Rrëzohet apelimi i Vllaznisë në Ligën e Kampioneve, Matija: Në UEFA vendosin grekët

Gazeta Dita

Vllaznia në futboll për femra nuk do të marrë pjesë për në turin tjetër të Ligës së Kampioneve për femra. Vendimi që pritej prej kohësh ka mbërritur më në fund në qytetin e Shkodrës. Është Komisioni Disiplinor i UEFA-s, ai që ka dhënë një përgjigje sa i përket reklamimit që skuadra e Vllaznisë ka bërë për futjen në lojë të një lojtareje që skuadra greke e PAOK-ut nuk e kishte të federuar.

Ky vendim është pritur me shumë interes në Shkodër, por nuk ka qenë përgjigjja që të gjithë kanë shpresuar, duke shuar kështu çdo mundësi që Vllaznia e femrave këtë vit të luajë në Ligën e Kampioneve. Në bazë të rregullores që vetë UEFA ka mendohej se ekipi kuqeblu kishte një shans shumë të mirë për të luajtur në Ligën e Kampioneve për femra duke qenë se pritej që UEFA të ndëshkonte PAOK-un e Selanikut.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe tashmë Vllaznia nuk do të ketë të drejtë të vijojë aventurën europiane. Bëhej fjalë që vajzat shkodrane të merrnin pjesë në turin e dytë të këtij kompeticioni pas ndeshjeve në grupe, por UEFA ka dhënë përgjigjen negative. Ky vendim pritej në fakt që më 21 shtator, por për arsye që nuk dihen UEFA e ka shtyrë jashtë çdo limiti.

Një ditë më parë, vendimi ka mbërritur në FSHF dhe më pas i është përcjellë edhe klubit Vllaznia. Sipas burimeve pranë FSHF-së dhe klubit shkodran në përgjigjen e ardhur nga UEFA për sa i përket Vllaznisë ka një fjali të vetme, ku ekzaktësisht thuhet: “Ankimimi juaj është i  pavend”. Natyrisht që nuk do të ishte çudi që një vendim i tillë të jetë edhe i qëllimshëm për një ekip si Vllaznia, i cili ka shumë pak vite që merr pjesë në Ligën e Kampioneve për femra.

DEKLARATA 

Në reagimin për “Panorama Sport”, presidenti i Vllaznisë, Lazer Matija, e ka cilësuar si absurd vendimin e UEFA-s për të mos pranuar ankimimin. “Mund të them pa frikë se është një vendim i turpshëm. Një lojtare e PAOK-ut ka luajtur në vend të një lojtareje tjetër, e cila nuk ka udhëtuar fare me skuadrën greke, sepse ka qenë e dëmtuar.

Nuk është thjesht një ngatërresë në numër apo në fanellë, por në vend të një futbollisteje ka luajtur tjetër kush dhe kjo për ne është e papranueshme. Ky është një krim në futboll, sepse nuk ka se çfarë të ndodhë më shumë. Ne nuk kemi kërkuar të fitojmë ndonjë ndeshje në tavolinë, por vetëm dënimin e PAOK-ut.

UEFA ende s’ka marrë një vendim përfundimtar për greket, por vetëm nuk ka pranuar ankimimin tonë. Vendimi i UEFA-s duhej që të merrej më 15 shtator, por nuk u mor dhe u shty më 21. As më 21 shtator nuk u mor vendim dhe u shty në limitet maksimale, kur thuajse nuk kishte më kohë. Duke shtyrë këtë afat për vendimin ndaj PAOK-ut, i bie që Vllaznia të mos ketë asnjë shans.

Edhe nëse PAOK-u dënohet, atëherë do të luajë më tutje ekipi tjetër që ka ndeshjen më 4 tetor. Nëse vendimi do merrej me 15 ose 21 për greket dhe nëse do të dënoheshin, atëherë do vazhdonim ne më tutje”. Matija hedh dyshime se në këtë vendim mund të ketë ndikuar sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, greku Theodore Theodoridis.

“Kemi paraqitur të gjitha faktet dhe provat se ka luajtur një futbolliste tjetër për tjetër, por kam përshtypjen se sekretari grek i UEFA-s mund të ketë pasur ndikim në këtë vendim aspak të drejtë. Është e vërtetë që lojtarja e PAOK-ut e pafederuar nuk ka luajtur kundër nesh, por nëse greket do të ishin dënuar në kohë, atëherë do vazhdonim ne më tutje”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *