Rreziqet e presionit të ulët të gjakut

redaktor

Sot flitet me shumë forcë për rreziqet që ka tensioni i lartë arterial në shëndetin tonë dhe masat parandaluese që duhen marrë për t’i parandaluar këto rreziqe, në mënyrë të veçantë mënyra e ushqyerjes dhe stili i jetesës. Po kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe jetën tonë është edhe rasti kur tensioni arterial është i ulët. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se cilat janë ndërlikimet që vijnë si pasojë e tensionit të ulët të gjakut, si dhe këshillat që nuk duhet t’i neglizhojnë, në mënyrë që të mos përballemi me pasoja të rënda.

 

Por, cilat janë vlerat e tensionit arterial të cilat referojnë për hypotension, ose sicc thuhet në gjuhën e përditshme tensionin e ulët të gjakut?

Hypotensioni ndodh kur zemra nuk ka fuqi mjaftueshëm të punojë për të hedhur në trup sasinë e domosdoshme të gjakut që i nevojitet atij. Çdo individ ka nevojat e tij specifike për sasinë e gjakut që hidhet (pompohet, zemra është një pompë mekanike). Përgjithësisht vlerat normale të presionit arterial konsiderohen 120 me 80 mm Hg (njësia matëse është mmHg, milimetra shtyllë zhive). Por, shumë njerëz kanë një jetë normale edhe kur presioni bie nën këto shifra. Pra, siç e theksova edhe më sipër, nevojat janë individuale, në varësi edhe të aktivitetit që kryen individi dhe të stilit të jetesës. Në këto kushte çdo individ ka normat e tij të presionit arterial dhe shëndeti i tij vihet në rrezik kur presioni i gjakut ulet nën këto vlera dhe në mënyrë të veçantë kur këto vlera bien në mënyrë të papritur për arsye nga më të ndryshmet shëndetësore, pa paralajmërim dhe shoqërohen me shenja alarmuese.

 

Cilat janë simptomat (shenjat) e presionit të ulët arterial?

Simptomat më të zakonshme të hypotensionit mund të përfshijnë vizion të paqartë, zbehje të lëkurës, gjendje depresioni, zalisje (gjendje të fikëti), vështirësi në përqendrim, marramendje, lodhje e përgjithshme, të vjella, frymëmarrje të shpeshta apo të sipërfaqshme.

 

Cilat janë shkaqet më të zakonshme të presionit të ulët arterial?

Ka disa kushte mjekësore në të cilat mund të ulet presioni i gjakut të tilla si :humbja e gjakut (hemorragjitë e ndryshme, operacionet), sëmundje të tiroides, shtatzania infeksionet e ndryshme, reaksionet alergjike, anemitë, mangësitë në ushqyerje, mjekimet që kurojnë zemrën dhe presionin e lartë të gjakut, etj. Nëse tensioni juaj bie nën 30 për qind të vlerave tuaja personale normale atëherë kjo situatë kërkon paraqitjen tek mjeku dhe ekzaminimet e domosdoshme për të evidentuar shkakun. Natyrisht që disa njerëz kanë presion të ulët të gjakut, si për shembull atletët. Në përgjithësi tensioni i ulët është më i mirë se tensioni i lartë i gjakut për sa i përket rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru. Të gjithë e dimë rrezikun e hemorragjive cerebrale nga tensioni i lartë i gjakut. Por, rreziqet për trurin janë shumë të mëdha edhe kur tensioni është i ulët, domethënë që truri nuk furnizohet me sasinë e gjakut që i nevojitet. Po kështu nga mungesa e furnizimit me gjakun e duhur vuajnë edhe organet e tjera si zemra, veshkat, mëlçia, zorrët, etj. Kështu ndodhin ato që quhen ishemi. Pra ishemia nuk ndodh vetëm kur bllokohen enët e gjakut nga trombet apo sklerotizimi i tyre, por edhe kur fluksi i gjakut nuk është në sasinë e duhur. Detyra e veshkave është të eliminojë toksinat (helmet) nga trupi ynë. Por, nëse fluksi i gjakut është i ulët atëherë veshka nuk filtron si duhet dhe substancat toksike mbeten në gjak dhe shkaktojnë dëme për shëndetin. Kur sasia e gjakut është e pamjaftueshme edhe sasia e oksigjenit është e pamjaftueshme, dhe kështu do të ndeshemi me simptoma të tilla si zalisja (ndjenja e të fikëtit), marramendje ose edhe më keq, atakët në tru edhe në zemër.

 

Këshillat, 7 hapat që parandalojnë rrezikun e tensionit të ulët të gjakut

 

  • Natyrisht që kur shenjat që paraqiten janë shqetësuese, duhet të drejtohemi menjëherë te mjeku për të përcaktuar arsyen e vërtetë të kësaj gjendjeje. Kurse ajo që ne vetë mund të ndikojmë dhe të marrim masat parandaluese është mënyra e ushqyerjes.
  • Në qoftë se për presionin e lartë të gjakut rekomandohet kufizimi deri edhe në ndalim të kripës kur problemet janë madhore, në rastin e hypotensionit ajo rekomandohet, por sigurisht me karar sepse edhe ajo ka dëmet e veta. Në këto raste kripa ndihmon në ngritjen e presionit të gjakut dhe rekomandohen produkte të tilla ushqimore si djathi dhe supërat e thata ( paketat me supë të gatshme) që kanë përqendrime të larta të natriumit (kripës).
  • Rekomandohet të hani shpesh dhe në porcione të vogla gjatë gjithë ditës sepse gjatë çdo ngrënieje presioni i gjakut rritet. Një zgjedhje mjaft e mirë janë qumështi dhe mishrat që kanë përmbajtje të ulët yndyre (mishi i pulës, peshku, jo mishrat e kuq). Zgjidhni frutat që ju pëlqejnë dhe përdorini ato sa më shumë, mund t’i shoqëroni ato me qumësht ose kos sepse ndikojnë pozitivisht në rritjen e presionit të gjakut. Pini sa më shumë lëngje gjatë ditës, qoftë edhe ujë sepse rritet presioni i gjakut. Kështu, parandaloni dehidratimin (sidomos gjatë verës kur edhe djersijmë më shumë), i cili është një nga shkaqet kryesore të hypotensionit.
  • Nëse ju merren mendtë kur ndërroni pozicion duhet të ktheheni menjëherë në pozicionin e mëparshëm.
  • Njerëzit që janë diagnostikuar me hypotension duhet të bëjnë shumë kujdes kur ngrihen nga shtrati. Ata nuk duhet të ngrihen menjëherë por gradualisht. Fillimisht të ngrihen ndenjur, pastaj të qëndrojnë 10-15 minuta me këmbët e varura poshtë shtratit dhe pastaj të çohen me ngadalë dhe pa u nxituar. Gjithashtu mjekët mund të këshillojnë edhe barna të caktuara që ndikojnë në rritjen e presionit të gjakut.
  • Njerëzve që vuajnë nga hypotensioni nuk u këshillohet që të qëndrojnë në diell.
  • Gjithashtu atyre nuk u këshillohet përdorimi i alkoolit. Studimet tregojnë se rreth 7 për qind e rasteve me tension të lartë (hypertension) janë të lidhur me përdorimin e alkoolit dhe rreth 25 për qind e rasteve me tension të ulur (hypotension) janë të lidhur po me përdorimin e alkoolit.
Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *