Importet e automjeteve të përdorura kanë vijuar të jenë të larta në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke vijuar tendencën e konstatuar gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Doganat, për periudhën janar qershor 2013, u importuan 25812 automjete, me një rritje prej 4% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Por, në raport me gjashtë mujorin e parë 2011, rritja e importit të automjeteve të përdorura ka qenë 508%, apo rreth 6 herë më e lartë.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, të përpunuara nga Automobile Club Albania (ACA), importi i makinave të përdorura u rrit me shpejtësi, që nga shtatori 2011, menjëherë pasi hyri në fuqi ligji i ri, i cili eliminoi tërësisht taksën e ndotjes për mjetet e importuara, duke synuar që vjelja e kësaj takse të realizohej gjatë gjithë kohës së përdorimit të mjetit përmes rritjes së taksës së regjistrimit dhe taksës së qarkullimit të mjetit. Numri i automjeteve të targuara për herë të parë për periudhën shtator-dhjetor ishte gati katër herë më i lartë se ai i periudhës janar-gusht 2011 (nga 5814 makina në janar-gusht në 28343 në katër muajt e mbetur të vitit).
Gjatë gjithë vitit 2012 u importuan 50,314 automjete të përdorura, me një rritje prej 47% në raport me një vit më parë. Ndërsa makinat e përdorura po zaptojnë gjithnjë e më shumë, tregu i automjeteve të reja po tkurret me shpejtësi. Pasi arriti vitin më të mirë në 2008-n, në 3195, sipas të dhënave nga Ministria e Transporteve, regjistrimi i automjeteve të reja zbriti të 1864 në vitin 2012. Edhe në gjashtë muajt e parë të 2013-s, tendenca ka qenë negative, me vetëm 648 makina të reja të regjistruara.
