Rrëzohet inflacioni, 1.1% për muajin mars, niveli më i ulët në 3 vjet

Bora Basholli

Inflacioni pësoi një rënie të fortë dhe të papritur në muajin mars.

Sipas Institutit të Statistikave, norma vjetore e inflacionit zbriti në 1.1%, nga 1.7% që kishte qenë për muajin shkurt. Ky është niveli më i ulët mujor i inflacioni i regjistruar që në mesin e vitit 2016.

Rënia e inflacionit i detyrohet sidomos grupit të ushqimeve. Inflacioni i këtij grupi ra në 2% për marsin, nga 3.8% që kishte qenë për muajin shkurt.

Më në detaj, ato që ndikuan më shumë në zbutjen e inflacionit ishin çmimet e nëngrupit “fruta”, që u ulën me 7,8 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 0,7 %, “bukë dhe drithëra” me 0,6 %.

Grupet e tjera regjistruan luhatje të vogla dhe ndikimi i tyre në ndryshimin e inflacionit për shkurtin ishte modest.

Shifrat e muajit mars tregojnë se rritja graduale e inflacionit drejt objektivit prej 3% mund të ngadalësohet. Në fakt, Banka e Shqipërisë kishte parashikuar që mbi çmimit të lekut do të vazhdonte të jepte efekte në uljen e çmimeve edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Por, rënia e inflacionit në mars duket se shkon përtej pritshmërive të lidhura me efektin e kursit të këmbimit.

Skan shkruan se në vendimmarrjen e fundit të politikës monetare, në muajin mars, Banka e Shqipërisë nënvizonte se po shtohen rreziqet për një rritje më të ngadaltë ekonomike, të shoqëruar edhe me një inflacion më të ulët.

Kjo lidhet si me zhvillimet në ekonominë e eurozonës, ashtu edhe me faktorë të brendshëm, përfshi këtu krizën politike.

 

b.b/dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *