Letër e nënshkruar,
nga Pali Nito
Bojkoti është vendimi më i pazakontë, më ekstrem e më radikal në jetën dhe veprimtarinë parlamentare të një force politike në opozitë. Është një dukuri e dëmshme për demokracinë e një vendi, por edhe për opozitën që e ndërmerr dhe e zbaton atë, sepse stopon, ngrin dhe paralizon, ndalon, tkurr dhe asfikson, vështirëson dhe bllokon tërë ecurinë dhe normalitetin e jetës parlamentare.
Më saktë bllokohen reformat: hartimi i ligjeve, interpelancat, komisionet e grupeve parlamentare sepse demokracisë i mungon një krah, i mungon oksigjeni dhe antioksidanti i nevojshëm sikundër është opozita.
Dakord, edhe bojkote mund të bëhen dhe nuk është as ndonjë hata dhe as fatalitet nëse ato bëhen. Pra bojkote, por përse, edhe për çfarë, pasi nuk shohim ndonjë zhvillim të atillë e të rëndësishëm që të justifikohet një bojkot i tillë parlamentar nga ana e Partisë Demokratike. E theksojmë qartazi se nuk ka kurrfarë motivi, shkaku dhe arsye objektive për ndërmarrjen e këtij bojkoti politik. Për këtë, çuditërisht u kërkua dhe u gjet një pretekst, kleçkë apo sebep, rrahja e deputetit, sherrxhi, grindavec e problematik Strazimiri nga deputetë socialistë të pavetëpërmbajtur për të cilët duhet zbatuar rregullorja apo sanksione të tjera administrative e disiplinore.
Një bojkot i tillë për një ndodhi të tillë nuk të bind. Skena të dhunshme parlamentare madje ekstremisht edhe më të dhunshme dhe të përgjakshme ne kemi parë kudo në Europë e Ballkan, si në Ukrainë,Turqi, Itali, Rusi e kudo në botë, por askush nuk ka bojkotuar parlamentin aq më pak për dy shpulla që hëngri një deputet. Kjo është qesharake dhe aspak serioze, por filozofi e një mendimi absurd, rrimë që rrimë, a nuk bëjmë një bojkot?

Ekzakt z. Pali Nito? Arsyetim i mjaftueshëm për të ndaluar cdo bojkot? Tung!