Rrëzohet akti për shpërndarjen e mandateve

redaktor

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk miraton në parim aktin për shpërndarjen e mandateve për zonat elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.

Akti mori vetëm 4 vota nga 5 vota që duheshin për ta miratuar sipas kodit zgjedhor.

Anëtarët e PS-së në KQZ votuan kundër këtij akti me arsyetimin se nuk kanë marrë  informacion të detajur nga drejtoria e e përgjithshme e gjendjes civile.

Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba theksoi se në përgjigjen e saj drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile thekson se mund të paraqesë listat e regjistrit themeltar të gjendjes civile pasi ka të dhëna personale dhe nuk e lejon ligji.

Sipas tij, ky arsyetim është i padrejtë pasi kërkesa e tij është e ligjshme. “Kërkoj të jem i bindur për materialet mbi të cilin do të japë votën. I kërkova Ministrisë të dhënat jo si person i thjeshtë por si anëtar i KQZ-së.  Ministria na ktheu një përgjigje se nuk mund të na i japin sepse kanë të bëjnë me të dhëna personale dhe nuk ua lejon ligji ti japin. Kjo nuk është përgjigje. Është një përgjigje formale që nuk jep informacionin e kërkuar. Legjislacioni i mundëson anëtarit të KQZ-së marrjen e informacionit” tha ai ndërsa shtoi se do të vijojë të kërkojë informacion nga Ministria e Brendshme.

Ndërkaq nga të dhënat e lëvizjeve demografike të popullsisë bën që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, disa qarqe do të pësojnë ndryshime.

Kështu Qarkut të Beratit dhe Korçës do t`i hiqen nga një mandat, ndërsa Tiranës dhe Durrësit do t`i shtohen nga një mandat deputeti.

Ndërkohë, KQZ-ja pritet të miratojë sot edhe rregullat për formatet e standartizuara për raportimet financiare të partive politike, subjekteve zgjedhore dhe raportimet e kontrollit financiar të ekspertëve kontabël.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *