Rrëzimi i avionit me 300 viktima në Ukrainë, Holanda: U godit nga një raketë

Saimir Lleshi

Bordi i Sigurisë në Holandë pritet të publikojë një raport përfundimtar ku do të bëjë me dije arsyet se pse avioni i Malajzisë Flight MH17 u rrëzua në Ukrainë vitin e shkuar, duke vrarë 298 persona në bord.

Gjetjet paraprake thonë se avioni u godit nga “objekte me energji të lartë” jashtë avionit, duke nxitur spekulimet se për rrëzimin e tij është përdorur një raketë tokë-ajër.

Perëndimi dhe Ukraina bëjnë përgjegjëse Rusinë për rrëzimin e avionit Boeing 777, ndërsa Rusia fajëson Ukrainën. Por raporti që po publikohet nuk bën përgjegjës asnjë palë, raporton BBC-ja. Nga ana tjetër, Rusia pritet të nxjerrë një raport të sajin.

Avioni fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur, ndërsa u rrëzua në pjesën lindore të Ukrainës më 17 korrik të vitit të shkuar, në kulmin e konfliktit midis trupave qeveritare dhe separatistëve pro rusë. Viktimat përfshinin 196 shtetas holandezë dhe 10 britanikë.

Bordi i Sigurisë në Holandë pritet të paraqesë gjetjet e saj për herë të parë për familjet dhe të afërmit e viktimave dhe më pas për gazetarët. Bordi gjithashtu do të tregojë pjesë të avionit që janë kthyer prapa nga rajoni i Donetskut. /Dita/

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *