Në raport me një vit më parë, ndërtuesit po përballen me një kosto më të lartë për të ndërtuar, një tjetër faktor që ndikon negativisht aktivitetin e tyre, krahas rënies së fuqisë blerëse dhe tkurrjes së kredisë në banka, që ka çuar dhe në uljen e çmimeve të apartamenteve. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) shënoi një rritje me 0,5 përqind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 0,9 përqind. Po sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2013, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) arriti 101,6 përqind (Tremujori i I 2011=100), duke shënuar një ulje prej 0,1 përqind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Indeksi i çmimeve të grupit “Shpenzime materiale” është rritur me 0,9 përqind krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Brenda këtij grupi indekset e çmimeve të nëngrupeve ”Materiale ndërtimi” dhe ”Materiale hidrosanitare” kanë shënuar rritje respektivisht me 1,2 përqind dhe 0,2 përqind. Indeksi i çmimeve të nëngrupit ”Materiale elektrike dhe komunikimi” ka shënuar një ulje prej 0,6 përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Indekset e grupeve ” Shpenzime makinerie” dhe ”Shpenzime transporti” u ulën respektivisht me 0,5 përqind dhe 0,8 përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa, indeksi i grupit ” Shpenzime për paga” pati një rritje prej 0,9 përqind.
