-12 vjet. Ekzistojnë DIU prej bakri dhe hormonale. Nëse femra ndërron mendje dhe dëshiron të ngelet shtatzënë, mjafton të shkojë te mjeku ta heqë dhe aftësia për të ngelur shtatzënë rikthehet menjëherë. Kjo metodë nuk ndikon në marrëdhënien seksuale. DIU-ja mund të vendoset në çdo kohë, por do të ishte mirë menjëherë pas menstruacioneve, pas lindjes ose pas abortit për t’u siguruar që nuk ka ndodhur një shtatzëni. Është mirë gjithashtu, që përpara vendosjes së DIU-së të bëhet një analizë e sekrecioneve vaginale, për t’u siguruar që nuk është prezent ndonjë infeksion.
Prezervativi/kondomi
Është një nga metodat më të thjeshta për t’u përdorur. Prezervativi është e vetmja metodë kontraceptive që siguron mbrojtje të dyfishtë: të mbron njëkohësisht nga një shtatzëni e padëshiruar, dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Prezervativi është një metodë e thjeshtë për t’u përdorur, e sigurt, pa efekte anësore hormonale, nuk ka nevojë për kujdesin e specialistit, i lehtë për ta marrë apo blerë në çdo vend, mund të përdoret nga çdo moshë dhe mund të mbahet lehtësisht me vete.
Metoda të tjera
Metoda kontraceptive të tjera janë: kondomët femërore, metoda e ditëve standarde, implantet, metoda e amenorresë së laktacionit (e ushqyerjes me gji), tërheqja apo metoda tradicionale.
