Ka një asimetri të theksuar mes rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri. Shifrat e furnizuara nga ministria jonë e Ekonomisë nuk qëndrojnë. Ndodh një paradoks që vërehet jo shpesh në ekonominë botërore. Me rritjen ekonomike papunësia rritet, ndërsa punësimi ulet, sidomos viteve të fundit. Hendeku midis rritjes ekonomike dhe punësimit në Shqipëri është 6 herë më i thellë se në nivel boteror. Qeveria jonë jepet pas numrave të një rritjeje ekonomike me pikatore për tre vitet e fundit, por asnjëherë nuk ështe kujdesur të verifikojë ndikimin e rritjes ekonomike në mirëqënien dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Polarizimi i skajshëm i jetës ka bërë që një numër përherë e më i pakët i popullsisë të pasurohet me vërtik, ndërsa shtresa e mesme të zvogëlohet frikshëm. Ka ndodhur vërtet konsolidimi i bizneseve, por ky konsolidim nuk ka ardhur me hapje masive vendesh pune. Zyrtarisht, në Shqipëri kemi mbi 800 mijë persona në moshë pune, që nuk janë as në forcën e punës, as në tregun e punës. Mund të na e thotë qeveria dhe INSTAT-i, ku janë këta njerëz? Ata janë midis nesh, duke u rropatur të gjejnë një punë, por që nuk kanë hyrë në asnjë nga statistikat e shtetit shqiptar. Treguesi i papunësisë bëhet më alarmant, nëse mbajmë parasysh që rreth 55 përqind e të punësuarve janë në bujqësi. Dhe, INSTAT-i e quan të punësuar në bujqësi çdo person që zyrtarisht ka në zotërim tokë të përfituar nga Ligji 7501. Por realiteti tregon se vetëm rreth gjysma e fuqisë punëtore të fshatit është e zënë me punë, madje edhe ajo punon me rreth gjysmën e produktivitetit. Sipas anketës së forcave të punës, të kryer nga vetë INSTAT-i, rezulton se shërbimet publike të punësimit janë shërbimet e fundit të cilave u drejtohet një i papunë shqiptar që kërkon të punësohet. Pra, numri zyrtar i të papunëve tek ne llogaritet në tavolinë dhe jo sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punësimit (ILO). Informacionet që ofrojnë burimet tona zyrtare për nivelin e varfërisë janë të diskutueshme. Si rregull global, varfëria është rreth dy herë më e lartë se papunësia. Pyetja me mburrjet qeveritare shtrohet: si ka mundësia që brenda 6 viteve varfëria të ulet me ritme galopante, madje të përgjysmohet, ndërsa papunësia të ulet vetëm me rreth 2-3 përqind? Cilët faktorë kanë ndikuar në uljen e varfërisë, nëse jo punësimi? Si ka mundësi që numri i të papunëve nuk ndryshon, ndërsa numri i të varfërve ulet? A ka mundësi të ndodhë që numri i të varfërve të jetë më i vogël se numri i të papunëve, në një kohë kur dihet se në Shqipëri papunësia nuk është një zgjedhje individuale, por pasojë e padëshirueshme, fatalitet? Vetëm në Shqipëri ndodh që varfëria të jetë më e ulët se papunësia. Në asnjë vend tjetër nuk ndodh kështu. Kjo është një ligjësi e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, të paktën e vendeve europiane. Papunësia, duke qenë një shkak i varfërisë, shtyn poshtë vijës së varfërisë edhe pjesëtarët e familjes së të papunit. Si rregull, njerëzit varfërohen se nuk kanë punë, dhe jo e anasjellta. Rritja ekonomike duhet të shikojë nga shtimi i bizneseve prodhues, jo vetëm nga investimet në infrastrukturë që sigurojnë vetëm një punësim të përkohshëm.
