Në ditët e sotme, bateritë i kemi kudo. Që nga telekomanda, orët, lodrat e fëmijëve, madje edhe në furçat e dhëmbëve. Por ky burim energjie që bën të mundur funksionimin e aparateve që na lehtësojnë jetën përbëjnë një rrezik të madh për fëmijët, kryesisht për ata nën moshën 5 vjeç. Sipas të dhënave që paraqet një studim amerikan, paraqitja në spital e prindërve me fëmijë që kanë gëlltitur bateri është shumëfishuar gjatë 20 viteve të fundit, aq sa llogaritet që një incident i tillë ndodh çdo 90 minuta.
Dëmet
Gëlltitja e një baterie mund të shkaktojë dëme të rënda deri në humbje jete brenda një kohe të shkurtër. Në ambientin me lagështirë të ezofagut apo stomakut, bateria mund të çlirojë substanca të dëmshme që mund të shkaktojnë gërryerje apo hemorragji. Në rast se bateria ngec në ezofag, pasojat mund të jenë fatale brenda më pak se dy orëve.
Parandalimi
Incidente të tilla që mund të kthehen në fatkeqësi duhen parandaluar. Hapi i parë për këtë është dizenjimi i objekteve më të sigurta, me pjesën ku mbahet bateria e cila duhet të jetë e vështirë për t’u hapur nga një fëmijë.
Prindërit duhet të informohen përmes fletushkave udhëzuese për rreziqet që mund t’i kanosen fëmijës në rast se i lihet në dorë një objekt i tillë.
Në rast se prindërit dyshojnë se fëmijë mund të ketë gëlltitur një bateri, duhet që ta dërgojnë urgjent në spital.
Incidente të tjera
Incidentet me bateritë nuk janë të vetmet të cilat kërcënojnë jetën e fëmijës tonë brenda mureve të shtëpisë. Në revistën “Pediatrics” është publikuar një studim sipas të cilit, çdo katër orë në SHBA një fëmijë nën 3 vjeç paraqitet në spital për t’u mjekuar në gojë apo fytyrë për plagët e shkaktuara nga biberoni apo gotat.
Në 86 për qind të rasteve, fëmija ka qenë duke vrapuar me një prej këtyre objekteve në gojë. Dy të tretat e rasteve janë fëmijë të moshës rreth 1 vjeç, të cilët sapo kanë mësuar të hedhin hapat e parë. Në 66 për qind të rasteve, plagët shkaktohen nga një biberon, 20 për qind biberon fals dhe 14 për qind nga një gotë për fëmijë të kësaj moshe.
Specialistët sugjerojnë që për të shmangur incidente të tilla, fëmijëve u duhet shpjeguar se nuk duhet të lëvizin kur kanë në gojë këto objekte. Kjo do të parandalonte në masën 80 për qind incidente të tilla.