Qeveria propozon ndryshime të reja në një nga 7 ligjet e paketës së reformës në drejtësi, që u miratuan në 2016.
Bëhet fjalë për ligjin për statusin e gjyqtarëve e të prokurorëve.
Referuar projektligjit të botuar në Faqen Zyrtare të Parlamentit, rezulton se është propozuar ndryshimi i 16 neneve, përmes të cilave synohet të garantohet trasparencë në emërimin dhe promovimin në karrierë të magjistratëve.
Projektligji në fjalë është iniciuar nga deputetët e maxhorancës, Bashkim Fino, Adnor Shameti dhe Alket Hyseni, si dhe dy deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari e Myslim Murrizi.
Nevoja për ndryshimet në ligj, lindi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 2017, e cila pranoi pjesërisht kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve, të cilët kundërshtonin një sërë nenesh të ligjit “Për statusin”, duke i cilësuar si antikushtetuese.
Në relacion, thuhet se “Shtesat dhe ndryshimet e propozuara janë të domosdoshme me qëllim plotësimin e vakuumit ligjor të krijuar nga shfuqizimi i dispozitave që lidhen me shkeljet disiplinore te magjistrateve. Plotësimi i këtij vakuumi ligjor është i nevojshëm për të garantuar zbatimin e parimeve të llogaridhënies dhe përgjegjshmërise së magjistratëve, bazuar në elementët e procesit të rregullt ligjor, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare”.
Nenet më të rëndësishme janë ato që parashikojne dispozitat e shkeljeve disiplinore nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat u shfuqizuan si antikushtetuese.
Dispozitat e propozuara kanë trajtuar në mënyrë të qartë dhe shterruese shkeljet disiplinore duke i ndarë ato në shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit; jashtë ushtrimit të funksionit dhe për shkak të kryerjes së veprës penale.
Kjo e fundit nënkupton rastet kur gjyqtari apo prokurori është dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale, apo kur veprimet dhe mosveprimet e tij konsiderohen sjellje që diskretitojnë rëndë figurën e magjistratit.
Ndryshe nga më herët, kur magjistratëve ndaj të cilëve ka nisur një shkelje disiplinore, iu mohohej e drejta për tu njohura me provat, tashmë ata kanë të drejtën të njihen me dokumentat e dosjes dhe të marrë një kopje të saj, përpara se Këshilli të marrë vendimin.
Megjithatë, ligjvënësi ka parashikuar disa raste, kur gjyqtarit ose prokurorit, i kufizohet e drejta për tu njohur me dosjen dhe kjo ndodh kur shkaktohet një dëm i rëndë për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, apo cenohen të drejtat e një personi tjetër.
Gjithashtu, një tjetër ndryshim lidhet me moshën e pensionit të magjistratëve.
Ndryshimet e propozuara synojnë të vendosin rregulla dhe procedura të qarta për perfundimin e mandatit të gjyqtarëve te Gjykatës së Lartë kur mbushin moshën e pensionit gjatë ushtrimit të funksionit.
Projektligji u është dërguar për konsultim grupeve të interesit dhe gjasat janë që të miratohet në Parlament vjeshtën e këtij viti.
j.l./ dita

Keto ndyshime jane po aq antikushtetuese mbasi thyen regullin e ´te gjithe te barabarte ´para ligjit duke i bere keta pak ma te ´barabarté se qytetare te tjere!!!!
Si nuk i mesuat as mbas 30 vjete alphan e omegan e Drejtesise bre!