Rriten çmimet e prodhimit vendas, ulen ato për eksport

anazapta

Çmimet e prodhimit të mallrave vendase u rritën në tremujorin e fundit të vitit 2013 me 0.1 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Konfirmimi vjen nga të dhënat zyrtare të INSTA, sipas të cilit indeksi i çmimeve të prodhimit, që mat çmimin e parë të hedhjes në treg të mallrave nga ndërmarrjet prodhuese, u rrit për të dytin tremujor radhazi në një masë pothuajse të papërfillshme. Kështu në tremujorin e katërt 2013 ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit është 0.1 për qind. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012, çmimet e prodhimit të produkteve për tregun vendas kanë shënuar rritje me 0.2 për qind ndërsa çmimet e prodhimit me destinacion eksportin kanë shënuar ulje me 0.3 për qind. Në tremujorin e katërt 2013 ndryshimi tremujor i indeksit është 0.3 për qind. Çmimet e Prodhimit në degën ”Industria Nxjerrëse” shënuan rritje me 1.0 për qind. Vlen të përmendet rritja e çmimeve të prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e produkteve energjetike” me 3.4 për qind. Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në degën “Industri Përpunuese” shënoi rritje me 0.4 për qind. Brenda saj mund të përmendet rritja e çmimeve të produkteve në aktivitetin “Përpunimi i lëkurës, fabrikimi i këpucëve” me 1.5 për qind. Çmimet e Prodhimit në aktivitetin “Rafinimi i naftës” shënuan ulje me 0.3 për qind.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 111.4 për qind  duke shënuar një rritje me 0.1 për qind krahasuar me tremujorin e tretë 2013. Indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 120.0 për  qind duke shënuar një ulje me 0.5 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Stanjacioni i çmimeve të prodhimit është një tjetër tregues që forcon parashikimet për inflacionit të ulët në ekonomi gjatë këtij viti. Ngrirja e çmimeve të prodhimit nuk është një tregues i mirë për gjendjen e ekonomisë dhe në veçanti të sektorit prodhues. Mosrritja e çmimeve ul stimujt për rritjen e prodhimit, të punësimit dhe të pagave në ekonomi.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *